Dekorohet me titullin "Mjeshtër i Madh" Zef Çoba, kompozitori i këngës së famshme "N'xhamadanin vija-vija"

Kultura

Dekorohet me titullin "Mjeshtër i Madh" Zef Çoba, kompozitori i këngës së famshme "N'xhamadanin vija-vija"

Nga: Ramazan Çeka Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 15:38
Zef Çoba

Shkodra është një qytet i madh, i bukur e plot jetë, me rëndësi të madhe historike dhe bashkëkohore. Ajo është një qendër e rëndësishme akademike, shkencore, kulturore dhe sportive. Dhe jo më kot shpesh quhet edhe "Metropoli i Veriut". Natyra e mrekullueshme, trashëgimia kulturore dhe historike, zhvillimi i sistemit urban, pedonalet, lulishtet dhe shatërvanët, vajzat dhe djemtë e bukur e të shkathët, njerëzit e qeshur dhe gazmorë, e bëjnë këtë qytet të dashur dhe të këndshem për këdo.

Arti dhe kultura janë ato që Shkodrën nuk e lënë të plaket kurrë, sepse ajo është djep kulture e dije, e cila, si një nënë e mirë vazhdon të përkundë edhe sot e kësaj dite këtë djep që rrit filiza të talentuar në të gjitha fushat. Tashmë muzika shkodrane e përkundur në këtë djep njihet mirë, pëlqehet nga çdokush dhe është pjesë e arritjeve të muzikës shqiptare.

Këngët e bukura shkodrane epike dhe lirike dhe në veçanti jaret e famshme, ka kohë që kanë kaluar kufijtë e Shkodrës dhe janë bërë të njohura duke u interpretuar dhe studiuar në Shqipëri dhe në Botë.

Të shkruash për një personalitet të artit dhe krijimtarisë muzikore shqiptare, siç është profesor Zef Çoba, i cili para pak ditësh u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh" është një nder i madh edhe për mua si gazetar që prej disa vitesh përpiqem të jap kontributin tim për arritjet kulturore e artistike te qytetit të Shkodrës.

Personalitetet e artit dhe muzikës, krijuesit e mëdhenj, e thënë me plot gojën, janë një kala tjetër për këtë qytet. Në themelet e kësaj kalaje kanë vënë gurë të çmuar mjeshtrat: Prenk Jakova, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, etj. Në këtë rrugë do të ecte edhe kompozitori i mirënjohur Zef Çoba, i cili biografinë e karrierës së tij artistike e ka shkruar mbështetur në mësimet e këtyre kollosëve të pavdekshëm dhe në bekimin e Shkodër Loces.

Komisioni i vlerësimit të figurave në fushën a artit pranë Ministrisë së Arsimit e vlersoi Zef Çoben me titullin "Profesor" duke e emëruar si rektor në Akademinë e Arteve në Shkodër.

Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës shqiptare, me formë e përmbajtje kombëtare dhe bashkëkohore njëherazi, si krijues, por edhe si pedagog dhe drejtues ai ka gjithashtu një kontribut të madh në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të kësaj fushe. Momenti i akordimit të titullit "Profesor" e shpërbleu më së miri këtë kontribut.

Zef Çoba ka lindur në Shkodër më 17 korrik 1951, në një familje të vjetër qytetare. Pasioni i tij për muzikën ka filluar që në moshë të re.

Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral. Ka filluar punën në Peshkopi si përgjegjës muzike pranë Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti. Këtu përveç hulumtimit të pasurive folklorike të kësaj treve fillon të vihet në jetë pasioni i tij për kompozicionin, frytet e të cilit nuk vonojnë. Pas një qëndrimi shtatëvjeçar në qytetin e Peshkopisë në vitin 1980 largohet duke lënë gjurmë me punën e tij të palodhur e pasionante. Thonë se dhe sot e kësaj dite një shkollë në Peshkopi e quajnë Shkolla e Zef Çobës.

Pas transferimit me të njëjtën detyrë emërohet në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të lindjes. Gjatë kësaj periudhe janë edhe kompozimet e tij për festivalet e fëmijëve që zhvilloheshin në qytetin e Shkodrës. Prej vitit 1991 do të punojë pranë Radio "Shkodrës" si specialist i programeve muzikore. Që nga viti 1997 është drejtues artistik i korit "Schola Cantorum Dom Mikel Koliqi" të Shkodrës.

Vitet në vazhdim do të flasin për një kompozitor të kompletuar, gjë që bëri që në fushën kinematografike të kompozojë muzikën e më se 15 filmave. Ai mori edhe disa çmime në Festivalin e Filmit Shqiptar. Kështu mund të përmendim Medaljonin e Festivalit për muzikën e filmit "Skëterrë '43", në Festivalin e IV të Filmit Shqiptar, si dhe Medaljonin e Festivalit për muzikën e filmit "Muri i gjallë", në Festivalin VIII të Filmit Shqiptar të vitit 1989 dhe së fundi kompozimi i muzikës së filmit "Dashuria e fundit" në vitin 1994.

Zefi është një njohës i mirë i muzikës së mrekullueshme botërore dhe asaj shqiptare.

Në një bisedë me shefin e muzikës të Qendrës Kulturore "Pjetër Gaci", z.Bardhyl Hysa mësuam se: "Në qytetin e Shkodrës Zef Çoba është figura më e respektuar që përfaqëson plejadën e muzikantëve që i kanë dhënë emër këtij qyteti. Duke qenë pjesë e artit muzikor e ndjej veten krenar dhe shumë të lumtur që në qytetin tonë vazhdon të kontribuojë me emrin dhe punën e tij, si figurë shumë dimensionale, artisti i kompletuar prof. Zefi. Gjithashtu mendoj se vepra shumëplanshe dhe aktiviteti i tij artistik që vazhdon me intensitet, tejkalojnë çdo koment dhe fjalë që mund të thuhet për Zef Çobën. Është një fakt i pa mohueshëm që mbas emrave të mëdhenj që Shkodra ka nxjerrë në fushën e muzikës, Zefi është vazhduesi i vlerave dhe i garancisë së kësaj trashëgimie".

Profesor Fadil Kraja, dramaturg i mirënjohur, thotë për prof. Zef Çoben se: "Është muzikolog i kompletuar i shumë dimensioneve, kompozitor i nderuar në shkallë mbarëkombëtare, lëvrues i të gjitha zhanreve muzikore, dirigjent me peshë, pedagog shumë i përgatitur, erudit. Ai thotë me bindje se pa emrin e Zef Çobës, muzika shqiptare dhe historia e saj do të ishte më e varfër".

Ja si shprehet një nga artistët më të shquar shkodran, "Mjeshtri i Madh", këngëtari Bujar Qamili për Prof. Zef Çobën: "Një personalitet i jashtëzakonshëm dhe tepër i veçantë në komunikim me këngëtarët, veçanërisht me mua si Bujar, kur diskutohet për këngën popullore qytetare, si dhe një muzikant e kompozitor me vlera shumë të mëdha artistike, i cili ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare, prandaj meriton respektin dhe falenderimet e mia si artist".

Prof. Valton Beqiri, kompozitor, pedagog në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ish Ministër i Kulturës në Kosovë shprehet për Zef Çebën: "Vlerësimi i personaliteteve nga fusha e artit dhe kulturës, shpesh herë bëhet me vonesë ose post mortum! Është më se e nejvojshme që ata të nderohen në kohën kur kanë ende mundësi të krijojnë dhe të japin kontributin e tyre në jetën kulturore. Vlerësimi i dirigjentit dhe kompozitorit Zef Çoba , nderon Shkodrën por edhe gjithë shqiptarët. Krijimtaria e tij muzikore u takon të gjithëve për çka i jemi mirënjohës. Duke i ururuar shëndet dhe punë të vazhdueshme krijuese, dëshiroj që vlerësimet dhe sukseset t'i shtohen porsi vijat e xhamadanit të tij krijues".

Këngëtarja Shkurte Fejza "Mjeshtre e Madhe" me shumë dashamirësi vlerëson punën e palodhur të këtij kompozitori të madh, por edhe kujton kohën e bashkëpunimit me të: "Jam e lumtur dhe ia uroj nga zemra titullin "Mjeshtër i Madh" kompozitorit Zef Çoba. Me Zefin bashkëpunuam në rrethana të vështira, kur unë erdha për herë të parë në Shqipëri, në Shkodër dhe këtë ëndërr e këtë udhëtim të parë e konkretizuam duke realizuar këngën tanimë himn i të gjithë shqiptarëve "N'xhamadanin vija-vija, është Kosova është Shqipëria" për të realizuar edhe këngë të tjera bashkë gjatë asaj periudhe.

Opusit të gjërë të krijimtarisë muzikore të Zef Çobës edhe kjo këngë ia shton madhështinë dhe unë ndjehem krenare dhe e mirëpres me shumë respekt e mirënjohje. Zefit i uroj shëndet, sepse sukseset nuk i mungojnë. Uroj dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë, sepse vetëm Mjeshtrat e Mëdhenjë krijojnë vepra të mëdha.

Urime Zef Çoba. Urime Shkodrës, djepit të kulturës shqiptare".

Një tjetër personalitet i shquar në Kosovë, Prof. Dr. Behar Arllati - Etnomuzikolog në opinionin e tij për Zef Çobën shprehet: "Në mozaikun e figurave muzikore të Shkodrës ka dhjetëra e qindra "gurë" të mëdhenj e të vegjël që e formojnë gjithë atë tërësi të madhe të muzikës shqiptare. Një nga këta gurë të mëdhenj është edhe Profesori i nderuar, kompozitori, pedagogu e dirigjenti Zef Çoba. Krijimtaria e tërësishme e profesor Çobës dallohet për vepra të mëdha, monumentale pavarësisht se bëhet fjalë për një vepër korale, instrumentale apo edhe këngë të thjeshtë. Që të gjitha janë monumentale ashtu siç janë të mëdha dhe punët në aspektin pedagogjik apo dhe si dirigjent i Korit "Rozafa Expression".

Në fakt, nuk është aspak e lehtë që "t'ia qëllosh" gjithmonë në muzikë, nuk është e lehtë aspak që të kompozosh vetëm vepra që mbeten në kujtesë, vepra monumentale që "zhbirojnë dhe gjejnë vend" në memorien e popullit. Këtë, me shumë lehtësi, ka arritë ta bëjë profesori e kompozitori Zef Çoba falë invencionit të tij të madh krijues.

Rrjedhimisht, duhet patjetër të thuhet se në historinë muzikore të qytetit të Shkodrës, por dhe atë shqiptare, kompozitori Zef Çoba zë një vend meritor, shumë të dukshëm e madje, pse jo, dhe në mesin e kompozitorëve që bëjnë pjesë në Panteonin e muzikës së kultivuar shkodrane e mbarëshqiptare.

Çmimi i dhënë atij, megjithëse i vonshëm, është vetëm një shtysë dhe një kurajo më shumë që Mjeshtri Zef Çoba të vazhdojë si deri më tani, të krijojë vepra madhore dhe të pavdekshme".

Në festivalin e parë të Këngës Popullore Qytetare Shqiptare organizuar në Tiranë në vitin 2012, nga RTSH me krijime të reja nga 10 këngëtarët më të mirë të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe këngëtarin nga Kosova Shkëlzen Jetishin dhe këngëtarin nga Maqedonia Selami Kolonja, profesor Zefi u përfaqësua me një kompozim të përkryer, me tekst të poetit Alfred Çapaliku, titulluar "E bukur si hanë" kënduar nga "Mjeshtri i Madh" Bujar Qamili, këngë e cila u ekzekutua nga orkestra famoze e RTSH, ku pati një sukses të jashtëzakonshëm, duke u mirëpritur me duartrokitje gjatë gjithë kohës nga publiku që kishte tejmbushur sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.

18 vjet më parë, brenda pak orëve, brenda një nate, kompozitori Zef Çoba dhe miku i tij, poeti Alfred Çapaliku krijuan këngën aq shumë të njohur "N'xhamadanin vija-vija". Tashmë kjo këngë këndohet e dëgjohet gjithandej nga shqiptarët e të gjitha moshave dhe është kthyer në një këngë mit, një këngë që frymëzon dhe lidh brezat. Autorët e kësaj kënge edhe sot e kësaj dite tregojnë me pasion e krenari për historinë e lindjes së saj në vitin 1992 në qytetin e Shkodrës dhe që u këndua për herë të parë nga këngëtarja e mirënjohur kosovare Shkurte Fejza.

"Kënga "KAM NJË LOT M'PIKON SI AR" u kompozua me porosi të këngëtares Shkurte Fejza. Ajo ishte e ftuar në jeven e tretë më datë 17.10.1992 në spektaklin "12 vallëzime pa një të shtunë" të regjisores Vera Grabocka, që u zhvillua në TVSH (i vetmi stacion televiziv që ekzistonte në Shqipëri) në muajt tetor, nëntor, dhjetor 1992.

Në mbrëmjen e datës 17 tetor nuk këndoi, por premtoj se në javen e ardhshme do të këndonte një këngë. Të nesërmen, në mbrëmjen e datës 18.10.1992 erdhi në shtëpinë time me bashkëshortin e saj Hajrush Beluli, e me kërkoi që t'i kompozoi këngën që kishte premtuar se do të këndonte".

Ndër të tjera ai shton: "Krijimtarinë time e kam të lidhur shumë me ndërgjegjen tonë kombëtare. Kam studiuar shumë etnosin dhe folklorin tonë muzikor dhe kur krijova këtë këngë isha me një "ngarkesë" të tillë kombëtare. Rashë dakord për këngën me këngëtaren Shkurte Fejza dhe shkova menjëherë tek miku im poet Alfred Capaliku. Ishin orët e vona të natës dhe i thashë të zgjohej nga gjumi dhe të fillonim menjëherë punën. Atë natë kemi punuar deri në orën 4 të mëngjesit dhe në orën 5 gjithçka ishte e mbaruar".

Kompozitori Zef Çoba kujton: "Kam marrë shumë çmime, por ajo që më krenon më shumë është kur më 2 shtator të vitit 2002, në ndeshjen miqësore Kosovë-Shqipëri i gjithë stadiumi buçiste duke kënduar refrenin e kësaj kënge". Ky është çmimi më i madh për Zef Çobën.

Poeti Alfred Çapaliku, autori i tekstit të këngës "N'xhamadanin vija-vija", thekson: "Në darkë vonë më erdhën në shtëpi Shkurte Fejza me bashkëshortin dhe miku im Zef Çoba. I thashë gruas t'i shërbente mysafirëve dhe vetë u futa në dhomën time për të shkruar i qetë tekstin e këngës. Mora frymëzim nga Shkurte Fejza dhe e nisa tekstin si një udhëtim, udhëtimin që kishte bërë këngëtarja nga Kosova për të ardhur në Shqipëri.

Më vjen mirë që kjo këngë po e humb autorësinë dhe është bërë kaq popullore. Kështu ndodh me krijimtarinë e arritur në nivele të larta. E humb autorësinë dhe bëhet pronë e popullit. Kjo natyrisht të bën të ndjehesh shumë krenar."

Forca sugjestionuese artistike bëri që kjo këngë të fitojë popullaritet dhe u bë si Himn Kombëtar i dytë për gjithë shqiptarinë. Për 18 vite autorët e saj nuk ishin përmendur, pasi ajo ishte kthyer në një këngë mbarë popullore.

Zef Çoba ka kompozuar vepra dhe pjesë të ndryshme vokale e instrumentale, këngë në stil të traditës së këngës qytetare shkodrane, shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet të gjërë, këngë për fëmijë etj. Ka kompozuar një cikël me romanca vokale të titulluar "Kënga e njeriut". Ciklin me këngë korale për fëmijë "E drejta dhe e shtrembra", shumë përpunime këngësh popullore për kor, për solistë etj.

Në vitin 1999 ka themeluar në Shkodër Shoqatën Miqtë e Muzikës "Rozafa Expression". Shoqata zhvillon me sukses një aktivitet artistik e kulturor, kombëtar e ndërkombëtar.

"Është e vërtetë, unë jam shkodran dhe e dua shumë Shkodrën, shprehet kompozitori i shquar në një intervistë televizive, por interesat e mia si studiues janë shumë më të gjëra , janë me një vizion kombëtar, bile-bile edhe universal, sepse muzika është një art universal".

Prof. Zefi është karakterizuar në drejtim nga një punë me disiplinë e kërkesa të larta artistike dhe për këtë në turnetë e zhvilluara si brenda dhe jashtë vendit, është vlersuar me konsiderata të larta. Si kompozitor dhe dirigjent është nderuar dhe vlersuar me çmime të ndryshme. Ky krijues, por edhe studiues i trashëgimisë muzikore folklorike dhe të kultivuar e lidh punën e tij, që me plot gojën mund të themi se është një përpjekje titanike, me të gjitha trevat jo vetëm në territorin e Republikës, por që nga Jugu në Veri në të gjithë hapsirën shqipfolëse.

"Kudo në çdo trevë të Shqipërisë, shprehet ai, ta dini se aty jam unë".

Zef Çoba është nderuar me shumë tituj nderi ku mund të përmendim Urdhërin "Naim Frashëri" i Klasit III - Urdhër i dhënë nga Presidenti i Kuvendit Popullor në vitin 1989, "Nderi i Kulturës Dibrane", vlerësuar nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë, "Anëtar nderi" i Shoqatës Kulturore Artistike "Besa" në Mal të Zi, "Anëtar nderi" i Shoqatës "Madonna di San Giovanni" Ripatransone-Itali, etj. për të ardhur në vlerësimin e lartë "Mjeshtër i Madh" akorduar para pak ditësh nga Presidenti i Republikës.

Jeta dhe karriera e tij artistike nuk janë thjesht një CV që mud të krenojë çdo artist të këtij niveli, përkundrazi ato janë një kronologji e pasur në vite dhe bashkëkohore që bëjnë krenar jo vetëm artistin, por edhe qytetin e tij edhe kombin e tij.

Prof. Zef Çoba tanimë është në pension, por pavarësisht nga kjo ai vazhdon bashkëpunimet shkencore, vazhdon jeten akademike artistike, është shumë aktiv në profesionin e tij, në krijimtarinë e tij dhe në bashkëpunimin e madh që mban gjithmonë në marrëdhëniet me kolegët, me krijuesit, me studentët e veçanërisht me të rinjtë e apasionuar pas muzikës.

Ashtu si të gjithë kolegët, miqtë, bashkëqytetarë dhe gjithë bashkëkombasit edhe unë i uroj përmes këtij shkrimi Prof. Zef Çobës ta gëzojë titullin e lartë dhe mjeshtërinë e tij ta verë gjithmonë në shërbim të kulturës kombëtare.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat