Rreth librit më të ri të Hasan Selimit “Ditën n’diell e hanë”

Kultura

Rreth librit më të ri të Hasan Selimit “Ditën n’diell e hanë”

Nga: Lulzim Logu Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 20:43
Kopertina e librit

Sapo ka dalë nga shtypi ky libër, nuk e di se cili është në rradhën e botimeve të autorit, ai ka kohë që boton libra njeri pas tjetrit, muza e tij ka shpërthyer pas vitesh të gjata fshehtësie, ndrojtje dhe akumulimi shpirtëror, dilemash të shumta në vetvete, gjersa poezia e ka shpëtuar nga një ngarkesë e madhe, e cila dukej se do ta mbyste…

Të paktën këtë impresion e kam pasur gjithmonë, duke e soditur poetin, studjuesin, gjyqtarin dhe teologun, ndërsa shfaqte apo fshihte njërin apo tjetrin rol në bashkëjetesën e detyruar, në ditën e tij të punës përballë peshores së drejtësisë apo në kredhjen e lume të shpirtit të tij të pandalshëm të kujtimeve të fëminisë, ku dy elementë mbizotërojnë psikikën e tij aspak të pazakontë, nëna dhe babai, dy qënie që më së shumti i ka dashur, pasi ata janë larguar parakohe nga kjo jetë.

Nëna aq herët, një mesogrua e bukur, delikate, fisnike dhe ndonjëherë edhe burrnore, kur ja donte rasti për mbijetesën e familjes.Babai,më fjalëpakë, më i vrazhdë, i prerë në vendime, por kurajoz dhe përcaktues në fatin e familjes së vet.Të vendosur me tokë dhe kullë, në Kasaj, një vend dominant mes Kosovës dhe Shqipërisë, një vrap kali mes dy gjysmave të atdheut të ndara gjysmëshekulli padrejtësisht, ku natyra i tregon bujarisht të gjitha hiret e veta, në të gjitha stinët…

Duke dashur të garantojë karakter dhe personalitet, shpeshherë ka dominuar gjyqtari dhe toni i fortë dhe i prerë, më pas kur liria e besimit dhe e shprehjes hyri natyrshëm si frymë lehtësuese midis nesh, filloi të shfaqej njeriu i besimit që të afron ndjesi besimi dhe shprese mes marrëdhëniesh njerëzore, në biseda intime ku luhateshin fate të ndryshme individësh të vuajtur ose jo dhe së fundi poeti…

Shfaqet befasisht me vargun e çrregullt, por me forcë të çuditshme imagjinate dhe strukture interesante, me guxim krijues, ndonjëherë edhe tejkalues në përmasa, vargu ka sinqeritet dhe tematikë novatore dhe origjinale, që papritur shkakton habi të justifikuar tek lexuesit, por edhe kritikët jo të paktë të tij…

Shkruan poezi, poema të gjata, shfaqet dhe si prozator, i cili qëmton detaje të rralla, qasja ndaj studimeve të fushës së vet juridike, por edhe të besimeve dhe historisë së tyre në Shqipëri, i japin “kurorën” e dëshiruar të krijuesit të mirëpranuar dhe të merituar në botimet komplekse.Duke qënë aktiv dhe përfshirës në takime periodike dhe të gjithfarëllojshme me krijues, reflekton dhe stilin e veçantë të dialogut kulturor, që e afron së tepërmi në rrethet aktuale krijuese në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…

Dhe pasi prushi dhe flaka e parë krijuese janë shuar sadopak, besoj se ja ka mbrritur maturia e motiveve poetike, qëndrueshmëria tematike, kujdesi i shtuar ndaj strukturës së vargut dhe latimit të tij të domosdoshëm brenda unit të tij poetik, luhatet në lavjerrësin e tij krijues të gjejë pjesën e tij më të mirë dhe shpresoj se në këtë libër të ri shfaqet më së miri kjo tendencë.

I përcaktuar tashmë si “Zafjetun…” si “Krisht, gjithnjë në kërkim…” poetit i pelqen të kuptohet si krijuesi të cilit i dhemb aty ku i dhemb sot edhe botës në përgjithësi, por në momente të veçanta, atdheut të vet, gjendjes aktuale ku ndodhet ai:

…Fjala digjet, tund shpatë druni

Krahlodhun, hekuri mbart kob

Kombi im djegun, n’shpirt kallun

Prushin nxjerr nga xhepi

Djeg fjalën

Kërcej i trembun, zani hesht…

Libri ka 9 cikle, sa të ndarë, po aq të përafërt me njeri tjetrin, ku padyshim spikat ai me titull” Njomzim nga terri” dhe” Fjala zot” që ndoshta do të mjaftonin të vetme për një libër. Që nga dialogu i pandërprerë poetik dhe simbolik me prindërit dhe fëmininë, shumë përcaktuese në subkoishencën e poetit deri tek piskama e brendshme shpirtërore si himn dhe apel për fatin e ardhshëm të atdheut, rrugën e të cilit e kemi në dorë pafundësisht me sjelljet dhe veprimet tona të ditës:

Ju vdektarë harpçinj, të shtuem përtokë si gjethi

Shtypun nga kamba e lodhun e një rrugtari

Vdektar i gëzimeve të harrueme…

Ky libër i ri i autorit, i sapodalë nga botimi, me faqet ende të avullta, josh si buka që sapo del nga vatra e nxehtë, unë si ai i urituri që mezi pres ta vendosin mbi tavolinë dhe përpiqem të zhvesh një kore të nxehtë, të zbus sadopak nepsin tim të çastit, duke uruar zëmadh atë që e ka gatuar, me adhurim të sinqertë…

Kështu më josh edhe mua dhe ndoshta nxitohem e s’ja qëlloj plotësisht në mbresat e mia të para. Si ai i ngopuri me bukën qe e shijon përsëri kur ftohet dhe ankohet për kripën e tepërt apo fortësinë e kores së saj…

Hasan Selimi dëshmon pjekuri poetike, nerv ngacmues tek lexuesi dhe një botë shpirtërore që rrok të të marrë me vete në udhëtimin poetik, faqe për faqe. Nuk është pak besoj…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat