Gjurmët në kohë të një specialisti dhe drejtuesi të përkushtuar

Kultura

Gjurmët në kohë të një specialisti dhe drejtuesi të përkushtuar

Nga: Gëzim Loka Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 20:10
Rifat Hoti

Hoti i kthehet herë pas here të kaluarës dhe ndjek ritmin e zemrës, që i vrullon bashkë me gjakun në kërkim të kohëve të ikura me ngut, por me gjurmët e mbetura në kujtesën e njerëzve.

Çdo ditë që kalon është një shans më shumë, një bekim më shumë për çdo lurian, që me punë e djersë, më qëndresë e përkushtim për të mirën dhe të drejtën, ka vënë në lëvizje zembrekun e orës luriane dhe të gjithë shqiptarisë. Gjithkush ka shijet e tij, ëndrrat dhe psionet e tij, por emëruesi i përbashkët i të gjithë atyre që janë cikël portretesh është përkushtimi dhe solidariteti lurian, që buron nga afeksioni shpirtëror dhe modelimet psikike e shpirtërore, që i afrojnë këto njerëz me vlera në qendrën e gravitetit emocional të Lurës sonë…

Një tjetër personazh është në fokus të vëmendjes sonë shkrimore, për të përcjellë një tjetër profil mbresëlënës. Një tjetër shpalim i shpirtit të bukur njerëzorë në kërkim të modeleve që e nxisin dhe inkurajojnë në rrugën pa kthim të vendlindjes sonë të rrënjëve të ngulura fort në kararet e dheut lurian.

Në rrugëtimin e deritanishëm të jetës Rifat Hoti vështron gjurmët e tij dhe të shokëve të lëna në kohë dhe ndihet mirë, siç ndihet njeriu i ndershëm dhe i përkushtuar kur verifikon të kaluarën, mbështet fort tek e sotmja dhe ëndërron një të ardhme më të mirë. Krye Zooteknik lurian, me mallin e dallgëzuar për vendlindjen e tij, ku ka lënë një pjesë të zemrës së tij fisnike, iu kthehet kohëve të ikura me ngut nëpër mugëtirën e viteve dhe ndien mrekullmin e gjithçkaje deri nën lëkurë për çfarë bëri në kohën dhe vendin e duhur, në mënyrën më të mirë të mundshme.

I kujtohen shokët dhe shoqet e shkollës tetëvjeçare, kur së bashku në bangat e shkollës “Nikoll Kaçorri” projektuan ëndrrat fëmijnore që u nisën vrulltas drejt shtegtimit.

Pasi mbaroi me rezultate të larta tetëvjeçaren, i doli e drejta e studimit në shkollën e mesme veterinare Shkodër, të cilën e vazhdoi gjatë viteve 1969-1974, vitin e parë me gjysëm burse, vitet e tjera, për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, fitoi të drejtën e bursës së plotë. Gjatë viteve 1974-1978 kreu studimet e larta në Fakultetin e Veterinarisë, në degën Zootekni, me rezultate të mira. Fill pas mbarimit të studimeve të larta u emërua k/zootekni në koperativën bujqësore Lurë ku punoi gjashtë vjet, deri në vitin 1984. Më pas emërohet zv/kryetar kooperative në Lurë ku qëndroi në këtë detyrë tre vjet, deri më 1987, për të vijuar më pas, deri në vitin 1992 si mësues specialist në Shkollën e Mesme të Bashkuar Lurë. Gjatë viteve 1992-1994 u caktua drejtor shkollë në Shkollën e Mesme të Bashkuar Lurë.

Në vitin 1994, vala e largimeve të popullsisë nga zonat e varfëra dhe periferike drejt metropoleve, për një jetë më të mirë, përfshiu dhe Rifatin, I cili u vendos familjarisht me banim në Kamëz, ku jeton edhe tani. Gjatë viteve 1994-2003 punoi në sektorin privat, me veprimtari private, për të vazhduar nga viti 2003-2007 si specialist në sektorin e legalizimeve dhe urbanizimit, bashkia Kamëz, ku ka dhënë një kontribut të çmuar në urbanizimim e zonës. Më tej ka punuar në Ministrinë e Financave, në Fondacionin “Besa” etj. Aktualisht është në pension.

Rifati është i martuar me zonjën Drita Sadik Cara (Hoti), me arsim të mesëm Pedagogjik, e cila ka punuar 42 vjet mësuese në Lurë dhe në Kamëz dhe kanë katër fëmijë: Uarda, Bledari, Enkeleda, Erdilandi, të cilët janë të gjithë me arsim të lartë në nivelin master shkencor. Uarda është Doktore e Shkencave Ekonomike, Profili Financë-Kontabilitet. Uarda e Bledari jetojnë në SHBA, Erdilandi jeton në Suedi (Stokholm), ka studiuar në Xhenova Itali për banka e siguracione dhe të gjithë kanë krijuar familjet e tyre.

gjithë kohës së ushtrimit të detyrave nga më të ndryshmet, ku për disa periudha ka qenë në poste drejtuese, Rifati ka shfaqur cilësitë më të mirë të një karakteri të qëndrushëm, profesionist i zoti, i dashur me kolegët, komunikues, korrekt në detyrë, i përkushtuar në punë, më shumë kërkues ndaj vetes se ndaj të tjerëve. Gjithnjë ka qenë dhe mbetet opozitar me eprorët, i huaj ndaj çdo lloj nepotizmi dhe klientelizmi të çdo lloj, misionar për të drejtën e gjithëkujt, pavarësisht nga pozita shoqërore, duke mbrojtur sidmos njerëzit e thjeshtë dhe pa shumë mundësi në jetë.

Hoti është një lurian i fjalës së mbajtur, i punëve të mira dhe përgjegjësive deri në përkushtim për punën dhe njerëzit, me një shpirt të lirë dhe zemër të pastër, që ka lidhje të forta me vendlindjen tonë të përbashkët, është i pranishëm në çdo ndenje luriane dhe e thotë fjalën e tij me argument e kompentencë për gjithçka që ka të bëjë me Lurën dhe lurianët.

Rifat Hoti e do me shpirt dhe zemër Lurën e tij, vendlndjen e dashur, ndaj gjithmonë gjendet i rrethuar me lurianë dhe jo lurianë që i çmon dhe e çmojnë, i do dhe e duan, duke vazhduar çdo ditë të falë tek të tjerët mirësi, fisnikëri, kulturë komunikimi njerëzor, shpirtatdhetari, dashuri e respket për vlerat e pasura të botës luriane, dibrane e më gjërë.

Ai e vlerëson të kaluarën, di ta çmojë çdo gjurmë të së saj, çdo çast të jetës së tij, pasi e di se njeriu pa të kaluar është dhe pa të ardhme dhe ai të ardhmen e tij, të Lurës së tij, e sheh me sytë e mendjes, të projektuar në punën dhe djersën e artë të lurianëve, punëtorë të zotë, të familjes e të shoqërisë, të tavolinës e të fjalës së mbajtur.

Në Lurë, në Tiranë, në Durrës, Lezhë, në çdo cep të atdheut ku ka lurianë, Rifat Hoti ka lënë shpirtin e tij të bukur, respektin dhe dashurinë për njerëzit, gadishmërinë për të qenë në krah të atyre me të cilët gjatë një jete të tërë kanë bërë punë të bukura për vetveten, për familjet e tyre, për të gjithë Lurën dhe lurianët, pa dallime partiake dhe dallime të tjera të hierarkisë shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat