Kopshtari

Kultura

Kopshtari

Nga: Dibran Demaku Më: 14 korrik 2021 Në ora: 16:53
Dibran Demaku

Qëkur lash profesionin e shkrimtarit dhe fillova atë të kopshtarit e kuptova se tërë jeta e deriatëherëshme më kishte ikur kot. Duke shkruar vepra letrare kisha bërë vetëm një vrimë në ujë, edhepse thënë të vërtetën për librat e shkruar kisha marrë edhe shpërblime e mirënjohje të ndryshme. Vetëm se pastaj kisha fituar zilinë dhe urrejtjen e atyre krijuesve që në jetën e tyre nuk kishin marrë asnjë shpërblim.

Në fillim zilia dhe urrejtja e tyre më ishte dukur krejt normale.Por,kur zilia dhe urrejtja kishin kaluar caqet e normales,atëherë kisha zënë të shqetësohesha.Shqetësimi kishte ndikuar në jetën time dhe unë nuk isha më si i pari.Në vend të buzëqeshjes së përherëshme,në fytyrën dhe mimikën time kishte zënë vend një zymti e tmerrshme.

Këtë ndryshim timin së pari e kishin kuptuar dhe prekur anëtarët e familjes së ngushtë:gruaja,fëmijët,fëmijët e fëmijëve.Pastaj zymtia ime kishte përfshirë shokët e miqët,kolegët e koleget e punës.

Për ndryshimin tim,në fillim pëshpëritej ne zë të ulët,pastaj me kalimin e kohës pëshpërimat u bën zhurmuese deri tek britmat e padurueshme.

Ishte gruaja ajo e cila do të shpërthente një pasditeje të vonë.Shpërthimi i saj ishte si të thuash i egër dhe brutal:-Çfarë ke o njeri kështu?Apo të janë mbytur xhemitë në deti siç thonë të menqurit?!Apo,mos o zot ke rënë në dashuri me ndonjë dhe ajo të ka prishur nga mendja?!

Që shpërthimi i gruas të ngjante me një urragan,që nuk ke se si t‘i shpëtosh i erdhën në ndihmë edhe fėmijët.

Me kohë e kisha kuptuar se fëmijët në jetë pothuajse çdo herë mbajnë anën e së ėmës(fenomen ky i kuptueshëm),por jo deri në masë të brutalitetit!

Në fillim vendosa të heshtja dhe të dëgjoja se çfarë janë në gjendje të stisin ata që ishin dhe janë më të dashurit tu.Veçse tensionet rriteshim e rriteshin dhe kishte rrezik që të shpërthente ndonjë konflikt i bezdizshëm.

Për t‘i ikur ndonjë konflikti përmasash shkatërruese,ua tregova arsyen e zymtësisë sime!

-Po a nuk të kam thënë sa e sa herë që të mos merresh me ato shkrime të mallkuara?!-ngriti zërin gruaja.

-Përse nuk merresh me ndonjë gjë tjetër?-sikur e plotësoi të ëmën djali i madh.

-Apo nuk ka punë të mjaftueshme rreth shtëpisë-vazhdoi me një zë më shumë lutës se sa akuzues ime bijë.

-Punët rreth shtëpisë nuk i bëj dot,sepse unë jam shkrimtar dhe jo kopshtar!-ia ktheva përgjigjen sime bije duke ua hedhur shikimin edhe të tjetëve se si do të reagonin.

-Po ti provoje njëherë,babi!-nxitoi ime bijë me një zë lutës dhe pasi u mendua ca vazhdoi:-shikoji lulet se si kanë lëvarur kokën,nga mungesa e ujit.Duke i ujitur ato mbase do të lind ndonjë ide për ndonjë poezi apo tregim?!

-Kot e keni!-sikur këlthiti gruaja.-Ky është mësuar me libra dhe nuk di të bëjë punë tjetër!...

Pa thënë asnjë fjalë dola nga dhoma.Ika,që t‘i ikja konfrontimit me gruan.

Meqë në ato momente rradakja ime sikur kishte bllokuar dhe nuk mendohej për asgje,në mënyrë krejt mekanike mora zorrën e ujit dhe fillova t‘i ujisja lulet e kopshtit.Përballja me pikat e para të ujit sikur i bëri lulet më të buzëqeshura.Ato,ngritën kokat dhe hapën petalet.

Gëzimi i tyre ishte i papërshkruar.Përqafonin dhe puthnin me afsh pikat e ujit që dilnin nga zorra dhe ua lante sytë e faqet duke ua larguar pluhurin dhe etjen zhuritëse.

Duke e ndjerë gëzimin e luleve,se si më dukej vetja,si një shpëtimtar dhe mirëbërës.Në ato momente e ndieja vetëm më të vlerëshëm si kopshtar se sa si shkrimtar.“Lulet qenkan ato që i jepkan kuptim madhështor jetës!...Lulet qenkan më të bukura,më të dadhura se çdo poezi apo tregim.Lulet qenkan vetë poezia,tregimi apo romani më i bukur i jetës njerëzore!...

...që nga atëherë shumë ujë është derdhur në kopshtin tim.Tash më shumë se shkrimtar jam kopshtar.Zgjohem para diellit dhe ujis kopshtin tim.Ujis lulet e kopshtit tim.Flas me to siç flet nëna apo babai me fëmijët e vetë.Nganjëherë edhe këndoj,Këndoj së bashku me lulet,së bashku me barin,së bashku me pemët e kopshtit.Dhe kur flas apo këndoj me lulet,me barin,me pemët e kopshtit tim,zemrën dhe shpirtin e kam plot.Plot me gëzim dhe hare.As ndjenjë ziliqare askund,as urrejtje dhe mëni.A nuk është kjo më e bukura poezi,tregim apo roman i jetës?!

Nga sot e tutje nuk jam as poet apo shkrimtar.Nga sot e tutje jam vetëm kopshtar!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat