Trajektorja e zhvillimit të artit ka lënë pas shumë stacione

Kultura

Trajektorja e zhvillimit të artit ka lënë pas shumë stacione

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 12:27
Nora Halimi

Nora Halimi është artiste dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Tetovës. Në vitin 2002 diplomoi në Fakultetin e Artit Figurativ në Universitetin e Prishtinës, në departamentin e Dizajnit Grafik. Në po të njëjtin drejtim dhe Universitet, në vitin 2011 mbaroi studimet master. Është në prag të përfundimit të studimeve master me fokus artin bashkëkohor edhe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi në Shkup”, në Katedrën e Historisë së Artit. Përpos angazhimit individual profesional në fushën e dizajnit grafik, ka realizuar aktivitete artistike dhe bashkëpunime me artistë të tjerë në disiplina tjera të artit vizual. Ёshtë disenjatore dhe ilustratore e disa librave shkollorë, fituese e çmimit të parë për dizajn të Logos dhe pakos për komunikim vizual të Ministrisë së Ekonomisë të RMV. Ka dizajnuar një sërë kopertona librash të zhanreve të ndryshme dhe identitete tjera vizuale komerciale. Ka marrë pjesë në më shumë ekspozita, koloni dhe rezidenca artistike si në vend ashtu dhe jashtë tij. Është autore e dhjetëra parathënieve të shkruara për ekspozita të artistëve tjerë dhe anëtare e jurive profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare.

HEJZA: Ngjyra të tollovitura në pëlhurë, pak dritë, pak hije! Është ky stacioni i fundit i pikturimit modern?

NORA HALIMI: Marrëdhënia me artin mbështetet kryesisht në empirizëm, më shumë në atë që mund të emërtohet si ndjesi, instinkt se sa në një metodologji të strukturuar mendimi, pa pretenduar që ky empirizëm të shpallet masë absolute matëse, i zhveshur nga historia dhe teoria e artisti dhe nga vet studimi i veprave artistike. Megjithatë, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes tuaj, duhet një sistem argumentimi i cili respekton kronologjinë e epokave artistike dhe një klasifikim të pranueshëm nga shumica e historianëve të artit sipas të cilëve arti modern filloi diku nga fundi i shekullit XVIII dhe vijoi përgjatë shekullit XIX. Edhe pse jo rrallë herë arti modern përdoret si sinonim për artin bashkëkohor, për hir të faktografisë duhet thënë qartë se bëhet fjalë për dy epoka të ndryshme.

Arti modern, përfshirë këtu dhe pikturën si gjini, ishte gjithçka tjetër përveç se thjesht “ngjyra të tollovitura në pëlhurë, pak dritë e pak hije”. Ky art i quajtur modern u shkëput nga tradita dhe eksperimentoi në mënyrë radikale me subjektin, ngjyrën, materialet jo-tradicionale, si dhe përdori teknika dhe mediume të reja.  Trajektorja e zhvillimit të artit ka lënë pas shumë stacione, në mesin e tyre edhe modernizmin për të vijuar rrugën në “post” stacionet e radhës. Parashtesa “post” në këtë rast nuk shpall asnjë mohim të modernizmit apo të cilit do përkufizim tjetër, por përcakton tërësinë e zgjedhjeve që do të formojnë një vizion të qëndrueshëm për përkufizimin e radhës.  Fundja, a nuk është arti siç e ka thënë Marcel Duchamp ”një lojë midis njerëzve të të gjitha epokave”. Edhe sikur të flitej për pikturën bashkëkohore, parapëlqej të mendoj se ajo është më tepër një qëndrim, një artikulim i pozicionit të artistit në konstelacione të ndryshme varësisht nga natyra e shtysës apo ngacmimit, sesa një recetë e thjeshtë e përzierjes së ngjyrave ose lojë e dritëhijes.

HEJZA: Çdo stil në art ka filozofinë dhe epokën e vet të emërtuar! Në ç’epoka mund ta kërkojmë artin e sotshëm konteporan! Çka po pikturohet sot në botë? Çfarë piktura po pëlqehen e çfarë po ekspozohen?

NORA HALIMI: Në vitin 1926, një vepër e skulptorit rumun Brancusi, e njohur si “Bird in Space” u ndalua nga dogana amerikane, e cila refuzoi ta trajtojë atë si vepër artistike duke e quajtur një copë bronze, objekt metalik, produkt industrial. Kjo vepër u bë subjekt i një procesi gjyqësor që përfundoi në favor të skulptorit. Nga ky rast lindi nevoja e një sistematizimi dhe definimi të ri, sepse vepra në fjalë nuk përputhej me definimin e deriatëhershëm për skulpturën.

E përmenda këtë rast për të evidentuar se arti është një organizëm që zhvillohet pandërprerë, prandaj gjithmonë do ekzistojë nevoja për ri-definime dhe ri-sistematizime. Njeriu e krijon artin dhe arti si sistem bashkëvepron me njeriun. Duke qenë brenda këtij zhvillimi, pa distancë kohore, është vështirë të jepen definime të përmbledhura mirë, sepse bëhet fjalë për fenomene e dilema para të cilave gjendet jo vetëm teoria e artit, por edhe politikat kulturore në përgjithësi. Arti bashkëkohor (me të gjitha mediumet përfshirë dhe ato që trajtohen si të reja: instalimi, video-arti, performansa, etj), duke u përpjekur të fragmentojë logjikën e spektaklit, na e rikthen botën si përvojë për t’u jetuar. Ready made-i i Duchamp është shfaqja e parë e konceptualizuar, e cila e zhvendos problematikën e procesit krijues duke vënë theksin tek koncepti, ideja, tek vështrimi i artistit mbi objektin. Duchamp pohon se akti i zgjedhjes mjafton si themel për një operacion artistik, krejt i njëjtë me aktin e fabrikimit, pikturimit apo gdhendjes duke ndihmuar kështu në zbehjen apo edhe fshirjen e dallimit tradicional midis prodhimit dhe konsumit, krijimit dhe kopjes, ready made dhe veprës origjinale. E përmenda këtë moment sa për të ilustruar ndjeshmërinë kolektive brenda së cilës ndodhen dhe zhvillohen si format e “vjetra” po ashtu edhe ato të reja të praktikës artistike. Çfarëdo që po pikturohet dhe ekspozohet sot në botë flet për një peizazh të ri artistik dhe kulturor gjithmonë në ndryshim, ku është shumë e vështirë të dallohen parimet e përzgjedhjes dhe vlerësimit.

Se çfarë pëlqehet pastaj është një diskutim pafund, që bëhet akoma me kompleks me shfaqjen e Internetit, krijimin e kësaj hapësire ndërvepruese e cila ripogramoi botën e sotme dhe rrjedhimisht krijoi marrëdhënie të reja me artin dhe kulturën. Rreziku qëndron në përjetimin e kësaj hapësire vetëm si një lloj argëtimi, si një hapësirë e krijimit të një barazie gjithëpërfshirëse, që do të thotë gjithçka ka vlerë pasi është e pëlqyeshme për t’u konsumuar. Ky rrezik sa vjen e rritet nga mungesa e kritikës si dhe nga roli pasiv dhe konformizmi i individëve dhe institucioneve përkatëse të fushës së artit. Nga njëra anë kemi krijuesit të pamësuar të përballen me kritikën, nga ana tjetër përballemi me një dokumentim sipërfaqësor të ngjarjeve të artit, pa u thelluar në interpretimin, kontekstualizimin apo edhe seleksionimin e tyre.

HEJZA: A kemi shkollë autoktone të artit pamor, jo vetëm si disiplinë akademike! A kemi artistë të mëdhenj për të cilët duhet të investojë shoqëria jonë? Sa investojmë ne për të nxjerrë sot një Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Omer Kaleshi, Ismet Jonuzi etj.

NORA HALIMI: Nocioni autokton mund të përdoret për lëndën, me të cilën artistë të caktuar ndërthurin punën e tyre. Këta artistë mund të përzgjedhin objekte kulturore autoktone dhe t’i përdorin ato si subjekt për krijimet e tyre artistike si dhe për të krijuar marrëdhënie të reja me kulturën në përgjithësi dhe me trashëgiminë artistike në veçanti. Por, ky lloj arti mund të jetë vetëm një hallkë në zinxhirin e një disipline akademike ose edhe të një shkolle të artit pamor.

Komunikimi global dhe përfshirja e shkollave dhe universiteteve të artit pamor në rrjete dhe programe për shkëmbim të studentëve ka bërë që oferta e tyre të jetë pak a shumë e ngjashme, me përjashtim të shkollave të specializuara për disiplina të caktuara. Në çdo shoqëri ka krijues të cilët me ose pa mbështetjen e shoqërisë bëhen artistë të mëdhenj. Nuk di ta them sa është merita e shoqërisë në këtë rrugëtim, por kam bindjen se është ajo që përfiton më shumë nga vepra dhe fama e tyre. Ndoshta më me rëndësi se sa këta emra të përveçëm, është kontributi i tyre dhe diskursi që i ofrojnë publikut në një moment dhe kontekst të caktuar. Mbështetja institucionale është e nevojshme për të gjithë faktorët që përbëjnë një sistem të komunikimit të artit dhe jo vetëm për artistët si individë. Një shoqëri e përgjegjshme duhet ta ketë imperativ mbështetjen institucionale të artit dhe kulturës.

HEJZA: Ekspozitat sezonale të punimeve artistike a do të ndikonin në krijimin e një tradite për blerjen e këtyre veprave nga shkollat tona, nga dikasteret qeveritare, nga ndërmarrjet tona, nga kazermat, nga institucionet nacionale, nga individë-koleksionistë të ndryshëm!

NORA HALIMI: Ekspozita në radhë të parë është përballje e artistit me publikun, një mundësi apo hapësirë dialogu mes të dy palëve. Kjo hapësirë pastaj mund dhe duhet të shfrytëzohet pa diskutim për nevoja të tjera si krijimi i një tradite blerjeje për nevoja të caktuara të institucioneve dhe koleksionistëve të artit. Përmenda dhe më lart nevojën e padiskutueshme të kësaj mbështetjeje. Ideja është që artisti të ketë lirinë dhe hapësirën e nevojshme për t’u përballur me artin e tij dhe publikun, pastaj janë institucionet që duhet të shqetësohen për statusin e tij social dhe është vepra që do t’i jep atij mundësinë e të qenët i përfillur, i vlerësuar.

HEJZA: Pse një piktor produktiv shqiptar që jeton jashtë atdheut mund të jetë me famë botërore, kurse në vendin e origjinës së vet mund të njihet nga tre-katër persona të të njëjtës fushë! I ka fajet “atdheu” apo piktura!

NORA HALIMI: Arti sot ndeshet me një territor të pafund mundësish. Përballja me këtë territor dhe eksplorimi i tij ka prodhuar individualitete, artistë,vepra e të cilëve o detyrimisht lidhet me territorin si nocion gjeografik. Artistët bashkëkohorë shqiptarë që janë bërë të njohur në botë, janë emra, njohja e të cilëve në nivel kombëtar shkon përtej mungesës së dëshirës. Është proces që duhet të bëjë bashkë më shumë vullnete. Publiku duhet të informohet dhe të sensibilizohet, jo çdokush ka njohuritë dhe ndjeshmërinë e kultivuar për të dialoguar me artin bashkëkohor. Informimi dhe sensibilizimi duhet të vijë nga kurrikulumet shkollore, nga institucionet përkatëse të artit, nga diskutimet e hapura për artin bashkëkohor, nga një strukturim më i mirë i mendimit dhe diskursit kuratorial dhe kritik, nga përfshirja e mediave, prania e këtyre artistëve në skenën kombëtare qoftë përmes institucioneve apo edhe me iniciativa private, për të evituar kështu krijimin e një hapësire hermetike që do të përfshinte vetëm “palët e interesit”.

HEJZA: Po të ishit pushtet, cili do të ishte raporti i juaj ndaj kulturës e, në veçanti, ndaj artit figurativ! Shqiptarët tashmë kanë provuar të drejtohen edhe prej persona nga sfera e artit figurativ por edhe nga letërsia. Çka i dhanë nga kultura pushtetit e çka nga pushteti kulturës?

NORA HALIMI: Historia dhe përvoja na ka bërë ta perceptojmë pushtetin si burim mundësish, por edhe si instrument manipulimi e dhune, si kufizim të shprehjes së lirë. Ky kufizim bie ndesh me premisën e artit që është liria e shprehjes, pa kurrfarë kufizimi. Ata që janë në pozitë pushteti kanë tendencën t’i bindin njerëzit se bota është ashtu siç e shohin ata që janë në krye, duke ofruar kështu një imazh të një realiteti zyrtar të përhapur nga reklamat dhe format tjera shoqërore, të cilat i janë besuar mediave, përmbajtja e të cilave diktohet kryesisht nga pushteti. Konsideroj që detyra e artistit dhe e artit është të paraqes jo domosdoshmërish kundër-imazhet e një realiteti të këtillë, por të propozojë imazhe që do ti vënë në dyshim këto forma dhe këtë realitet. Me fjalë tjera, arti duhet të jetë në funksion të ndërgjegjes shoqërore, në funksion të mbrojtjes së vlerave nga trafikimi dhe abuzimet e pushtetit dhe jo vetëm.

Në një shoqëri të lirë pastaj, do ketë gjithmonë nga ata që do ta mbështesin apo do ta kritikojnë njërin realitet apo tjetrin.  Unë personalisht jam kundër servilizmit dhe bindjes së verbër dhe jam pro autoriteteve artistike dhe kulturore që shkojnë përtej establishmentit.  Por, pavarësisht se arti shihet, shpesh edhe në mënyrë të mitizuar, si i papajtueshëm me pushtetin, ka raste kur duhet të bashkëjetojë me të brenda një njeriu të vetëm. Në rastet e këtilla, duhet gjetur rruga apo mënyra që arti mos bëhet instrument i sakrifikimit të faktit real për hir të ndërtimit të një konstruksioni që do të shkëlqente vetëm nga forma dhe jo nga përmbajtja. Kur flitet për pushtetin, më kujtohet gjithmonë një citat i Kunderës që thotë, mes tjerash, se fuqia riprodhon vesin. Ne duhet të gjejmë mënyra se si ta riprodhojmë virtytin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat