Edhe groshë, edhe frashull

Kultura

Edhe groshë, edhe frashull

Nga: Fatmir Lohja Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 08:08
Fatmir Lohja

Në gjuhën letrare emërtohet fasule. Veriorët e quajnë groshë, kosovarët pasul, ndërsa elbasanasit frashull. Në fëmijëri, kur shkoja në Elbasan te dajat , gjyshja vinte menjëherë në zjarr vorbullën me fasule. E dinte se i pelqente nipit të largët. E gatuante për merak. Kur i fuste edhe ndonjë copë të madhe pastërma, ajo të shkrihej në gojë.

Kur mblidheshim si zogjtë pranë tavolinës, unë kërkoja groshë. Djali i dajës donte frashull. Gjyshja e fuste garuzhdën (qepshen, lugicen, luganën) në vorbe. Kur e hidhte në pjaten time e quante groshë, ndërsa kur i mbushte pjatën nipit te shtëpisë e emërtonte frashull.

Ngaqë më shijonte , edhe nga kurioziteti fëminorë, pjatën e dytë e doja me frashull, në të kundërt bënte kërkesën çunit të dajës. Nga e njëjta vorbull , mua ma plotësonte deshirën me frashull, dhe nipit të shtëpisë me groshë. Kur kthehesha në Lezhë, dhe u tregoja shokëve se në Elbasan kam ngrënë edhe groshë, edhe frashull , ata mahniteshin nga bujaria e Mom Lijes.” I pastë dritë shpirti!”

Bashkëmoshatarët me kërkonin sqarime për frashullin. Në gojë te dyja një soj më vinin, por fantazia nuk më ka munguar për ta përshkruar sa më bukur. U thoja se janë dy lloj farnash njëra “rozë”, e tjetra “blu”. Kur zihen në vorbull, së bashku me pastërman, bëhen të bardha, identik si grosha.

Në fushatat elektorale është vënë simbolika e tepsisë se bakllavasë. Secili e kërkon ta hajë të tërën. Mjekët endrokinologë këshillojnë se po hëngrë shumë bakllava sëmuresh nga diabeti. E diabeti dihet se semurë organet më të lodhur në trup.

O politikanë! Merruni vesh me njëri -tjetrin për ta ndarë vorbullën e fasules, se ju del, edhe u tepron ! Sa kërcënoni njëri-tjetrin me burgje, për frikacakllëk , të sëmurë mendorë,….. përdorni zgjuarsinë të ndjerës Mom lije, që na e mbushte barkun , edhe mendjen, se hëngrëm edhe groshë, edhe frashullë. Nuk mund të rri pa theksuar. Sa më shumë pastërma të fusni në vorbullën shtetërore, aq më mirë gatuhet fasulja, pasuli , grosha, frashulli, ministria , drejtoria, vëni vetë emrin që u pëlqen më shumë. Vorbulla qeveritare është e madhe. Në fund mbetet një pikë lëng, a ndonjë kokërr, për të ushqyer njerëzit fukara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat