Një kinematografie (e tërë) pa kuaj!

Kultura

Një kinematografie (e tërë) pa kuaj!

Nga: Bajram Sefaj Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 10:35
Skenë nga filmi “Dasma e Sakos”, fatkeqësisht kuajt nuk konsumojnë uiski!

Kur, këtu e njëzet vjet më parë, saktësisht më 20 shtator 2000, kam shkruar e botuar në faqen 19 të Rilindjes, shënimin më titull “Filmi që i mungonin kuajt” kam pasur para sysh vetëm një film të caktuar, shfaqjen e të cilit e kisha ndjekur, atëbotë, me gëzim e entuziazëm, këtu, në Prishtinë!

Por, jo mor jo!

Ndërkohë, pasi shikova një numër të madh filmash, prodhim i Kino studios “Shqipëria e Re” të epokës së “lavdishme” të Xhaxhit Enver, (duke përfshirë këtu edhe filmin bashkëprodhim shqiptar-sovjetik Skënderbeu), tmerrova krejt, kur qartë shihej se kinematografisë shqiptare të asaj periudhe, sa i kishte me grat kuajt, kishte me tepricë (deri në neveri, kishte grusht në tëmth e parullë, po aq e, më tepër, neveritëse “Vdekje fashizmit – liri popullit!). Më të vërtetë mungesa e kuajve nuk ishte problem i vetëm një filmi, por ishte problem i madh, madje shumë më i madh i kinematografisë shqiptare të një periudhe gjysmëshekullore.

“Fjalën e ka”, shënimi i im i para dy deceniesh!

Filmi që i mungonin kuajt

(Shkëputje e veçim i vetëm një detaj, nga filmi artistik shqiptar "Dasma e Sakos" të
regjisorit Vladimir Priftit, që u shfaq të premten në sallën e kinemasë “ABC”të Prishtinës)

Hiç mungesave (mangësive) të tjera skenografike e teknike, këtij filmi që trajton një temë hiç të re dhe (njëmend) aspak aktuale, për shoqërinë shqiptare në vlim (punë pronë e sinorësh midis Alush Beut dhe Sakos, me thelbin e intrigës, kur në këtë të fundit dashurohet marrëzisht gruaja e pasanikut katil e të pashpirt!) gjë që edhe më shumë ndërlikon rrjedhën e këtij filmi dhe e bën atë "fantazmagorik", kur zhvillohet në ambiente "fantazmagorike", këtij filmi, ore, i mungonin kuajt!

Po, po nuk është gabim shtypi. Këtij filmi, njëmend, i mungonin kuajt!

Meqë filmi "Dasma e Sakos" është bashkëprodhim (shqiptaro-hungarez), nga Budapesti është huazuar drejtori i fotografisë. Ai me emrin Libor Klopfler, i cili kur është më i suksesshëm në kapjen e skenave në eksterier, sidomos të peizazheve, se sa ato të brendshme, kur nuk ishin tjetër pos (kryesisht) skena tipike teatrore, është dashur që nga atje, nga ky vend, të huazohen edhe disa (më së pakut) tre-katër kuajt të mirë, të shëndoshë, të ushqyer, qimndritës, vizak e të pa bark.... të zotët për të kryer të gjitha ato punë të shpejta e të ngutshme midis personazheve dhe ambienteve, kur ata (kuajt!) ishin i vetmi mjet në komunikacion. Ky huazim (marrje me qira!) i disa kuajve duhej të bëhej aq më parë kur pikërisht hungarezët janë të njohur si rritës e kultivues të racave më të mira e më të shtrenjta të kuajve.

E Vlado i gjorë (le të quhet kështu përzemërsisht) thua se kishte pak halle e telashe në përpjekjet e tij në krijimin e skenave me orendi e dekor glomaz të kohës, në ambientet "mbretërore të kështjellës", ku në vend të dasmës do të zhvillohet drama, së paku, daljen para kamerave të kuajve gjysmë të coftë, gjysmë të gjallë, sigurisht ka pasur mundësi ta evitojë! Ashtu siç ishin, siç dukeshin në ekran të madh, si zhuganë e cukëlanë, të metiluar ... që mezi ndërronin hap, kur, përpara se me vrapime vetëtimë të kryejnë punët e tyre, fitohej përshtypja se veçse nuk plandoseshin për tokë nga mjerimi dhe uria.

Ky huazim apo angazhim i tre-katër, apo pesë-gjashtë kuajsh, për ca do të ngrite koston e filmit "Dasma e Sakos". Por, kështu është, zotëri regjisor, ju këtë e dini më mirë se çdokush tjetër, se kur i qaseni realizimit të një projekti të këtillë filmik, të "kostumuar" që pretendon të paraqes një standard (kontrast standardi) të lartë, atëherë medoemos edhe kërkesat e "nazet" e tij megalomane, janë të larta e të, kushtueshme, kuptohet.

Filmit "Dasma e Sakos", pra, pos tjerash i mungonin edhe kuajt. Eu, kuajt e mallkuar.

Kështu siç ishte, premiera solemne (spektakolare) e filmit "Dasma e Sakos" në sallën e kinemasë “ABD” të Prishtinës, u prit ftohtë dhe pa asnjë entuziazëm.

Solemnitetit dhe atmosferës në këtë sallë thuaj se nuk i ndihmoi për asgjë, as prania dhe ngritja e regjisorit Prifti dhe bashkëpunëtorit (bashkë prodhuesit) të tij në skenë. Gjithçka përfundoj heshtur. Thuaj se pa asnjë përplasje duarsh! Mjerisht!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat