Vëllai i madh të rrafë dhe nuk të lë të qash!

Kultura

Vëllai i madh të rrafë dhe nuk të lë të qash!

Nga: Avni Abazi Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 16:21
Avni Abazi

Episodi i parë: Edukimi ilegal

Të jesh vëlla i vogel i vëllezerve të mëdhenjë e të fuqishëm, do të thotë rrugëtim i qetë drejtë të ardhmes së sigurtë. Ne kishim fatin e të qenit i vogli gjithmonë, si në kohë të liga me plot turbullira gjatë kohës së komunizmit në ish-Jugosllavi, si gjatë viteve të nëntëdhjeta kur u ndanë vëllazëria dhe u prish Jugosllavia, si gjatë kësaj kohës së shekullit të ri kur ndjenim të bashkuar me nanën Shqipni.

Mbaj mend rrugëtimin tonë studentor ilegal përmes Liqenit të Shkodrës! Kurrë nuk do ta harroj dashninë e madhe të ne të vegjëlve tetëmbëdhjetë vjeçarë, kur udhëtonim fshehurazi dhe përballë policisë malazeze, që bënin sikur nuk na shihnin derisa mbërrinim te skafistët me kaqurrela, me të cilët ishim të detyruar të bënim biznes në emër të zhvillimit të dijes sonë. Me t’u afruar bregut tek bregu i liqenit, vëllezërit shkodranë na rrethonin dhe si në kohë lufte na udhëheqnin drejtë dritës se dijes dhe të panjohurës. Aty-këtu dëgjohej ndonjë zë i ngrysur “o shiko sa bukur përtej kufirit”, thoshte njëri! “Është nëna Shqipëri o i marrë!”, i thoshtë tjetri, për të vazhduar për disa minuta shushurimën, e cila ndërpritej nga skafisti kur thoshte:

“Mbyll gojën o shkërdhatë Kosovar. A kupton që je në kufi?!”. Ne ulnim kokat dhe siç ishim gjunjazi, shikonim ujin e kthjellët të liqenit nën dritën e hënës dhe tingujve moralizues të vëllait shkodran “Jugosllavi të vret o vllai, dhe ju nuk e dini çka do të thotë për ne kjo sakrificë!”.

Kjo melodi ndërpritej nga prindi që shoqëronte një vajzë në këtë grumbull djemsh: “Këta janë e ardhmja e Kosovës dhe kjo sakrificë juaja vëlla i dashtun një ditë do të ju bëj krenar, sepse çdonjëri nga këta djemë, nesër do jetë doktor shkence a kryetar shteti!”.

Gjatë kohës sa fliste baba i çikës, ne djemtë shikoheshim ndërmjet veti dhe si për të ilustruar thënien “Moj e mira nëpër talla, në kallabllak shihet budalla!”, njëri pyeti: “A edhe ti je student a?! Prindi qeshi dhe me plot krenari u përgjigj: “Jo, unë i kam përfunduar studimet në Zagreb dhe jam prindi i kësaj zonjushe”, duke treguar me dorë vajzën, e cila për disa sekonda u vërshua nga shikimet djaloshare, e cila ndihej keq. “Boll të mirë e paske çikën!”, psherëtiu njëri… Babai bëri sikur nuk degjoi dhe për disa minuta në barkën e vogël të mbushur me afro njëzet pasagjerë e kaploi heshtja totale.

Po afroheshim në bregun shqiptar, në një fshat i cili nuk e kishte shkëlqimin e mëhershëm. Skafisti për një qast ndaloi barkën. “Me vjen keq, por kemi informata që duhet të kthehemi mbrapa. Me 10 marka gjermane nuk mundemi me ju kalua në tokën e Shqipërisë!”. Ne të befasuar u ngritëm në këmbq duke shikuar njëri-tjetrin. “Na vjen keq, por kështu kishim marrëveshjen”, u përgjigj njëri nga ne. Skafisti me kaqurrela nxori revolen dhe tha: “S’ka marrëveshje. Ose paguni nga 100 marka, ose ju hedhim në ujë!”. Babai i vajzës hapi duart duke provuar të na ndaloj. “Jo djema, mos u ngutni, sepse flas unë me të” dhe iu drejtua skafistit: “Dëgjo zotëri. Ne paguam aq sa kërkuat në fillim dhe besoj që është e mjaftueshme, sepse e shikon sa shumë jemi? Afër dyqind marka veç nga ne i merr!” Skafisti as që donte t’ia dinte dhe si pa vetëdije e shtyu burrin duke e përplasur kah ne. “Vëllai e kupton që nuk varet nga ne. Ky është rregulli i ri i liqenit”. Ne u munduam të arsyetonim se nuk kishim të holla tjera, sepse na duheshin për studime dhe papritur njëri nga ne, ai më trimi ju hodh në armë skafistit, i cili në përleshje e sipër e hodhi në ujë djaloshin trim! Skafisti shtiu në ajër dhe ne të gjithë u shtrimë përtokë, derisa njërit i ra të binte mbi vajzën, derisa djaloshi që ra në ujë filloi të notonte drejt bregut dhe ne të tjerët mbetëm të shtrirë nën kërcënimin e tytës së armës së skafistit. Për një moment, çdo gjë u qetësua dhe vëllau uli armën, derisa papritur u gjendëm në breg të liqënit “I qofshi falë këtij vëllait të shkolluar në Zagreb, që sakrifikon për shkollë!” Ne shikonim njëri-tjetrin dhe pa kuptuar çfarë po ndodhte, zbritëm nga barka, derisa ndiheshim mirë, pasi nuk paguam para shtesë. Skafisti bashkë me varkën u largua, derisa ne të tjerët kokë më kokë po diskutonim zbarkimin tonë të furishëm në mëmëdhe. Zhurmën tonë e ndërpreu trimi që iu vërsul armës dhe tha: “Unë thahem shpejt, pasi tē paktën i shpëtuam paratë”, thoshte djaloshi I bërë qull.

Ne, shikonim njëri-tjetrin dhe shprehnim keqardhje për të dhe pa dashur ta thyejmë entuziazmin e tij, filluam t’ia jipnim rrobat tona. “Ja merre bluzën time”, – thoshte njëri, ose “merre timën”, thoshte tjetri. Rutinën tonë e ndërpreu burri. “Më vjen shumë keq, por nuk mund ta toleroja atë gjendje dhe mu desh të paguaja!”, – tha prindi i vajzës. Po sa pagove o zotri?, e pyeti i laguri. “Të gjitha sa i kisha me vete”, – tha prindi i vajzës dhe shtoi: “Dy mijë marka!”. Pastaj iu afrua vajzës së tij dhe i tha: “Kam një mik në Tiranë dhe besoj që do na i gjejë hua të paktën për muajn e parë”. Njëri nga ne pa policinë dhe vrapoi tek ata… Pasi policët na dëgjuan, na thanë “Ju duhet të jeni falenderues që ju kanë sjell në Shqipëri pa ju vrarë serbi!”. Ne si pa kuptuar të gjithë, njëzëri protestuam, madje njëri tha: “Si ka mundësi të jeni policë të Sali Berishës dhe ai është anti komunist dhe është nga Tropoja! Polici tha: “Ik ore pirdhuni shkërdhata kosovraë!” dhe u larguan nga ne. I laguri trim nxorri nga xhepi kuletën dhe me shaka tha: “Kuleta origjinale nga Gjermania dhe nuk më janë lagur paratë!”. Të gjithë qeshëm dhe ai i nxori 100 marka dhe ia dha prindit të vajzës. “Urdhëro zotëri. Boll po me vjen inati, sepse u laga e thashë i lagun po, por të paktën me para!”. Qeshëm përseri dhe çdonjëri nga ne paguam pjesën tonë. Kuptuam që në varkë ishim 18 veta, plus vajza dhe prindi i saj bëhëshin njëzet.

Episodi i dytë: Revolucioni

Në rrugëtim tonë me vëllëzërit e vëllazërim-bashkimit komunist të ish Jugosllavisë mësuam që çdo gjë që ndahej në mesin tonë, ne gjithmonë merrnim pjesët e mbetura të tortës dhe asnjëherë nuk na linin të uleshim në mënyrë të barabartë në sofrën e madhe jugosllave. Prindërit tanë zakonisht na ngushëllonin duke na thënë se "do bëhet mirë", sepse ne kemi Shqipërinë mëmë dhe Amerikën babë dhe se kjo situatë në të cilēn ndodhemi tani, është e përkoheshme! "Ne duhet të edukohemi dhë vetëm me shkollë mund t’i mundim vëllezërit e birësuar me zor nën Jugosllavi". Na mësuan që edhe kur ta hamë tortën të dalë afati, ose kur ballafaqohemi me kërbaçin e policit, duhet të qëndrojmë krenar dhe të patrembur. Duke i luftuar vazhdimisht vllëzerit sllavë, ne mbërrijtëm të krijonim imunitet të hekurt përballë çdo përbuzjeje e sulmi sado banal që mund të ketë qenë, madje në disa raste ndjeheshim superior me sportistë, artistë e intelektualë, që filluan të godasnin Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, që ishte koka e urrejtjes dhe përbuzjes ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Vitet kalonin dhe kosovarët e vegjël me sherrin e madh, mbërrijtën që nga protestat e tyre në rrugë e deri të fjalimet e shkrimtarëve shqiptarë në Beograd, të tundnin Jugosllavinë, e cila më pastaj të thyhej përtokë e të përplasej në mes vete, sa për t’i deshmuar botës se nuk ishin vetëm shqiptarët të pakënaqur me shtetin artificial, por në fakt çdo sllav pos serbëve ishte i pashpresë dhe kerkonte pavarësinë e vet. Lufta për nënshtrim total ishte menduar të fillonte në Kosovë, por një bir dardan dhe më kozmopolit se europianet dhe amerikanët e kohës, bëri politikë paqësore dhe luftën e barti në Bosnjë e Kroaci, me ç'rast luftohej për tokë e haraç nga ish-vëllezërit sllavo-komunistë, ndërsa ne, në krye me pacifistin e shekullit në anën tjetër, mbërrijtëm të ndërtojmë lidhje të forta me vëllaun tonë natyral Shqipërinë dhe Amerikën si superfuqi.

Për gati tre dekada, rinia kosovare e ushqyer me bukë e lëng nga supernënat kosovare, e veshur e mbathur nga diaspora, e frymezuar me patriotizëm nga Lëvizja për pajtimin e gjaqeve, e udhëhequr nga burri i urtë Anton Çeta dhe Gjarprinjet e Gjakut te Adem Demaqit, por edhe e mbushur me dije nga romansierët e patrembur të Universitetit të Prishtinës dhe të udhëhequr nga urtia e popullit, mbërrijtëm t’i sfidonin barrierat e një shteti siç ishte Jugosllavia, e udhëhequr nga diktatura më moderne e kohës dhe të organizonin shtetin parallel, i cili na dërgoi në luftën çlirimtare të shtetit që sot e kemi.

Prit pak… Me duket dola nga tema?! Në fakt jo, sepse të gjitha këto janë të vërteta, edhe pse tani nga këndvështrimi modern i IPhone-ve dhe gjeneratës së re, do mund të duket e pabesueshme. T’i thuash sot një tetëmbëdhjetë vjeçari që Faruk Begolli ishte i dyti pas Titos i njohur në një shtet me 28 milion banorë! T’i thuash se pajtimi i gjaqeve në fakt është kulmi i idealizmit modern, që s'ka vend a shoqëri në botë, që t’i ketë ndodhur dhe t’i thuash që Prishtina e ka mundur Partizanin midis Beogradit. Do të dukej më shumë se fontanë deshirash. Por jo… Ne jemi "Unë biri yt Kosovë", që kemi humbur udhën dhe nese nuk kthehemi ta gjejmë vegëzën se ku e humbëm këtë udhë, vërtetë do jemi "Unë armiku yt Kosovë", siç po na thonë mbeshtetësit e Trump-it, se nuk është Trumpi për marrëveshjen, po jeni vet armiqtë e Kosovës.

Prit!... Ishim të lufta që nisi në Kosovë dhe mbështetja që e pati Kosova nga vëllezerit e saj të mëdhenjë. Mbaj mend si sot, rënien me familje të Adem Jasharit dhe lotët e komentatores se lajmeve, kur dha lajmin për vdekjen e tij. I kujtoj thashethëmet që qarkullonin se nuk ka 'vdekë' Ademi, por është propagandë e armikut lajmi për vdekjen e tij dhe shumë gjëra tjera që t’i mendosh sot është si ëndërr e pamundur të ndodhe në realitet. Megjithatë, luftërat në terren ndodhnin bashkë me përpjekjet për paqe në diplomaci nga pothuajse të gjithë, prej Rusisë e Kinës qē ishin kundër Kosovës e deri tek Amerika e Britania e Madhe, që më 24 mars, vendosën ta përshëndesin Beogradin me raketa e bomba nga ajri. Ajo që një popull i tërë e donin, ndodhi më në fund. Kishte entuziazëm dhe besim, që fitorja është afër.

Ku mbetëm? Po, te vëllai i madh që na priti "të madh e të vogël" gjatë kohës se luftës në Kosovë. Ishte rrëqethëse të shikoje mijëra të zhvendosur në Kukës, që priteshin nga banorët lokalë me plot mirësjellje. Më kujtohet një nenë rreth të gjashtëdhjetave, e cila doli nga një strehimore dhe rrembimthi hodhi shaminë përtoke. "Kurrë më nuk do ta vendosi këtë dreq", derisa vajza e saj i qendronte afër dhe si fshehurazi prapa shpinës se saj e mori shaminë dhe e vendosi tek një çantë e saj! Nëna e shikoj the i tha: "Kot e merr atë shami, sepse unë jam nënë si motrat e mia këtu në Shqipëri!". Një gazetar britanik më pyeti ӓfarë po ndodhte?! Pse grinden nëna me të bijën?! I tregova për çfarë flitnin dhe duke qeshur tha: “Çfarë teme e bukur për trajtim!?”. Në fakt, reportazhi i tij televiziv ishte i mbushur me pamje me gra te mbuluara në kampet e Kukësit, por reportazhi i vërtetë i jetës pas luftës në Kosovë dukej pa mbulesa dhe plot shpresë deri sa filloi të inkuadrohet feja me mbulesën e saj. I gjithë ky narracion i gjatë për vëllain e madh, vetëm për të treguar që e keqja e madhe më emrin luftë na bëri bashkë me Shqipërinë dhe dëshmoi që shqiptarët si popull janë një, por udheheqësit i kanë të këqinj. Revulucioni i femrës kosovare ndodhi pikërisht në kohën kur Serbia na përzuri në Shqipëri.

To be continued...

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat