Qejfliu

Kultura

Qejfliu

Nga: Dibran Demaku Më: 1 korrik 2021 Në ora: 16:19
Dibran Demaku

Kur varrtarët e kishin hedhur dheun e fundit mbi varrin e tij, krejt papritmas i ishte kthyer shpirti.

-„Si je dhe a ke të ftohtë?!

-„U ktheve ti tash kur mbi mua rëndojnë të ky dhe këta gur?!

-„U ktheva të të shoh se si i ke hallet...“

-„Siç e sheh aspak mirë. I vdekur dhe me gjithë këtë peshë përmbi, ndërkaq anash mure të pakalueshëm!

-„Përse, ku deshe të shkosh?!“

-„Desha të shkoj në parajsë atje ku më presin virgjëreshat!“

-„Ha, ha, ha...ende ëndërron në përrallat e botës nga e cila ike?!“

-„Jo vetëm që mendoj, por jam i bindur!“

-„Për çfarë je i bindur?!“

-Jam i bindur se e meritoj parajsën! Përveç kësaj dua të takohem dhe të bëj qejf me virgjëreshat që më takojnë!“

-„Ashtu...dhe sa virgjëresha të takojnë?!...“

-„Të mençurit e botës së të gjallëve na thonin se secilit nga ne meshkujve do të na takonin afri shtatëdhjetë virgjëresha...dhe unë dua që menjëherë të shkoj tek ato dhe të bëj qejf, sepse në botën e të gjallëve të gjithë më kanë quajtur Qejfli. Dhe ofiqi Qejfli do të thotë Qejfli femrash?!...“

-„Vërtetë, edhe pse kam jetuar një jetë të tërë me ty e në ty, asnjëherë nuk të kam pyetur se si të mbeti ky ofiq?!“

-„Është një sekret i jetës sime, për të cilin përveç meje e dinin edhe ata që ma lanë këtë ofiq...isha diku në klasë të gjashtë apo të shtatë kur u mundova ta puthja një shoqen e klasës. Ishte e bukur çapkënçja dhe ma kishte rrëmbyer zemrën. Pas shumë ditësh e muajsh përpëlitjesh në mendjen time se si të bëja dhe ta puthja, një ditë të bukur maji vendosa: o sot o kurrë. Dhe kur po dilnim nga ora e fundit e mësimit ju afrova bankës së saj dhe zgjata buzët drejt buzëve të saj. Ajo sikur ta kishte ditur që më parë qëllimin tim, largoi kokën anash dhe një flakaresh befasuese e saj u ndesh me faqen time. Shoqja e saj e bankës më shtyu me tërë forcën dhe unë u rrëzova në hapësirën mes bankave.

Shoku im i bankës që kishte parë tërë ngjarjen më zuri tek krahu dhe më ndihmoi që të ngritem. Faqja që ishte ndeshur me flakareshin më ishte skuqur si spec, ndërkaq tjetra ishte zbehur nga e papritura!...“

-„Dhe pastaj ç‘ndodhi, si u mbyll skandali?!“

-„Për fat të mirë nuk ndodhi asgjë. Meqë unë nuk kisha arritur që ta puthja në buzë apo në faqe të adhuruarën time, nuk u trazua as familja e saj. Kur kishin dëgjuar rrëfimin e ngjarjes kishin thënë: punë fëmijësh!“

-„Po ofiqi Qejfliu si të ngeli?!“

-„Se kush e tha i pari nuk e di, por ai ofiq pastaj më shoqëroi tërë jetën „

-Dhe ty të pengonte apo të pëlqente ai ofiq?!“

-„Të them të drejtën në fillim më pengonte, por me kalimin e kohës sikur u mësova me të dhe më dukej disi i ëmbël e miklues. Sepse ofiqi im nuk ishte dosido: ai tregonte se unë isha qejfli femrash!“

-„Të ka ndihmuar ky ofiq që të fitoje femrat që adhuroje, apo të ka penguar?!“

-„Çfarë të të them kur ti ke jetuar me mua dhe në mua dhe i di të gjitha?!“

-„Unë po i di të gjitha, por ato që i di unë nuk i dinë të tjerët. Dhe të tjerët si kureshtar që janë duan të dinë më shumë për jetën dhe qejfet e Qejfliut me të adhuruarat e tij?!“

-„Nuk e them dot sepse më vije turp. Ti e di atë që e di edhe unë: Sikur mos të ma gjente babai një femër dhe të më martonte me të, mbase unë do të vija këtu ku jam tash,pa prekur trup femre?!“

-„Dhe nuk të vije keq për jetën tënde. Të gjithë të kanë thirrur Qejfli, që do të thotë adhurues dhe fitues femrash, ndërkaq ti ?!“

-„Sa isha i ri, kaloja net të tëra duke ëndërruar për femra të bukura që i takoja në jetë. Dhe kjo më ndodhte derisa bëja qejf me gruan time. Mbyllja sytë dhe ëndërroja se bëja qejf me ato të bukurat që takoja. Nganjëherë ndieja keqardhje vizavi gruas për ato që ëndërroja, por unë nuk isha fajtor që ajo nuk ishte e bukur si adhurueset e mija!“

-„Pastaj?!“

-„Pastaj kur fillova të mplakem, ndërrova qëndrim. Fillova të besoj se ato që nuk i arrija në jetë do t‘i arrija në botën tjetër, pas vdekjes.

Fillova të besoj në atë çfarë thuhej nga besimtarët: Se nëse në jetë rri urtë dhe nuk bën punë të këqija, pas vdekjes do të të shoqërojnë virgjëresha të shumta me të cilat do të bësh qejf sa të duash. Dhe kur i dëgjoja këto kënaqesha, lumturohesha, sikur rinohesha...por

-„Por, çfarë?!“

-„Si por, si çfarë?!...A nuk je ti i pari që më braktise dhe unë vdiqa. Të gjallët më varrosën dhe unë tash ndodhem këtu si peshku i konservuar në kuti prej metali. Dhe ti që u ktheve të më shohësh se në çfarë gjendje ndodhem, në vend se të më ndihmosh, më provokon me pyetje, përgjigjen e të cilave e di më mirë se unë?!“

-„Nuk ke se nga shkon. Nuk mund të lëvizësh. A nuk e the pak më parë edhe vetë se të rëndon përmbi tërë ajo peshë gurësh dhe dheu me të cilën të mbuluan varrtarët e botës së gjallë. Për anash ke mure të pakalueshme të tokës argjilore?!“

-„Por, unë dua të shkoj tek hirgjëreshat që më presin. Ato e presin me krah hapur Qejfliun e tyre. Ato më kanë ftuar dhe më kanë caktuar takim. Më ndihmo që të ngritëm dhe të shkoj!“

-„Ti nuk do të shkosh askund. Sepse nuk mund të shkosh.-Askund nuk do të shkoj as unë, por do të dergjem këtu me ty derisa ty të të hanë krimbat me mua të më shurdhërojnë veshët me gërricjet e tyre?!

-„Po hyrijat, virgjëreshat?!“

-I kishe në botën e të gjallëve qejfli, por nuk pate guxim dhe njohuri të duhura për to...

Tash të lutem pak qetësi Qejfli se dua të fle, të fle në gjumin tim të amshueshëm?!...“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat