Historia e një ish të burgosuri politik nga Bujanoci

Kultura

Historia e një ish të burgosuri politik nga Bujanoci

Nga: Sevdail Hyseni Më: 15 nëntor 2020 Në ora: 09:23
Kopertina e librit “Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani;

Në marsin e këtij viti, pikërisht, në periudhën e rëndë të pandemisë, doli nga shtypi libri me titull simbolik “Rrugëtim në jetë”, i autorit me origjinë nga Verbani i Bujanocit, Lugina e Preshevës, Abdurrahman Limani, ish i burgosur politik dhe veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare në ish Jugosllavi.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme pandemike, në Bujanoc dhe më gjerë në rajon, përgatitjet organizative për promovimin e librit, u shtynë për një kohë më të përshtatshme, kështu që libri nuk arriti të depërtojë në duart e lexuesve, përveç aty-këtu, ndër miq e shokë të autorit dhe një paraqitje në formë interviste në programin e mëngjesit të Radio Televizionit të Kosovës. Mirëpo, autori i librit Avdushi, siç e quajmë shkurtimisht, e mban shpresa se, këtë verë, kur të kthehet për pushime në vendlindje nga Londra, të bëjë promovimin e librit jetëshkrimor për të mos kaluar pa vlerësime nga lexuesit dhe kritika letrare.

Libri “Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani, ish i burgosur politik, është një vepër jetëshkrimore, e cila fillon, që nga faqet e para me Verbanin, historikun e lavdishëm të vendlindjes së tij, të njohur për odat e mikpritjes, bujarisë dhe patriotizmit, nga të cilat autori u frymëzua dhe u edukua në rrugëtimin e tij jetësor, pastaj vazhdon me veprimtaritë jetësore të autorit gjatë viteve të 80-ta, si student në Mitrovicë, jeta në ilegalitet, lëvizjet politike, vuajtjet në ushtrinë ish Jugosllave, për të vazhduar nëpër kazamatet e burgjeve të atëhershme serbosllave, e zhvillime e përjetime të tjera prapa grilave të burgut, të cilat nuk ishin edhe aq të lehta dhe të cilat nuk kaluan pa pasoja për autorin e këtij libri.

Brenda kopertinave të librit, si një kapitull i veçantë përfshihet diskriminimi i shqiptarëve në përgjithësi në ish Jugosllavi, pastaj periudha e viteve të 80-ta, kur autori ishte ushtar në Suboticë, në kohën kur filluan distancimet rreth demonstratave të studentëve në pranverën e vitit 1981, të cilat, ai, nuk i gjykoi për çka edhe u burgos, pas një procesi hetimor ushtarak.

Arrestimi i autorit, ndodh në shtatorin e vitit 1981, sa ishte ushtar në Suboticë, pastaj transferohet në burgun e Mitrovicës dhe të Vranjës, ku e dënuan me 5 vjet burg së bashku me shokët e tij: Halil Selimi, 8 vjet burg, pastaj vëllezërit: Ymer Hasani, 7 dhe Bejadin Hasani me 5 vjet burg. Nëpër dyert e këtyre burgjeve autori i librit pati rastin të njihet edhe me heronjtë e popullit Afrim Zhitia dhe Fadil Vata, pastaj Nysret Mirtaj, Sami Kurteshi etj, e me shumë të burgosur të tjerë politikë nga rrethe të ndryshme të Kosovës dhe krahut të saj lindor: Luginës së Preshevës.

Një kaptinë më vete në librin “Rrugëtim në jetë”, të autorit Abdurrahman Linani, përbën lirimi i tij nga burgu, një histori e dhimbshme dhe aq krenare, duke u përshkruar me një ndjenjë gëzimi dhe pikëllimi, për lirimin që e prisnin familjarët jashtë burgu dhe dhembjen e tij shpirtërore për shokët e idealit, që mbeteshin për ta vazhduar burimin më me shumë vjet. Ishin ato momente të prekshme, kur familjarët prisnin jashtë, kurse autoritetet e burgut nuk e lironin autorin, sepse kishte qëlluar ditë vikendi, dhe nuk punonte administrata. Gëzimi dhe hidhërimi bëheshin bashkë, duke krijuar një atmosferë të një torture çnjerëzorë, për të dy palët: ai që ishte i ngujuar prapa grilave dhe atyre, që prisnin jashtë për ta përqafuar njeriun e tyre të burgosur politik.

Në këtë ditar jete, si të themi, të autorit të rrugëtimit njerëzor, bënë pjesë edhe e fejuara e autorit, tani bashkëshortja e tij Burbuqja, e cila priti shtatë vjet për të lidh kurorë me burrin e tanishëm, me gjithë përjetimet e saj sa të dhembshme, po aq edhe krenare se kishte një të dashur të dënuar për kauzë kombëtare e jo për vepra kriminale.

Libri i Abdurrahman Limanit, “Rrugëtim në jetë”, është një vepër autobiografike e pasur me një ditar jetësor, jo vetëm nga jeta ushtarake dhe e burgjeve, por edhe me një kronologji janë të lidhura në mënyrë zingjirore kapitujt e tjerë kushtuar vendlindjes, periudhës së sundimit të ferrit të kuq komunist titist, diskriminimit të shqiptarëve në ish Jugosllavi, demonstratat popullore të 81-ishit, bisedat e ashtuquajtura informative, paraburgimet, burgjet, emocionet pas lirimit nga burgu, dasma e shumëpritur, vazhdimi i lëvizjes për pajtimin e shqiptarëve, kyçja në jetën politike në Bujanoc e Preshevë, daljet në skenë të UÇK-së dhe UÇPMB-së dhe kapituj jo më pak të rëndësishëm për lexuesit e këtij libri.

“Rrugëtim në jetë”, mund të themi lirisht, është një kronikë historike dhe autori i saj Abdurrahman Limani, është një protagonist i gjallë, që ka marrë pjesë aktive nëpër këto procese e rrethana kohore, duke i përjetuar shpirtërisht e fizikisht, të cilat i prezanton me kujdes dhe me përkushtim në formë jetëshkrimi në këtë libër.

Libri jetëshkrimor “Rrugëtim në jetë”, i autorit Abdurrahman Limani, ish i burgosur politik, brenda kopertinave të tij përfshinë 261 faqe, të shoqëruara me një parathënie të redaktorit dr. Ferid Selimi dhe më një album të pasur fotografish, pjesë të kujtimeve të autorit nga e kaluara e deri në ditët e botimit të librit.

Autorin e përgëzoj për botimin e librit me titull kuptimplotë “Rrugëtim në jetë”, me urimet e përzemërta për suksese të mëtejme në fushat e preferuara të veprimtarisë së tij krijuese dhe lexuesve fat, që do të kenë në dorë një libër jetëshkrimor si ky.

Image
Autori i librit Abdurrahmani me bashkëshorten Burbuqe Limani.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat