Një urim për ditëlindjen e poetit

Kultura

Një urim për ditëlindjen e poetit

Nga: Baki Ymeri Më: 1 gusht 2021 Në ora: 16:53
Dedë Preqi

Si rastësisht m’u kujtua se gjatë këtij viti i mbushe 66 vjet. Gjysmëshekulli, or mik, nuk është pak. Unë të uroj nga zemra të na jetosh edhe 100 të tjera! Lexoj shkrimet e tua dhe nuk kuptoj ende: je optimist, gazetar, eseist, prozator, poet dhe patriot. Nuk kam mundur, dhe kjo lidhet mbase me faktin që nuk jam specialist i letrave, të vë pikën mbi germen “i”, që don të thotë idealist. Gjithësesi, një gjë është e vërtetë: çfarë ke nxjerrë nga dora është brilante. Në shkrimet e tua ka njohje, intuitë, këndvështrim dhe profesionalizëm, por mbi të gjitha ka një dashuri të madhe për njeriun. Unë nuk mund t’i kujtoj të gjitha tashti, por më kanë ngelur në mendje vargjet e librave “Bekimi i lotëve” dhe “Dashuri e zgjuar”, si dhe veprat “Kopshti poetik dhe publicistrik i Dedë Preqit”, “Kushtrime nga mërgimi” dhe “Meditime mërgimtare”.

Me sa duket, sekreti yt është tek të gjitha dhe tek asnjëra! Zotrote je njeri pa sekrete, idealist që i thot gjërat troç, shkurt e shqip. Mbase kështu ndodh me ty si njeri i letrave, si një mërgimtar i frymëzuar që e kërkon të vërtetën atje ku gjendet, te të gjitha problemet për një moment dhe përgjithëmonë. Ti, or mik, nuk je dorështërnguar tek njohja dhe evidentimi i kohës dhe jetës. Shpesh, vellua e shkrimeve tua është e hollë, bile e tejdukshme. Ti nuk je i errët dhe misterioz, përndryshe nga të tjerët, që i errëson verbimi, keqdashja dhe dija e munguar. Pse? Ngase kjo ndodh se shkrimet e tua, pavarësisht nga forma, nuk e kanë burimin vetëm prej trurit, por ato duket se janë efekt i etheve, vlimit të gjakut, i nivelit të adrenalines. E di mirë se shpesh gjaku yt është i trazuar, nervat janë të nxitura, herë-herë të tendosura, efekt i shqisave tua të panginjura. Një idealist si ti, qëndron gjithnjë tek purgatori i dyshimit, e në se ke vitalitet, kjo mbase lidhet edhe me jetën e tënde të pa garantuar dhe me probleme jetësore shpesh të pa zgjidhura.

Nuk e di, e kësodore dyshoj, se në momentin që do t’i sigurosh ato, do të kishe një ulje të vitalitetit. Mbase ky është veç një iluzion. Them kështu kur të gjej tek shëtit i vetmuar dhe si i brengosur edhe në mbremjet kur rigojnë riska të holla shiu. Ç‘ bluan vallë në vetminë tënde? Mediton apo “ripërtyp” leximet dhe ndodhitë e ditës? Përsëri kthehem. Mendimi im më duket gjysmak, dyzohem, se si njohës i mirë i psikologjisë dhe filozofisë në themelin e dijeve tua është dyshimi dhe shqetësimi, pavarësisht se në shpirtin tënd ka një pritë, që sidoqoftë është një mbrojtje nga vërshimi i ndjenjave. Megjithëse kjo koracë mbrojtëse, është aq e fortë ndaj ndodhive të jetës. Ti nuk je nga ata që kënaqet me pak, të tërheq dallga e rrezikshme, tundimi i dykuptimsisë në jetë. Shpirti yt nxjerr jashtë gjërat e ngopura, pasi i ka distiluar biokimikisht.

Në pesëdhjetëepesëvjetorin tënd, mendoj se e ke zgjeruar mjaft jetën rreth e qark, me një qëndër të palëvizshme, si pema që për çdo vit shton një unazë rreth trungut të mbuluar, ndërsa korja e jashtme plasaritet, por pema bëhet përherë më e fortë. Më ka bërë shpesh përshtypje fakti që ti ke shkruar e botuar, jo shumë e as pak, por disa libra të llojeve të ndryshme, të niveleve të ndryshme, të ndjenjave të ndryshme, krijimeve të ndryshme, e megjithatë, s’je ndikuar aspak prej pesimizmit, por ke mundur të ngrihesh më lart, të mbetesh vetvetja. Mbase kjo është arsyeja familjarët dhe fjalët të duan, gjakovarët po ashtu, mërgimtarët po ashtu, krijuesit po ashtu. Ata kanë një besim, jot ë çuditshëm, por të madhërishëm tek ty. Dhe kanë të drejtë.

Miku im! Ti realisht je poet, poet në shpirt, përndryshe nuk do të të pëlqente aq shumë natyra, pikëllimi i gjetheve në vjeshtë, gota e verës në çastet e krijimit dhe flokët e gjatë të femrave të bukura, që zgjojnë shëtitoret tona, duke shijuar kafetë e mëngjesit dhe çastet e buzëmbrëmjes. Por jeta ty të ka pajisur me një ekuilibër të brendshëm, të ka zhvilluar krahas shpirtit të poetit edhe dhuntinë e publicistit dhe atë të mendimtarit. Dikur të kam thënë në ëndërr se je poet aristokrat. Nuk mendoj se poeti është ai që di të thurrë vargje të bukura. Ti je aristokrat në art, pasi arti yt është i kuptushëm për të gjithë, pa e ulur nivelin. Atë që për lexuesin e thjeshtë është e pakapshme, e papërcaktueshme, ti ke mundur ta bësh të dukshme dhe të qartë. Në qëndër të poezive tua ke vendosur të bukurën, ndjenjën që rivendos harmoninë dhe paqen në mes të natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore, urën e shëndetit që krijon ura të përhershme miqësie në jetë.

Poezive tua, realiteti u jep motivin, pikën e nisjes, bërthamën, kuptimin më të plotë të kësaj fjale, dhe ti si poet krijon një të tërë, që është e bukur, plot ritëm, pëot ngjyra dhe jetë. Vargjet tua dhe shkrimet e tjera letrare, politike dhe publicistike, përshkohen më tepër se kurrë ndonjëherë më parë nga mendimi filozofik, estetik e kritik i kohës, gjë që është bërë e pandarë nga fantazia krijuese. Tipari qëndror i gjithë krijimtarisë tënde, mund të them se është zhbirimi psikologjik, zbërthimi i konfliktive të brendshme. Të njëjtën gjë ti e vërejmë edhe në parathëniet e librave, e veçanërisht tek ato me pozi dhe publicistikë. Këto ndryshe unë mund t’i quaja etyde psikologjike, sepse ato shprehin mirë problematikën, konfliktet, dilemat dhe dyshimet. Ti nuk i ngjesh dukuritë me dhunë. Ngjeshja tek ty ndodh natyrshëm, ngjan si një cilësi e brendshme e mendimit intelektual, e mënyrës figurative të shprehjes së artit tënd.

Në moshën 66 vjeçare, duke mos u rrëmbyer nga afshi i pasionit, i dallon mirë nuancat dhe pragun e ndjesive të tua. Të njohësh zëmrën, nuk është e lehtë. Të hysh në të fshehtën e pasionve, përmes arsyes, ndoshta është vegim, mjet për të matur thellësinë, duke mos u rrëmbyer drejt së pa njohurës nga ndjenja të verbëta. Deda nuk është tjetër veçse vegim, ndjeshmëri dhe bardhësi! Po i mbyll këto rrjeshta të shkruar në një çast meditimi në prag të 66 vjetorit tënd, me një strofë të Shilerit: Tëharrës, Zot i mirë, nga Rigbergu/ Që përmbi hon korr barin e pashkelur/ Në faqet e shkëmbinjve të thepisur/ Ku bagëtia nuk guxon të ngjitet... (Alban Voka (Bukuresht, 01 gusht 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat