Pë çka i kemi fakultetet e arteve!?

Kultura

Pë çka i kemi fakultetet e arteve!?

Nga: Hejza Art Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 12:15
Foto ilustrim

Nisur nga një motiv profesional, për të dëshmuar publikisht të arriturat studentore në sferën e krijimtarisë artistike, studentët e Fakultetit të Arteve pranë Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, disa vite radhazi kanë organizuar manifestimin “Java artistike studentore”! Ide brilante dhe manifestim që tërë qytetin e bën krenar, sepse ka javën kur mund të bindet për prurje të reja në sferën e përgjithshme kulturore, për gjeneratat që me ide të reja e me shumë kreativitet do të ndikojnë në ruajtjen dhe përforcimin e identitetit kulturor kombëtar!

A nuk do të ishte mirë që këtë praktikë ta ndiqnin edhe fakultetet e arteve pranë universiteteve kombëtare gjithandej ku funksionojnë ato?

Gjeneratat e reja janë shtyllë e institucioneve nacionale nga sfera e kulturës që na mungojnë! Si do të shpresohet në themelimin së shpejti të institucioneve nacionale ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ku, shqiptarët nuk dinë se çka kultivon fakulteti i arteve pranë Universitetit të Tetovës dhe çfarë do të dalin nga kjo vatër e artistëve të rinj nga lëmenjtë e ndryshëm të artit?

Koncerte (të paktën kamertale), interpretime në grupe të vogla instrumentistësh, ekspozita, dramë, filma të shkurtër etj., që do të mbaheshin për një javë, jo vetëm që do ta gjallëronin jetën kulturore por, mbi të gjitha, do të shihej se, këto fakultete të arteve të bukura, a janë të atij niveli të pritshmërisë kombëtare apo, thjesht, janë “servis diplomash” për punësim!

Krejt në fund, tri fakultetet e arteve pranë universiteteve të mëdha kombëtare, ajo e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, pa dyshim që kanë nevojë për t’i dëshmuar të arriturat artistike brenda katër viteve studim! Një javë e përbashkët e artistëve më të mirë të këtyre fakulteteve, gërshetim i afiniteteve të tyre brenda një programi të përbashkët kulturor, do të ishte një ide jashtëzakonisht e madhe e cila, mbi të gjitha, do t’i përafronte që në studime artistët e perspektivës kombëtare. Projektet e përbashkëta kulturore janë më jetike se sa projektet e shitjes së “patates kombëtare”, të “kastravecave, specave, domateve kombëtar”! Bujqësia po që është jetike për “barkun kombëtar”, por politikat e mirëfillta shqiptare do të duhej të kishin brengë edhe ushqimin e shpirtit, i cili pa dyshim që është kultura! Kultura është baza e një identiteti kulturor dhe, sa më të kultivuar institucionalisht, aq më të mëdhenj e më të respektuar do të ishim faqe botës. Ministritë e arsimit dhe të kulturës përveç që duhet të angazhohen për “Sistem Bolonje” e për programe vjetore për “artistët partiakë” dhe për të preferuarit e tyre, është mirë që të mendojnë edhe për projekte të këtilla kombëtare! Për nisma të tilla eventuale, le të shërbejë si model Fakulteti i Arteve i Universitetit të Pejës!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat