E pambaruar…

Kultura

E pambaruar…

Nga: Rexhep Shahu Më: 8 mars 2021 Në ora: 19:21
Rexhep Shahu

E pikturon dot heshtjen ti,

Heshtjen time që pikon pelin,

Që më mbështjell si mjegull

E që shkel mbi të,

Heshtjen që më së shumti ka fytyrën time

Gjithë kohën kur jam pa ty ?

Po ikjen e saj kur vjen ti,

Të qeshurën e hareshme të syve të mi

Që gurgullon kur ti je, e pikturon dot ?

Po tingullin e vdektë e timbrin pa jetë të zërit tim,

Psherëtimën drithëruese,

Dridhjen e mjekrës time,

Bebet e zmadhuara sa dielli të syve të mi kur të shoh,

Bebet gati të shuara të syve të mi, kur s’të shoh ?

E pikturon dot mallin që më djeg,

Boshllekun a zbrazëtinë mes krahëve të mi,

Mungesën tënde aty,

Djegjen e syve të mi që s’e lënë lotin të rrjedhë,

Sy që e pinë vetë lotin e nxehtë ?

E pikturon dot ti atë që ndodh në mua kur të prek,

Atë që kurrë fjala s’e thotë dot,

Atë drithërimë vërbuese që provoj kur të rrok

Në përqafim, e përjetoj paqen që e kërkojmë

E na mungon e na lëndon se mungon ?

E pikturon dot ti ndjesinë që provoj

Kur më përqafon e gudulis në kurriz,

Tek më tërheq nga vetja e shtërngon në gji

Kur të dukem pupël e jo i rëndë përmbi,

Po çastin kur mbetem pa mend mbi ty,

Kur më dukesh Hënë e vetja Diell ?

E pikturon dot ti aromën time përzier me djersë,

Duart e tua të vogla që gudulisin gjoksin tim,

Aromën tënde jo të parfumit, të shpirtit tend,

Duart e mia të mëdha e të ashpra mbushë me gjinjtë e tu,

Dihatjen, dihatjen e dridhjen e trupave tanë,

Shkëndijat, që s’i sheh dot ti as unë, i pikturon dot ti

Kur flakërojnë mes trupave tanë ?

E pikturon dot ti atë që provon zemra ime,

Atë që thonë e shkruajnë sytë e mi

Kur thith pangopshëm buzët e tua,

Kur ti ma shtërngon kokën me gjinj

E kur unë nga lumturia mbes pa frymë,

E vdes nga pamundësia të të fus brenda vetës

E i them zotit, ik se jam zot vetë ?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat