Ditëlindjet jubilare Migjeni dhe Dritëroi Agolli sot në Akademinë e Shkencave

Kultura

Ditëlindjet jubilare Migjeni dhe Dritëroi Agolli sot në Akademinë e Shkencave

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 21:43
Në Akademinë e Shkencave

Studiues, akademikë dhe familjarë janë mbledhur në Akademinë e Shkencave të festojnë një përvjetor të dyfishtë të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorin e lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorin të lindjes së Dritëroit.

Konferencën shkencore me temë 'Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja.' e përshëndeti Kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi.

“Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin të dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.

Të gjithë sot kemi marrë përsipër një detyrë të vështirë: të paraqesim nëpërmjet disa fjalëve e kumtesave vlerat e veprës e jetës së Agollit e Migjenit një mision ky gati i pamundur, por që vetë Dritëroi do të na i hiqte këtë barre duke na then me shpoti: mos u merakosni se çdo të thoni ju për ne; pasi vepra e trashëgimia jonë flasin vetë.

Dritëroi ishte e mbetet një prej figurave emblamatike të letrave e te Akademisë se shkencave. Ai është një ndër vlerësuesit e mbrojtësit e Akademisë e te akademizmit në Shqipëri edhe në ditë të vështira dhe është në nderin tonë të kujtojmë e vlerësojmë figurën e veprën e tij".- tha akademik Skënder Gjinushi.

Konferenca që u mbajt sot në Akademinë e Shkencave u drejtua nga zëvendëskryetari i Akademisë Vasil Tole, Bajram Kosumi dhe Pëllumb Kulla

“Janë të paktë dhe të rrallë ata njerëz si Dritëro Agolli, tek i cili karakteri njerëzor dhe vepra vitale janë të lidhura aq fort tek i njëjti person”.

E veçanta e kësaj konference, veç kumtesave të pëzgjedhura, është paraqitja e librit "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni", botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, që rrëfen një fill të bukur lidhës mes talentit dhe shpirtit të ndjeshëm të dy shkrimtarëve.

Akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave prezantoi veprën dhe tha se “Pesë vjet më parë autori, poeti ynë, akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin "shkëlqyeshëm", me një oponente - çfarë oponentje - më të zonjën e albanologjisë ruse Desnickaja.

Titullohet "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe ja ku është.

Botimi u përgatit nga kolegu Sh. Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. Gjinushi. Një parathënie ku argumentohet se Dritëroi e zgjodhi Migjenin sepse shihte vetveten në poetikën e tij.

Po pse e botojmë sot? Jo për t'i bërë nder autorit apo subjektit, sido që dhe ky do të kishte rëndësinë e një argumenti.

Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë.”

Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar sot Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli. I titulluar nga shkrimtari “Fletorka e mesnatës”, ky dorëshkrim iu dorëzua Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Elona Agolli u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer.

Akad. Skënder Gjinushi e falënderoi vajzën e shkrimtarit dhe u shpreh se ky dorëshkrim me poezi i Dritëro Agollit është vepra më me vlerë dhe meriton që të jetë në shtëpinë e madhe të akademikut Dritëro Agolli, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

“Me shpirt të dridhur e dorëzova, më vinte keq ta hiqja nga dora dhe nga sytë, por e bëra për disa arsye. E para babai ka qenë akademik dhe ka luftuar fort për mbrojtjen e këtij institucioni. Ai thoshte se “nuk e kuptoj si kërkojnë ta shkatërrojnë Akademinë e Shkencave”. Ndaj mendoj se vepra e tij ka vendin e duhur në këtë institucion”, tha vajza e shkrimtarit.

Për 90-vjetorin në Akademi është çelur edhe një ekspozitë me portrete nga piktorë të njohur dhe miq të Dritëro Agollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat