Universi letrar i Alberto Moravias dhe receptimi nga lexuesit shqiptar

Kultura

Universi letrar i Alberto Moravias dhe receptimi nga lexuesit shqiptar

Nga: Gezim Rredhi Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 13:32
Gezim Rredhi

Tridhjetë vjet më parë, viti i vdekjes së shkrimtarit të shquar italian Alberto Moravia do të përkonte me rënien e “perdes së hekurt” në Shqipëri dhe fillimin e komunikiumit më të gjerë të veprës së tij me lexuesin e kulturën shqiptare, të ndërprerë dhunshëm nga rrjedhat e letërsisë moderne europiane. Pas një jete të begatë e cila është e mishëruar në korpusin e gjerë e të larmishëm të veprës së tij, përmes komplekseve filozofike të indiferencës, mërzisë, shpresës e angazhimit, Moravia zë vendin e vet në kulturën europiane si një dëshmitar i madh i epokës moderne.

Image

Ta përmbledhësh në pak rreshta universin letrar moravian, ku përfshihen më tepër se një gjysëm shekulli e një krijimtarie komplekse e dinamike, nuk është e lehtë: Alberto Moravia (1907-1990, pseudonimi letrar i Alberto Pincherle), është një zë origjinal i kulturës italiane, i njohur e i vlerësuar në botën letrare europiane të shekullit XX. Shkrimtar me një veprimtari intensive, të pakrahasueshme me asnjë tjetër nga fëmijëria gjer në ditën e fundit, Moravia mbetet një shembull i rrallë i triumfit mbi peripecitë e jetës. Identiteti hebraik i trashëguar nga njeri prej prindërve do t’i sjellë andralla të shumta në vitet e luftës. Megjithatë pseudonimi Moravia, i përdorur që në botimin e parë tek Indiferentët, nuk dëshmon për ndonjë përpjekje të shkrimtarit për ta fshehur prejardhjen e tij. Fati do t’i ofrojë atijë disa sprova të rënda në dekadat e para të jetës. Sëmundja e tuberkulozit, që i shfaqet në moshën 9-vjeçare e që do të zgjatë për disa vjet, përbën një nga përvojat më të mëdha dhe do të verë në provë vullnetin e jashtëzakonshëm me të cilin do të përballojë studimet në shtëpi. I detyruar që fëmijë të bëjë një jetë "ndryshe", i gozhduar në shtrat prej formës së rëndë tuberkulare, i dënuar t'i përjetojë gëzimet dhe kënaqësitë fëmijërore vetëm përmes fantazisë, të një fantazie që s'njeh kufij, ai rizbulon përmes ëndrrave e "krijimeve" fantastike fëmijnore atë pjesë të ekzistencës që rrjedh nga jashtë e që do t'i krijojë përfytyrimin e botës reale. Mjedisi familjar në të cilin rritet, i mbyllur mes rutinës së zakoneve të borgjezisë së kamur romane, shpesh kundërshtohet prej fantazisë së shfrenuar fëmijnore të Albertos. Gjithçka rrjedh në jetën e shkrimtarit të ardhshëm roman në një drejtim të dyfishtë, mes mundësive reale të botës borgjeze, në të cilën është lindur, nga njëra anë, dhe në atë të një bote tjetër, më të vërtetë, por më të ashpër e të pambrojtur, të një Rome të periferive, me mjerimin e saj e shtrëngimet ekzistenciale që do të ndikojnë në aspektin psikologjik të Moravias dhe në temat që do të trajtojë në të ardhmen.

Universi letrar moravian është mjaf i gjerë. Përmes veprimtarisë së tij të larmishme krijuese: prozator, studjues, eseist, kineast, publicist e polemist ai ka krijuar portretin e një Italie moderne dhe një galeri të pasur personazhesh e situatash në harkun e rreth gjashtë dekadave të shekullit XX. Proza e tij ka kaluar në filtrin e një interpretimi origjinal kompleksitetin e pothuajse të gjitha ngjarjeve që kanë përshkruar shoqërinë italiane e atë europiane; fashizmin, luftën, okupacionin, rezistencën, çlirimin, rilindjen ekonomike, konsumizmin, kontestacionin, terrorizmin etj. Receptimi i veprës së këtij autori për publikun tonë është në një proces ngritjeje të vazhdueshme nga ato të tregimeve origjinale, përkthyer në gazeta, revista e periodikë, e gjer tek disa nga kryeveprat letrare: si Indiferentët, Çoçarja, Gruaja leopard, 1934 (Të jetosh i dëshpëruar), Mosbindja, Tregime romane, Konformisti, Përçmimi, Mërzia, Burri që kqyr, Agostino etj, që vit pas viti i janë afruar lexuesit tonë në gjuhën amtare.

Image
Image

Moravia është një shkrimtar me vokacion origjinal me ndikim në jetën kulturore dhe artistike të shekullit XX. Fama e tij është e madhe brenda e jashtë Italisë; i përkthyer në rreth 40 gjuhë, me 17 romane të botuar, shumë vëllime me ese, studime, kritika, shënime udhëtimesh, vëllime me tregime, e me pjesë teatrale, skenare filmash, etj, por mbi të gjitha larmia e gjerë tematike. Natyrisht në Shqipëri nuk ishin të shumtë ata që e njihnin veprën e këtij prozatori të madh deri në fillim të viteve 90, kur në ndonjë revistë letrare të kohës do të botohej veçse ndonjë shkrim i tipit homazh, që njoftonte vdekjen e tij, shoqëruar edhe me ndonjë tregim të shkurtër. Ishte kryesisht njohje që përfshinte qarqe të ngushta intelektuale. Por viti i vdekjes së shkrimtarit do të shënonte fillimin e komunikiumit të tij më të plotë me lexuesin e kulturën shqiptare. Ndoshta më tepër se sa përmes ndonjë vepre letrare (të periudhës neorealiste si Çoçarja), publiku shqiptar kishte mundur të shijonte esencën e artit të këtij “dëshmitari të madh të kohës së vet” nëpërmjet shkëlqimit të kinematografisë së ndritur të neorealizmit. Kinemaja e madhe italiane është e lidhur fort e s’mund të kuptohet pa emrin e shkrimtarit roman, përkrah regjisorëve të famshëm që u bënë aq të dashur e të paharruar edhe për shikuesin shqiptar: Romania (L.Zampa), Mërzia (D.Damiani), Çoçarja (V. De Sica), Tregime romane (G.Franciolini), Konformisti (B.Bertolucci), Indiferentët (F. Maselli) etj. Natyrisht, kjo mundësi përmes kinemasë jo vetëm e ruajti kureshtjen e lexuesit, por edhe e kishte zgjuar më tej interesin për të zbuluar labirintin e universit artistik moravian.

Image
Image

Këndvështrimi origjinal dhe trajtimi me finesë të veçantë i temave të vështira e të konsideruara tabu, kanë bërë që të flitet shpesh nga kritika për “fenomenin Moravia,” gjithnjë e më shpesh në këto dekadat e fundit edhe në botën kulturore shqiptare. Një vëzhgues i palodhur e i mprehtë i realitetit bashkëkohor, këmbëngulës në temat dhe thelbin filozofik të tyre, Moravia shpesh është “akuzuar” për “monotoni” dhe përsëritje temash e motivesh nga kritika. Në përgjigje të kësaj “akuze”, ai jo pa ironi është është shprehur: “Mund të thuhet që unë jam një shkrimtar monoton: përsëris në fakt të njëjtat tema, si zogjtë përsërisin këngën e tyre, por nga viti në vit duke ndryshuar gjithnjë mënyrën e të kënduarit”.

Moravia i ri me antikonformizmin e “paorientuar” e “të pavetëdijshëm” tronditi botën letrare italiane, duke hyrë gati si një meteor me botimin e romanit Indiferentët (1929), ende pa mbushur 22 vjeç. Në këtë epope dramatike të “indiferencës”, ai shpalos disfatën morale në një familje romane, duke u bërë një radiografi të pamëshirshme atyre shtresave të shoqërisë së lartë italiane, të cilat në kushtet e ngritjes së fashizmit e të retorikës musoliniane, mundoheshin të maskonin me indiferentizëm e hipokrizi krizën e thellë dhe zvetënimin moral që i gërryen nga brenda. Kjo gjë shpjegon edhe qëndrimet e dyfishta pas botimit të romanit, nga njera anë interes të jashtëzakonshëm dhe vlerësim për origjinalitetin e zbulimit të krizës, por nga ana tjetër, edhe një heshtje armiqësore e kulturës fashiste. Ishte si një “rrufe në qiell të pastër” paraqitja e tablosë lakuriqe të shoqërisë së lartë, që me retorikën e saj hipokrite përpëlitej përballë sfidave të historisë. Është koha kur në jetën letrare e kulturore të Italisë mbizotëronin arabeskat dhe fragmentet lirike. Kjo vepër e përkthyer, tashmë ka hyrë në fondin edhe të kulturës shqiptare megjithëse me vonesë ajo ka nisur rrugën e komunikimit me lexuesin shqiptar.

Një nga fushat ku autori e ka shtrirë kërkimin e vet është ai i nënvetëdijes dhe komplekseve frojdiste. Me romanin e shkurtër Agostino (1944, i botuar së fundi në shqip nga shtëpia botuese Dituria, përkthyer nga Diana Kastrati), Moravia fillon kërkimet e veta psikanalitike, duke dhënë përmes këtij “romani të formimit” një analizë të pazakonshme e të hidhur të dramës së një 13 vjeçari në kapërcim të pragut të moshës. Në të përshkruhet portreti delikat i një adoleshenti në formim e sipër, të turbulluar nga zbulimi i seksit dhe i mistereve të botës së të rriturve që përjetohet në mënyrë traumatike nëpërmjet perceptimit të gruas në figurën e nënës. Tema e humbjes së pafajësisë dhe e kapërcimit të moshës nëpërmjet kërkimit të një “parajse” iluzore, është një temë e trajtuar gjerësisht edhe në krijime të tjera të Moravias, i cili në këtë periudhë gjendet nën ndikimin e psikanalizës dhe frojdizmit. Seksi dhe problemet e seksualitetit jo vetëm shihen nga Moravia si pjesë e rëndësishme e personalitetit njerëzor, por edhe bëhet filtri për ta shoshitur, shqyrtuar e analizuar raportin mes individit dhe shoqërisë. “Magjinë e hidhur” të jetës, këtë dramë “të moshës në tranzicion” dhe formimin e protagonistit, Moravia me mjeshtri të veçantë do ta shfaqë edhe në romanin “Disubbidienza” (Mosbindja), përkthyer në 1996. Romani paraqet rebelimin simbolik të natyrës e të jetës dhe përmbush, si të thuash, besnikërisht konceptin frojdist “të ndrydhjes” dhe të instiktit të vdekjes. Autori paraqet atë “fitim të vështirë” të jetës, atë ëndërrim të pafajshëm për t’u integruar në botën e të rriturve, ndërkohë që ftohtësia brutale e saj, ligësia, dhuna do t’i bëjë të përfundojnë të lënduar e të përhumbur në udhëkryqet e jetës

Një vend të veçantë si tek rrallë ndonjë autor tjetër, në prozën e Moravias merr problemi i feminizmit. Figurat femërore dhe problemet ekzistenciale e sociale që lidhen me to janë të pranishme thuajse në çdo vepër të tij. Vlen të përmendet sidomos vepra La romana (Romania), të cilën publiku ynë e njeh që herët përmes filmit me të njejtin titull realizuar nga regjisori Luigi Zampa në interpretimin e aktores Gilda Lollobrigilda. Vepra përfshihet sipas përcaktimit të kritikës në të ashtuquajturën “trilogji e bindjes”, së bashku me Agostinon dhe Mosbindjen. Moravia, brenda thelbit të vet filozofik e duke ruajtur gjithnjë natyrën e prozës së tij, zotëron mrekullisht aftësinë për të paraqitur aspiratën njerëzore, bashkë me larminë e problematikave ekzistenciale e shtysat që i afron njeriut epoka dhe ngjarjet e mëdha. Në paraqitjen e natyrës femërore të protagonistes, Adrianës, vajzës së bukur romane, botës shpirtërore, kompleksitetit të ndjenjave dhe psikologjisë së saj, autori e vë theksin në faktin që normaliteti i jetës bazohet në konceptin ekzistencialist të të jetuarit drejtpërdrejt, pa kërkuar arsyet e tij. Natyraliteti përbënë thelbin e kësaj figure të jashtëzakonshme femërore, thellësisht të gjallë e moderne, e cila pas shumë dilemash e vuajtjesh psikologjike, ia del të gjejë, qoftë edhe një pajtim të nënështruar me veten dhe botën.

Pas luftës Moravia shfrytëzon klimën e neorealizmit, si të thuash, për të zbritur në tokë, më afër njerëzve, për t’u ushqyer me energjinë dhe lëndën e re që afronte momenti historik duke iu shmangur rrezikut të rënies, siç ndodh në shumë raste të letërsisë italiane të kësaj periudhe, në “një patriotizëm të kulluar” apo në një letërsi të tipit thjesht dokumentar. Edhe në këtë klimë të re letrare shkrimtari gjithnjë e mban gjallë një fill të fshehtë të kërkimit të vet letrar që e lejon të zbres deri në thellësi të shpirtit të njerzëve, për të gërmuar të gjejë aty jo vetëm llumin e veseve, por edhe disa perla të vërteta të ndjenjave dhe pasioneve njerëzore. Proza moraviane e ciklit të rrëfimeve romane dhe dhjetra episodeve që përbën problematikën ekzistenciale të njerëzve të thjeshtë të popullit shtjellohet idea se megjithë mirazhet që sjell shoqëria e konsumit dhe progresi, ato nuk mund ta zvogëlojnë, e aq më pak ta zgjidhin dramën e njeriut të thjeshtë. Për Moravian nëse ka një mit ky është njeriu me të gjithë komlpleksitetin e qenies së tij natyrore e sociale. Në prozën e kësaj periudhe shpaloset tabloja e aktit të madh të komedisë njerëzore të epokës, që është mishëruar sidomos në ciklin Racconti romani (Rrëfime romane), Nuovi racconti romani si dhe romanin Çoçarja, ku krahas trajtimit me një realizëm të shpenguar të dramës së njeriut të thjeshtë, kemi edhe një himn të vërtetë për Rezistencën. Drama e heroinës, Cezirës, kësaj “skllave të nevojës” dhe e të bijës, Rozetës, është shumë komplekse dhe tokësore. Figura e saj është e dashur dhe e prekshme për lexuesin shqiptar; emra vendesh, imazhe shqiptare zbulohen në rrëfimin e protagonistes. Edhe pse ngjarjet ndodhin në Çoçari e në malësitë e Fondit, ajo ndihet aq e afërt dhe e prekshme edhe për lexuesin shqiptar, jo vetëm për faktin se në rrëfimin e Çezirës përmenden kalimthi edhe mizoritë e horrave fashistë nëpër fshatrat shqiptare, por edhe për universalitetin e saj si figurë popullore.

Image
Image

Në romanin Konformisti (1951), të sjellë në shqip vitet e fundit, lexuesi ynë do të gjejë pika të rëndësishme referimi në lidhje me fatin e intelektualit dhe konformizmin që i afrohet atij si një mjet komunikimi me shoqërinë. Moravia përmes këtij romani shpalos dramën e aventurës së një njeriu të epokës së regjimit fashist, që është i detyruar t’i shpaguajë me mëkate kompromiset dhe konformizmin e vet. Përpjekja e intelektualit për të dalë nga kriza, që për të arritur “normalitetin” e për të realizuar vetveten nuk heziton të pranojë doktrinën fashiste, e madje edhe të bëhet vrasës, është mishërim i një mentaliteti, që në konformizmin politik e ideologjik gjen arsyen e të jetuarit. E gjithë “kështjella” e pastërtisë, pafajësisë dhe e konformizmit të protagonistit, Marcelos, rrëzohen në mënyrë shkatërrimtare, si një kështjellë në rërë. Në këtë vepër aktuale, ajo që e dallon Moravian nga autorët e tjerë që zgjedhin si opsion neorealizmin, është ruajtja e autenticitetit të stilit dhe prirja e thellimit në zbulimin e krizës së ndërgjegjes.

Me mbarimin e neorealizmit dhe periudhës romane të krijimtarisë, fillimi i viteve 60-t, përkon me boom-in ekonomik, periudhën e iluzioneve e vitalitetit, kur sfondin e konformizmit moral e shpirtëror të Italisë dhe Europës, F. Felini do ta paraqes përmes pamjeve të pamëshirshme e të çmitizuara nëë filmit La dolce vita. Në këtë klimë kulturore, mes këtij lëmshi moral e psikologjik, vjen romani La noia (Mërzia, 1960) i cili shënon një pikë tjetër kulmore për autorin. Në këtë roman, i cili gjithashtu, së bashku me Konformistin, së fundi ndodhet në dorën e lexuesit shqiptar, autori duke ndjekur disa formulime, të romanit ekzistecialist francez, të çvendosur në temën e tjetërsimit, ka mundur të gjejë një terren të ri e pjellor të kërkimit të vet; sensin e kotësisë e dështimit, të humbjes së shpresës ekzistenciale. Mërzia e intelektualit-artist, Dinos, protagonistit të romanit, nuk është një gjendje shpirtërore kalimtare, por është para së gjithash, paaftësi për t'u përballuar me realitetin, është mungesë komunikimi, raport i tjetërsuar me sendet. Kjo përbën edhe dramën më komplekse të njeriut bashkëkohor. Moravia fiton kështu pas viteve 60-t rolin e liderit të botës letrare romane dhe gjithnjë e më tepër priret drejt një letërsie që fillon të theksojë absurditetin e jetës njerëzore dhe pamundësinë për ta ndryshuar atë.

Sidoqoftë, ajo që përbën thelbin e Moravias si njeri e si shkrimtar mbetet gjithnjë shqetësimi për fatin e njeriut në epokën moderne. E ndesh kudo këtë shqetësim: “njeriu si qëllim”. Nuk ka shkrime, shënime udhëtimesh, ese apo artikuj publicistikë ku të mungojë ky angazhim i vazhdueshëm intelektual. Gjatë një udhëtimi që bën në Japoni më 1982 ndalet në Hiroshima, ku, i ndodhur përpara monumentit të ngritur në përkujtim të tragjedisë atomike, mes të tjerash shkruan:“Pikërisht në këtë çast, monumenti i ngritur në kujtim të ditës më ogurzezë të të gjithë historisë së njerëzimit veproi brenda meje. Për një çast kuptova, që monumenti kërkonte prej meje të pranoja se isha jo më një qytetar i një kombi të caktuar, anëtar i një kulture të caktuar, përkundrazi në një farë mënyre zoologjikisht por edhe në besimin fetar, anëtar siç thashë i llojit”

Image

Krijimet e fundit, duke përfshirë edhe ato të mbetura dorëshkrime e të botuara pas vdekjes La donna leopardo (Gruaja Leopard), etj), paraqesin po atë vullnet e pasion të shkrimtarit në skalitjen e pamjeve të ndryshme të turbullimit ekzistencial e të mistereve të pafundme të ekzistencës njerëzore si edhe gjendjen e kërkimit të lirisë së skajshme të individit në shoqërinë moderne. Në këtë drejtim një vend të veçantë zë edhe romani 1934, botuar në fillim të viteve 80-t, roman i cili është përkthyer edhe në Shqipëri, me titullin Të jetosh i dëshpëruar. Sfondi i ngjarjeve është viti fatal 1934, ku përparimi irracional i nazizmit, egocentrizmi brutal dhe shfaqjet makabre të tij, bëjnë që figura e intelektualit dhe personaliteti njerëzor të ndihen të humbur e në një ankth të vazhdueshëm. Pikërisht në një atmosferë të tillë vendosen rrënjët filozofike të indiferencës moraviane dhe trajtohet motivi i tagjedisë mes dashurisë dhe vdekjes, e konceptuar nga autori si një mekanizëm që vë në lëvizje jetën në vlerat absolute të saj. Moravia vë përsëri përballë intelektualin me realitetin, duke sugjeruar një zgjidhje të dilemës ekzistenciale për ta pranuar dëshpërimin si një gjendje të caktuar të qenies njerëzore. Fokusi i shikimit dhe kërkimit artistik të tij është brenda vizioniet estetik të gjithë letërsisë europiane të krizës duke filluar me Kafkën, Sartrin, Kamynë, Muzil, Joneskon, etj, që i japin shkrimtarit rolin e një eksploruesi e diagnostifikuesi të krizës së njeriut modern. Ankthi dhe dëshpërimi kthehet në një “kusht normal të jetës së njeriut...po aq normal sa edhe ajri që thithim”. Por ekzistencializmi moravian nuk shkon deri në një dëshpërim të pashpresë. “ nuk bën kurrë “gabime” që të kundërshtojë ekzistencën: është shumë i angazhuar në kërkim të autenticitetit të së pamundshmes e të së pakapshmes… Moravia nuk beson në fundin e botës. Ai me të drejtë, në aftësinë e tij për të kthyer gjithçka në tregim, është krahasuar shpesh me Sheherezaden e bukur të Një mijë e një netëve, e cila për të sfiduar bashkëshortin e saj të tmerrshëm, fantazon çdo ditë një histori magjepsse (Walter Pedulla’).

Sipas vlerësimeve të bëra nga kritika, Moravia ka meritën të sjellë me një finesë të veçantë e në mënyrë spontane shijen e vërtetë të diskutimit për veset, dobësitë dhe misteret e jetës njerëzore. Universi i tij letrar, shpalos pothuajse të gjitha aspektet e jetës njerëzore, pa injoruar asgjë. Aty gjejmë jo vetëm artistin që “glorifikon” krizën, dhe “ndriçon” indiferencën mërzinë, konformizmin, përbuzjen, dëshpërimin, por edhe që di të dallojë shpresën dhe solidaritetin njerëzor. Aftësia e veçantë e trajtimit të temave si dhe mënyra origjinale e shprehjes artistike e kanë bërë Moravian, prej kohësh pjesë të rëndësishme të kulturës moderne të shekullit XX. Përkthimi i disa prej veprave kryesore të këtij autori, gjithnjë e më tepër, përjetohen si ngjarje për kulturën tonë, duke bërë që vepra e Moravias, e këtij prozatori italian me kaq bashkëpërkime kulturore-artistike dhe ura të ndërsjellta komunikimi me kulturën tonë të vijnë gjithnjë në rritje dhe perceptimi i prozës së tij, gjithnjë e më i natyrshëm për lexuesin shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat