Anamorava s’do ta harrojë asnjëherë kontributin e historiografitë dhe pedagogut Adem Murati

Kultura

Anamorava s’do ta harrojë asnjëherë kontributin e historiografitë dhe pedagogut Adem Murati

Nga: Arif Ejupi Më: 16 tetor 2021 Në ora: 17:24
Adem Murati

Më 10 tetor të këtij viti në fshatin Terpezë të Vitisë, familjarë, kolegë, miq dhe ish-nxënës të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit mësimdhënësit dhe historiografitë të shquar të kësaj treve Mr.sc.Adem Murati, i njohur nga shumëkush edhe si Adem Çuça.

Ademi lindi më 1 maj të vitit 1946 në Terpezë, ku brez pas brezi jetuan edhe të parët e tij.

Mësimet e ciklit tetëvjeçar i kreu në vendlindje dhe Pozheran, për të vazhduar me ato të Mesme në Normalen“Skënderbeu”të Gjilanit.

Ai si një i rinj entuziast çdo lëndë mësimore e studionte seriozisht dhe me kohë, në mënyrë që mos t’i zhgënjente prindërit e tij, dhe anëtarët e tjerë të familjes, që në piskun e vapës përvëluese punonin në arat e mbjellura me duhan, për të siguruar bukën e gojës për veten, dhe për t’i mundësuar Ademit shkollimin.

Kultivimi i duhanit ishte një nga veprimtaritë kryesore të asokohshme për shumë familje të Anamoravës.

Ademi edhe pse e kishte dëshirën e zjarrtë për t’i vijuar studimet në ndonjë Shkollë të Lartë apo Fakultet, si student i rregullt mungesa e theksuar e kuadrit arsimor e detyron që më 1966, të nisë punën e mësuesit në fshatrat periferike Kishnapole dhe Sllakoc të komunës së Gjilanit.

Në këto fshatra të tipit kodrinoro-malor kushtet e punës ishin të mjerueshme. Mungonin dhomat e mësimit dhe inventari bazë për zhvillimin e tij.

Ademi duke parë që është e pamundur me u dhënë fund padrejtësive të pushtuesve serbë e malazezë, që ishin të veshur me pushtet abuziv dhe të pakufishëm, si alternativë të vetme sheh mbajtjen e mësimit në shtëpitë e fshatit të shndërruara në mësonjëtore.

Ai në këto fshatra deri në një zgjidhje më të volitshme mësimin do ta zhvillojë në dy ndërrime dhe me klasa të kombinuara.

Paradite mësimi zhvillohej me nxënësit e klasës së Parë dhe të Tretë, kurse ai i pasdites më klasën e Dytë dhe të Katërtë.

Kjo një punë jo me pak telashe. Mirëpo, vetëm me një sakrificë të tillë çeleshin shtigje të reja edhe për arsimimin e fëmijëve shqiptarë.

Ademi si djalë i një familje me tradita të njohura kombëtare tek prindërit e nxënësve të tij gëzonte popullaritet dhe respekt të jashtëzakonshëm.

Ata edhe pse në kushte të vështira banimi në ditë dimri me acar dhe të ftoftë e ftonin mësuesin Adem në shtëpitë e tyre.

Shpirtëmadhësin e këtyre fshatarëve me të cilët bisedonte tema nga më të ndryshmet nga historia e popullit tonë, deri në orët e vona të natës, Adem Murati, e kujtonte shpeshherë në ndeja dhe tubime me shokë e miq.

Duke pasur vetëbesim dhe duke qenë i motivuar edhe nga arsimtarë të tij të Shkollës Normale të Gjilanit, pashkëputje nga puna Ademi do të regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Shkupit, drejtimi Histori-Gjeografi.

Edhe këtu falë punës së pareshtur studimet i përfundon me mjaft sukses .Ademi si kuadër me kualifikim përkatës do të punojë në shkollën tetëvjeçare “Bashkim-Vëllazërim“të Terpezës, tani e emërtuar me emrin e tribunit popullor “Hysen Tërpeza.”

Paralelisht me punën prej mësimdhënësi do t’i përfundojë edhe studimet e shkallës së-II-(dytë) në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Po ashtu më 1987 në këtë Fakultet do ta mbrojë me sukses temën e magjistraturës “Zhvillimi ekonomiko-shoqëror i Kosovës, nga fundi i shekullit -XVIII- dhe në deceniet e para të shekullit të -XIX-“.

Duke shprehur mospajtim me pushtetin e atëhershëm komunist të ish-Jugosllavisë, ai del në mbrojtje të ish-nxënësit dhe bashkëfshatarit të tij Bajrush Shaqiri, i cili si i diferencuar politikë nga pushteti serbo-sllavë dhe veglat e tij në fillim të viteve të 80-ta, detyrohet të arratiset në Gjenevë të Zvicrës.

Shaqiri një aktivist i dalluar në mërgim i njohur edhe me donacionet e tij të shumta në trojet tona,nëpërmjet lotësh dhe emocionesh e kujton arsimtarin e tij të hershëm, dhe më vonë kolegun Adem Murati.

Ai thotë ”që Ademi ishte punëmbarë dhe promotor i shumë aksioneve që kishin të bënin me shkollat shqipe jo vetëm në Viti, por edhe në Gjilan”.

Përveç mësimeve nga Ademi,unë dhe moshatarët e mi thotë Bajrushi, mësuam bujarinë, besnikërinë, mirënjohjen si dhe të qenunit korrektë dhe solidar me njëri-tjetrin.

Bajrush Shaqiri, si një virtyt tjetër që e veçonte Ademin, nga të tjerët thotë ishte edhe afërsia e tij me nxënësit.

Ai edhe ata që ishin të paqetësueshëm dhe kapricioz i rehatonte me fjalën e tij të butë dhe sjelljen prej pedagogu të mirëfilltë.

Gjatë vargnumrimit të cilësive të mira të ish-arsimtarit të tij Bajrushi, kujton edhe porosinë e Ademit “Aq sa është i nevojshëm për njeriun të pamurit dhe të dëgjuarit,aq është i domosdoshëm edhe Arsimimi i popullit tonë.”

Adem Murati si kuadër me përgatitje të lartë që nga fillimi i viteve ’90-ta, e deri në pensionim të merituar në maj të vitit 2011, kreu detyra të shumta dhe me përgjegjësi, në Departamentin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në komunën e Vitisë.

Murati gjithnjë aktiv me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë një periudhë kohe e kryen edhe detyrën e sekretarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës ”Ali Hadri” dega në Deçan.

Ai po ashtu u prezantua me një mori studimesh edhe trajtesash në simpoziume dhe seminare të organizuara në Tiranë, Prishtinë e Tetovë, që në fokus kishin temat nga fusha e historisë sonë të lavdishme.

Mr.sc.Adem Murati, përveç punës në Arsim një kontribut të madh e dha edhe në ndriçimin e shumë ngjarjeve të popullit shqiptar të Kosovës, me theks të veçantë të atyre të zhvilluara në rajonin e Anamoravës së Epërme.

Ai përveç që njihet si autor i mbi 147 punimeve shkencore shkroi edhe disa vepra me mjaft vlerë, nga fusha e historiografisë siç janë monografitë “Tërpeza e Moravës së Epërme”“ Jeta dhe vepra e Idziz Seferit”(bashkautor viti i botimit 2002)

Po, këtë vit e botoi edhe monografinë tjetër kushtuar jetës dhe veprës së Ramadan Agushit.

“Ramadan Agushi, veprimtar për bashkimin e Shqipërisë etnike 1919-1991.“

Një vit më vonë boton edhe librin tjetër historik “Sali Kupina, bashkëluftëtar i Idiz Seferit.”

Pas hulumtimesh të shumta në bibliotekat dhe arkivat e Stambollit, Beogradit dhe Shkupit, i botoi edhe monografitë“Lëvizja kombëtare për Arsimin shqip Mulla Syla-mësues dhe veprimtar i dalluar 1881-1927.”

“Ballanca dhe dëshmori Muharrem Kurteshi”dhe “Godeni i Anamoravës”.

Adem Murati ka lënë të papublikuara dorëshkrime dhe intervista të shumta të zhvilluara me bartës të ngjarjeve të rëndësishme në Anamoravë e më gjerë.

Ideal jetësor i tij ishte ngritja dhe Arsimimi i shqiptarëve, të kësaj treve. Andaj, gjithsecili nga ne duhet ta kujtojë kontributin e tij madhor, në Arsim e shkencë, me lutjen që shpirti i tij i ndritur të prehet në paqe dhe qetësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat