Orientalisti, gjuhëtari, historiani, përkthyesi Osman Myderrizi në 130-vjetorin e lindjes

Kultura

Orientalisti, gjuhëtari, historiani, përkthyesi Osman Myderrizi në 130-vjetorin e lindjes

Më: 30 prill 2021 Në ora: 01:03
Akademia e Shkencave organizoi sot veprimtarinë kushtuar studiuesit Osman Myderrizi

Akademia e Shkencave organizoi sot veprimtarinë kushtuar studiuesit Osman Myderrizi, me rastin e 130-vjetori të lindjes. Në fjalën e hapjes akad. Pëllumb Xhufi e vlerësoi atë si historian, gjuhëtar, etnolog, leksikograf, studiues të çmuar të letërsisë me alfabet arab, studiues i vëmendshëm e transkribues i autorëve të traditës katolike të Veriut, njohës i thellë i kulturave të Lindjes dhe të Perëndimit. Ai veçoi dy sprovat më interesante të Osman Myderrizit në fushën e historisë së Shqipërisë, atë mbi kryengritjen e Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915 dhe studimin mbi etnonimet “shqiptar” dhe “Shqipëri”. Myderrizi sqaron se etnikoni “shqiptar”, në dukje i ri, vinte nga thellësia e shekujve, të paktën nga shek. XIV, kur në Drisht përmendet një familje me mbiemrin “Skupidari”.

Seit Mansaku mbajti kumtesën “Vepra gjuhësore e prof. Osman Myderrizit”. Nga pikëpamja e metodës, veçori e veprës shkencore të Osman Myderrizit është kombinimi i të dhënave historike me ato filologjike e gjuhësore. Vepra kryesore e tij në fushën e gjuhësisë është “Gramatika e re e gjuhës shqipe”. Është e tillë sepse paraqet në trajtën më të plotë strukturën morfologjike të gjuhës shqipe dhe jep nocionet themelore të sistemit fonetik (fonologjik). Gramatika e Myderrizit synon të jetë një gramatikë normative e dialektit të mesëm. Ajo dëshmon se autori i saj kishte njohuri bashkëkohore për konceptin e normës si një përzgjedhje e trajtës më të përshtatshme, më të përgjithshme e më të pranueshme midis tërësisë së trajtave ekzistuese. Në përzgjedhjen e trajtave normative autori ka mbajtur parasysh raportin midis gjuhës shkruar e gjuhës së folur në mënyrë që të mos krijohet një hendek i panevojshëm midis tyre, tha prof.Mancaku. Në fushën e sintaksës ai ka lënë dy punime me vlerë për` fjalitë e varura kohore (325 fletë) dhe për fjalitë vendore (143 fletë). Ai është bashkëautor i “Fjalorit të gjuhës shqipe” të vitit 1954. Myderrizi u mor edhe me studimin e toponomastikës, kundërshtoi me vendosmëri tezën e sllavistit rus Selishçev, i cili është përpjekur të provojë se kur erdhën sllavët në Shqipëri nuk gjetën aty popullsi shqiptare, por popullsi romane.

Prof. Ferit Duka mbajti kumtesën “Osman Myderrizi orientalist i shquar shqiptar”. Osman Myderrizi nuk është thjesht një përkthyes, një njohës i paloegrafisë dhe diplomacisë osmane. Ai ka qenë një studiues i spikatur dhe nuk ka dhënë kontribut vetëm në shpalosjen e burimeve orientale osmane, por ka qenë një njeri që e ka përdorur këtë material në kombinimin me prurjet e burimeve të tjera.

Akad. Albert Doja, në kumtesën e tij “Osman Myderrizi një pionier i harruar i qasjeve shkencore në studimet shqiptare” përmendi qasjen e këtij studiuesi ndaj kryengritjes së Haxhi Qamilit si një qasje e “historisë nga poshtë”. Ai e konsideroi Osman Myderrizin si një pionier të qasjeve moderne në studimet shqiptare. Duke vlerësuar veçanërisht studimet e tij mbi çështjen e ndërrimit të emrit etnik të shqiptarëve, sidomos me punimin “Studime historike mbi emrin e vjetër kombëtar të Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip”, ai e quajti rast unik në historinë e studimeve shqiptare.

Enika Abazi (PhD), në kumtesën e saj solli kontributin atdhetar, por edhe izolimin dhe lënien mënjanë në periudhën e komunizmit. Ajo solli në vëmendje punimet e Myderrizit në kontekstin bashkëkohor të zhvillimeve të studimeve shqiptare, në përgjithësi, por edhe të letërsisë, gjuhësisë, çështjeve të identitetit etj. Enika Abazi tha se në gjysmën e parë të shekullit të XX, O. Myderrizi do të shquhej si patriot e atdhedashës pa kompromis, një studiues me diapazon teorik impresionues në shërbim të atdheut e konsolidimit të pavarësisë së tij, me pjesëmarrje aktive në politikë në vitet 1920-1930. Ishte deputet i Tiranës dhe Durrësit në Këshillin Kombëtar 1921; anëtar i Kuvendit Kushtetues më 1923; kryeredaktor i gazetës “Ora e Tiranës”, themelues i gazetës “Zani i ri”, dhe drejtues i disa gazetave të kohës. Osman Myderrizi hapi shkollën e parë shqipe në Ndroq në vitin e parë pas pavarësisë dhe do të jepte shtëpinë për hapjen e gjimnazit të parë të Tiranës. Bir i Tiranës, ai i kushtoi një histori të plotë kërkimore kësaj treve.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat