Zhgënjimi

Kultura

Zhgënjimi

Nga: Dibran Demaku Më: 14 janar 2021 Në ora: 19:40
Dibran Demaku

Kishin folur shkurt,tepër shkurt.

-Do të vi të të shoh!

-Unë të pres!

Dhe ai pa një pa dy kishte prerë biletën e avionit.Së shoqes dhe fëmijëve u kishte thënë se po fluturonte përtej atlantikut në një udhëtim zyrtar.Kaq ishte dashur që e shoqja të fluturinte prej gëzimit dhe krenarisë.Udhëtimin apo fluturimin zyrtar përtej atlantikut të të shoqit ajo do ta ngriste para shoqeve të saj në piedestal me një krenari të ligjshme.Ndërkaq fluturimit zyrtar të babait përtej atlantikut fëmijët i gëzoheshin sepse nga andej ai do t‘u sillte dhurata të lloj-llojshme.

-Si është kjo botë!-po mendonte ai me veten e tij,derisa po përshëndetej me të shoqen dhe fëmijët.Unë po nisem për andej për një qllim krejt tjetër,ndërkaq këta besojnë se atje po shkoj me mision zyrtar!Sikur ta dinin të vërtetën e këtij fluturimi,jo që do të më uronin rrugë të mbarë,por përkundrazi do të më mallkonin.Në ato momente as vetë nuk e dinte nëse e gëzonte ky udhëtim,apo e kundërta.Nuk mund ta përcaktonte nëse veprimi që po bënte ishte ai i duhuri.

Avioni tashmë ishte ngritur mbi re,ndërkaq ai edhe më tutje sikur po e gjykonte vetën e tij: po nisej në një rrugëtim që nuk ia dinte as fillimin as fundin.Një ndjenjë e një dashurie pothuajse të shuar,e fshehur diku në labirinthet e shpirtit,ishte zgjuar krejt rastësisht!As ai vetë nuk e dinte se sa vite kishin kaluar,por që në momentin që e dëgjoi zërin e saj,ajo ndjenjë dashurie u zgjua,mori vrull,sikur të kishte ndodhur dje e jo para dy-tri deceniesh.I mallëngjyer apo i marrosur pas atij zëri,atij as që i kishte vajtur në mendje që ta pyeste,nëse ajo e ruante në vetën e saj atë ndjenjën e parë,atë ndjenjën e dashurisë rinore; as që kishte dashur të dinte se çfarë statusi sociali kishte(ishte e martuar,kishte burrë dhe fëmijë,apo ishte e vetmuar?! I kishte mjaftuar adresa e saj dhe kishte vendosur shuante mallin që i digjte në shpirt për vite të tëra.Herë-herë e gëzonte dhe i jepte zemër fakti që ajo e kishte ftuar dhe e priste vizitën e tij!

-„Athua a do të më hidhet në qafë si dikur dhe a do t‘i mbështesë buzët e saj të ëmbla mbi buzët e mija duke e gjuajtur gjuhën thellë në brendësi të gojës sime?!Sikur të ndodhte kështu unë do të rinohesha sërish?!Dhe kënaqej.Dhe buzëqeshte ëmbël në vetën e tij,ashtu me sy mbyllur sikur ëndërronte.

Në të vërtetë ai ëndërronte.Ëndrra e kishte marrë në krahët e saj dhe e kishte kthyer për vite të tëra mbrapa,kur ai dhe ajo shijonin një dashuri të zjarrtë!Një dashuri të dy zemrave rinore që duhen dhe ëndërrojnë një jetë të përbashkët.Një dashuri ku nuk mungojnë as pritjet e gjata,një dashuri ku nuk mungojnë as takimet e zjarrta,një dashuri ku nuk mungojnë as shtrëngimet ku të ndalet fryma;një dashuri ku nuk mungojnë as...e ëmbla?!...

Pastaj ai takimi i fundit,ai takimi ogurzi,ai takimi ku ajo i thotë se familja e saj ka dëgjuar për dashurinë e tyre dhe janë betuar në tokë e në qiell se nuk do t‘i lënë bashkë?!Dhe lotët e saj të valë që i rridhnin nga sytë dhe sikur i përvëlonin gishtat e tij derisa ia fshinte?!...

Në gishtrinjtë e tij sikur i ndjeu lotët e saj.Ishin ata lot të nxehtë valë që po e përvëlonin!...

Kishte hapur sytë.Avioni me zhurmën e tij të zakonshme vazhdonte edhe më tutje fluturimin.Ai e kuptoi se për ca kohë kishte fjetur dhe kishte ëndërruar.Kishte ëndërruar ëndrrat më të bukura të jetës së tij!...

Ishte ngritur dhe ishte drejtuar drejt banjos që siç e tregonin shenjat ishte atje diku në fund të bishtit të avionit.

Pas kthimit ishte ulur sërish në vendin e vetë dhe kishte shikuar orën.Akrepat e orës tregonin se edhe pak minuta duheshin që të merrte fund ora e shtatë e fluturimit.Vetëm pas pak minutash një zë i butë dhe i këndshëm femre lajmëronte se avioni po ateronte në pisten e aeroportit të qytetit të madh...

Ajo vetëm i kishte buzëqeshur duke i dhënë dorën nga një largësi që nuk tregonte se në mes nuk kishte ngrohtësi,por një ftohtësi akulli!-Mbase kështu ngjet në mes të dy njerëzve që nuk kanë mundur të shihen me vite!-sikur e ngushëllonte veten ai.Ndërkaq tjetra pa thënë asnjë fjalë po drejtinte automjetin me shpejtësi?!...

-Si ke qenë?-e kishte thyer ai heshtjen vrastare që po i mundonte të dy!

-Siç më sheh!-ia kishte kthyer ajo,në zërin e së cilës mund të ndieje edhe mllef edhe ftohtësi.

Ai po e shikonte pa ndërprerje.Sikur donte të vërente ishte ajo apo ndonjë tjetër!Ndërkaq ajo vetëm drejtonte makinën me shikimin gjithnjë përpara.Nga profili vërehej se pothuajse nuk kishte ndryshuar asgjë,përveq plotësimit në trup.Po ata sy,po ato buzë,po ajo fytyrë e bukur dhe e ëmbël!...

-Do ikim në shtëpinë tënde apo?!-sikur e kishte pyetur me gjysëm zëri ai,dhe derisa ajo po vononte përgjigjen ai sikur e mallkonte vetën për pyetjen e bërë.

-Je në vete!-ia kishte kthyer ajo.-Si të të qoj në shtëpi,kur aty janë burri me gjithë fëmijë?!...

-Do të thotë se ti je martuar dhe ke burrë dhe fëmijë!-e kishte ai edhepse ajo vetëm pak sekonda më parë ia kishte konfirmuar atë për të cilën bënte pyetjen!

-Si ti i dashur,që ke grua dhe fëmijë!-ia kishte kthyer ajo me një zë në të cilin fjala „i dashur“ në vete bartte një ironi të skajshme.

-Guxoj të të pyes se ku vemi!-kishte pyetur ai me një gjysëm zêri,tonin e të cilit zë nuk e ndiente as ai vetë.

-Vemi në ndonjë restoran që të hamë diçka sepse ti mesiguri ke uri,ke udhëtuar apo fluturuar gjithë ato orë!

Kishin ngrënë në heshtje si të ishin dy qenie njerëzore që nuk ishin njohur asnjëherë,por që rastësisht u ishin kryqëzuar rrugët.

-Do të thotë kështu a?!-sikur ishte ankuar ai.

-Përse si ndryshe?!-ia kishte kthyer ajo.

-Po unë e bëra tërë këtë rrugë vetëm për të të parê dhe takuar ty e dashura ime!...

-Ha,ha,ha...mirë ke bërë sepse këtë takim e doja edhe unë!...Ndërkaq kur thua e dashura ime,më bën të qeshë,sepse as unë nuk jam e dashura jote as ti nuk je më i dashuri im!Ishim dikur,ti dhe unë dhe ynja dashuri,por ajo nuk është më,ka vdekë!Ndonjë thërmi e saj mbase ruhet në labirinthet tona shpirtërore,por thërmijat nuk kanë vlerë në dashuri!...

-Unë e bëra gjithë këtë rrugë vetëm për ty dhr dashurinë tonë dhe ti nuk e vlerëson aspak këtë?!...

-Çfarë do të ndodhte nëse unë do të veproja ndryshe?!...Sikur unë të të hidhesha në krah e të të puthja e përqafoja?!Do të ndryshonte diç në jetët tona?!...Mbase do të ndryshonte,por ky do të ishte vetëm një mashtrim.E mashtrimet unë nuk i dua.Dhe jo vetëm që nuk i dua,por edhe i urrej.Me shpirt i urrej!

-Person atëherë më ftove që të vija?!

-E ke gabim!Unë nuk të ftova.Ti e shfaqe një dëshirë dhe unë nuk mund të t‘a reguzoja.Ku ta di unë se çfarë instikti të është zgjuar në ato momente në qenien tënde prej mashkulli?!...

-Do të thotë se këtë e bëre për hakmarrje?!

-Ç‘hyn këtu në punë hakmarrja?!...Për çfarë hakmarrje flet?!...

-Hakmarrje prej femre,si kompensim i asaj që nuk jemi bashkë?!

-Nëse ty të duket hakmarrje,le ta mbetët e tillë,edhepse sinqerisht kurrë nuk kam menduar diç të tillë!...

-Shpresoj që së paku një vend fjetjeje ma ke siguruar!...

-Përse të të siguroja unë ty vend fjetjeje?!...Apo ka pak hotele në këtë qytet të madh?!...

-Ky takim ishte vetëm një zhgënjim e dashur!

-Le të mbetët ashtu siç thua ti i dashur!

Irinia kishte arritur kulmin!Zhgënjimi gjithashtu...

-Ke mundësi të më ofrosh tek hoteli i parë?!

-Gjithsesi!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat