Disa fjalë për poetin Ramadan Musliu

Kultura

Disa fjalë për poetin Ramadan Musliu

Nga: Hejza Art Më: 22 tetor 2021 Në ora: 11:24
Ramadan Musliu

Ramadan Musliu ishte një zotëri i vërtetë, ishte një mik e shok shumë i sinqertë dhe shumë i dashur për të gjithë ata që kanë pasur rastin ta takojnë, qoftë edhe për një kafe. Zotëri i papërsëritshëm në jetën e përditshme, në shoqëri, në krijimtari

Sot bëhet një vit nga vdekja e Ramadan Musiut, poet, kritik letrar, studiues e publicist, mjeshtër i fjalës së shkruar e të mbrumur me kulturë të gjithanshme.

Mik i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova, i pandashëm nga një miqësi fisnike e të përjetshme me Teki Dërvishin, pastaj me Beqir Musliun, me Jusuf Buxhovin si dhe me krijuesit e gjeneratës, por edhe përkrahës, këshillues dhe motivues i krijuesve të rinj, Ramadan Musliu megjithatë do të mbahet mend si mjeshtër i poezisë, si kritik e studiues letra i palodhshëm dhe i patejkalueshëm.

Veprimtaria shumëdimensionale e Ramadan Musliut do të ngelë udhërrëfim i kristaltë për shumë letrarë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut si dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Letrave shqipe u solli një poezi të veçantë dhe shumë të ndjeshme, kritikës letrare shqiptare i solli një intensitet dhe një qasje objektive që u bë shkollë e kritikës për shumë studiues të rinjë të letërsisë.

Mbi të gjitha, Ramadan Musliu ishte një zotëri i vërtetë, ishte një mik e shok shumë i sinqertë dhe shumë i dashur për të gjithë ata që kanë pasur rastin ta takojnë, qoftë edhe për një kafe. Zotëri i papërsëritshëm në jetën e përditshme, në shoqëri, në krijimtari.

Përveç në krijimtari letrare, në studim e në kritikë, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës! Në vitet e errësirës totale të informimit shqip në Kosovë, kur masat e dhunshme serbe u shtrinë edhe mbi mjetet e informimit të Kosovës, ai do të shpërngulet në Tiranë dhe nga aty do të punojë si redaktorë i të përditshmes “RILINDJA”. Pas çlirimit, me propozim dhe kërkesë të Presidentit Ibrahim Rugova, do të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, pastaj do të punojë edhe si këshilltar i ministrit të Kulturës.

Një vit pa Ramadan Musliun, komuniteti i poetëve pa një poet të veçantë, kritika letrare pa një kritik e studiues të palodhshëm, njohësit e tij pa një njeri shumë të madh, kultura shqiptare pa një personalitet aq shumë të nevojshëm! Së këndejmi, momentet e ardhshme përkujtuese le të jenë më të dinjitetshme për figurën e të madhit Ramadan Musliu, duke e nderuar me studime e reflektime, me botime të veprave mbi krijimtarinë dhe veprimtarinë komplekse të Ramadan Musliut. Çdo poezi e Ramadan Musliut provokon dhe nxitë studime të veçanta letrare. Një konkurs institucional për studimin e vargut, të poezisë, të veprave të Ramadan Musliut do të ishte një përulje e përkorë para opusit letrar e kritik të DANIT. Do të jenë shumë të vogla veprat tonë që mund t’i bëjmë për DANIN në krahasim me kontributin e tij në letrat dhe në kulturën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat