Arapi më hypi – arapi më zhdrypi!

Kultura

Arapi më hypi – arapi më zhdrypi!

Nga: Qamil S. Dardhankodra Më: 21 janar 2021 Në ora: 10:36
Qamil S. Dardhankodra

Djemt e tezes Lakë mblodhën pare dhe e nisën të amën për në Arabi me i vizitue vendet e shejta, ishte viti 1968.

Tezja Lakë kur mbërrini në vend e tue zhdrypun prej autobusit rrëzohet dhe e then kambën, mjekët e banën punën e tyne dmth. ia lidhën dhe ia mbështillën kambën. Laka mbeti truç prandaj shokët e saj e gjetën nji arab dhe e goditën me e bajt Lakën andej e këndej.

Arabi qe nji burrë i madh i fortë e i fuqishëm e tezja Lakë nuk i kishte as 50 kg. Arabi e merrte Lakën e fuste në nji kosh dhe e hypte përmbi krye e e bante andej e këndej.

Çdo e keqe e ka nga nji të mirë Laka nuk lodhej me hec në kambë dhe ashtu përmbi krye të arabit edhe pushonte edhe shihte ma larg e ma shumë e ma mirë. Kur u kthye tezja Lake në shtëpi të gjitha gratë e mahallës e të katundit ngajtën me e pa e me e pyet e me e ndëgjue çka ka pa e çka ka ndëgjue e çka po kallzon. Dihet se atëherë gratë ishin të padalme e përfundonin jetën kurrë pa dalë në ndonji katund tjetër.

I hapnin sy e veshë e me ndëgjue se çka po kallëzonte Lakje e Lake zeza nuk dinte gja tjetër çka me thanë e me kallëzue. Nja-dy ajo thoshte “më kapi arapi, më hypi arapi, më zhdrypi arapi, ma ngjiti arapi etj”. Ato të pafytyra vetëm qeshnin e zgërdhiheshin dhe përhapshin fjalë nëpër katund se si Lakës i ka hyp e i ka zhdryp arapi.

Tezës Lake i ka dal bari qyshmoti përmbi vorr veçse edhe shumica e atyne të zezave ma nuk bajnë hije përmbi tokë. Kanë mbetun vetëm edhe disa prej atyne rruspijave edhe ato së shpejti do ta thejnë qafën dhe të hypmet e të zhdrypmet e tezës Lake do të humben e do të zhduken e harrohen e nuk do të përmenden ma kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat