Duejeni atdheun për me dashtë vetën!

Kultura

Duejeni atdheun për me dashtë vetën!

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 15:02
Çun Lajçi

Nga Çun Lajçi

Kapedani Gjon Marka Gjoni m’erdhi vonë, mbasi m’kishte nxanë gjumi tue i shfletua kujtimet e hershme. Shihej se dje m’kishte rrokotelë bjeshkëve t’vetmueme Rugova!

Unë vetëm i hapa sytë!

Trupi nisi m’u dridhë e djersët m’u torolangë ballit.

Çka don ky n’Drelaj? Thashë e buzët mu ngjitën njena me tjetrën prej shkrumit! Unë me Galën dola n’Rugovë. Kush s’na pau as kend se pamë, pos do fotografive t’gëdhenduna n’gurë vorrësh.

Si asht e mundun t’jemi futë n’shtatë bajraqët e Pukës?! N’mbretninë e Mirditës ç’dreqi na pruni, që m’del natën Gjon Marka Gjoni?!

E kërkova me sy time shoqe, me i thanë pse erdhëm? Qyshë erdhem? Çka deshtëm grykës Fanit, kur na e kemi Grykën e Rugovës!?

Kur që, ajo e kishte veshë xhubletën e vu shaminë e zezë!

Dy thasë i kishte mbushë qymyr e po mundohej me i vu n’samarë t’kalit.

Eu i thashë vetës, kqyre malësorën e bukur t’Migjenit! Po u bajka gati me ra n’Shkodër me shitë qymyr!

U mundova me folë. Dojsha me i thanë, a muj me ba nji fotografi me ty, që t’i tregoj Leartit kur t’kthehna n’Prishtinë. Veç ta sheh djali im se sa t’bukura janë malësoret e zhigueme me qymyr!

Jo, mos iu afro thashë, se kujton mos po lypi diçka tjetër, si ata zotnitë e Shkodrës kur ia blejnë qymyrin! Veç lute a ban kuferin me libra me vu n’ulluk ndërmjet thasve e bashkë m’u zhdjergë të Kafja e Madhe n’Shkodër. Unë me i ra sharkisë e t’i me knua pukjançe! Ndoshta na shitet ma kollaj malli!

Unë i habitun mbas malësores e kisha pasë harrua Kapedanin n’kalin zekan, pullali, me kobure n’brez.

N’veti m’ktheu roja i tij kur m’i ra krevetit me kundak pushke.

Sa i marr je artist, bërtiti Gjoni. Shkruen për hijet tona e komandantët t’i kanë marrë n’burg ata që i ndihmuen n’luftë!

Prit Gjon Marka Gjon, se natën nuk i shkohet malsorit të dera si ujk, se kërset pushka, dhe brofa n’kambë!

Nji rrapëllimë u ndëgjua koridorit!

Andërr e bukur! Ti ankth i marrë i frikshëm, pse ike, pse ma more andrrën kur m’duhej mendimi i Kapedanit?! Gjon Marka Gjoni do t’me tregonte për fundin e komandantëve, se ai asht djegë e pjekë me tradhëtinë e t’huejit e t’vllaut. Ai diçka deshti me m’thanë se tanë at rrugë kot s’e bani n’zekanin pullali! A thua i shkoi n’vesh edhe atij kërcnimi i Vuçiçit?!

A mos erdh me m’thanë se ata do t’vinë deri të Ibri po rrini gati!

U ktheva n’krahun tjetër mbasi e fshina ballin e djersitun e si fletët e librit e shfletova kujtesën e nji sisemi t’vjetër, t’kohës që s’përseriet, t’gjeneratave që nuk ngjallën ma!

Iku Gjon Marka Gjoni pa m’folë e n’harresë gjeta artistë, poetë, shkrimtarë, sportistë, piktorë, kompozitorë, shkenctarë e ç’nuk gjeta ndër ata të ndritun që kombin ma banë t’vezulloi n’der gjashtë republikat Jugosllave!

I putha emnat e tyne e kujtesës time t’plakun i fola: E sheh kush ishim e ç’emën patëm! Ani pse shtypëshim e dergjëshim, ne si krojet rrjedhshim damarve t’atdheut e derdhëshim n’ lugjet e Prishtinës.

Pastaj shpërndaheshim si rrajët tokave t’hueja e krijojshim vepra e nami i rritej kombit, ani pse kurrë s’na thirrën ndryshe pos “shipca”!

S’di Bekimin a guxuen ta thërrisnin kështu kur dilte n’skenën e Beogradit!

I vriste emni shqiptar e dia jonë e hollë!

Por ne nuk ndaleshim, e ndërtojshim t’ardhmën pa ndihmen e kurkujt tue i vra edhe andrrat tona! Ne ditem e mujtem e bamë edhe pse ishim t’rrudhun e t’robnuem e prore n’dhambin e ujkut.

Ajo die ishte etja për vepra t’mira, si ajo e shqiptarit inxhinjerit t’ri nga Martinajt qe e projektoi Hotel Sheherzadën n’Pazarin e Ri, objektin ma t’mirë t’kohës se tij? Imer Balidemaj ishte, malësori i shkolluem n’Mitrovicë, inxhinjeri që joshi gjermanët me ardhë me pa e afër Zagrebit me mbetë nji familje e tyne pa vajzën e re, viktimë e rrugëve t’këqia e gazetat me ba lajm!

Dikush vinte nga Plava si Esati me do Sharraxhijë t’atdheut, tjeri si Dërvish Rozhaja, dritë Universiteti e dikush nga Dibra si Dr. Kaleshi e rraja trashëj n’dhe e trungu rritej tue lëshua degë.

Sot ku jemi që s’vjerremi n’degët tona n’tokën e lirë? Pse bahemi lisa pa rrajë e plisa pa koka?!

Pse kaq t’etshëm për t’qenë vetëm i pari pa mustakun e Gjon Marka Gjonit e mendjen e Anton Çetës!? Pse tash s’po dimë si ata që s’patën n’xhepa por lanë vepra. Pse kaq smirëzi n’Kosovën e lirë e pse kaq t’vorfnuem n’shekullin e ri?!

Nëse krypa u sos, gjollat mbetën lëndinave. Këthjelluni sa s’asht vonë mu la n’ujin e krojeve se dikur shterrën!

Duejeni atdheun për me dashtë vetën!

Rugovë (Drelaj) 13.11.2020 /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat