Ne, fëmijët dhe teknologjia smart

Kultura

Ne, fëmijët dhe teknologjia smart

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 11:28
Ilustrim

Nuk janë prindër të mirë ata që ia ndalojnë mjetet elektronike fëmijës, por të mirë janë ata që i mësojnë si t’i përdorin dhe si të navigojnë nëpër ato mjete elektronike që sot janë bërë të domosdoshme për mësim dhe edukim! Prindërit, por edhe fëmijët tanë akoma mendojnë se këto mjete janë për argëtim, për zbavitje dhe assesi të kuptojnë se këto mjete ngadalë po shndërrohen në mjet kryesor mësimi.

A u duhet fëmijëve tanë një platformë e përbashkët, në gjuhën shqipe, nën kontrollin e rreptë të institucioneve gjegjëse shtetërore, në të cilën do të përfshiheshin e kategorizoheshin informacione nga lëmenj të ndryshëm! Lektura shkollore elektronike, libra zanorë, muzikë për fëmijë të moshave të ndryshme! A kemi emisione për fëmijë, dokumentarë, programe edukative, enciklopedi elektronike për fëmijë, filma, shfaqje teatrale me kukulla për fëmijë parashkollorë, emisione atraktive mbi historinë tonë, trashëgiminë tonë kulturore!

Mjerisht, fëmijët e sodit, shumë më tepër po kalojnë kohën nëpër mjete elektronike se sa në kopshte e foshnjore. Për dreq, sot qetësia në familje sigurohet vetëm përmes këtyre mjeteve! Ai që nuk e ka, do të jetë më i zhurmshmi dhe prishësi i rehatisë në shtëpi! Kthim prapa nuk ka! Ai që do të tentojë ta pengojë këtë proces do të llogaritet si “retrograd”, si “i prapambetur”, “tradicionalist ekstrem”, deri edhe në dhunues familjar, sepse “ia ndrydhë dëshirën dhe nevojën” fëmijës për të qenë në hap me moshatarët e vet!

Një shoqëri e esëllt, një shtet me qeveritarë vizionarë dhe kombëtarisht të fortë, tashmë do të duhej ta kenë të gatshëm platformën institucionale të stërngarkuar me materiale edukativo-arsimore për të gjitha moshat e fëmijëve, nga kopshtet, parashkolloret e deri në dalje nga adoleshenca! Kjo kategori e fëmijëve dhe të rinjve tanë duhet të mësohen me faktin se mjetet smart dhe interneti duhet për të naviguar ekskluzivisht në platformën e gjerë, atraktive, unikale, e cila menaxhohet nga institucionet gjegjëse nacionale, apo nga producentë me profile të ndryshëm që subvencionohen nga shteti. Prindërit, kujdestarët, ata të moshës madhore, duhet të kenë pajisje përcjellëse që do të sinjalizojnë kur fëmijët do të dalin për navigim më shumë se disa minuta jashtë platformës nacionale!

Natyrisht, lojërat online, që i nënshtrohen procesit edukativo-arsimor, siç janë konkurset, testet, enigmat, fjalëkryqet, mirëplotësimi i të cilëve do të sillte lloj-lloj shpërblimesh, prej atyre modeste deri te shpërblimet “kapitale”, ndërsa përgjigjet e të cilëve do të gjendeshin brenda tërë atij materiali të gjerë në “platformën nacionale për fëmijë”, do t’i joshte fëmijët tanë që të “mbërthehen” me përqendrim në atë “shkollë të përgjithshme elektronike”, me ç’rast jo vetëm që do të jenë nën kontroll, por do të jenë të pajisur gjithnjë e më shumë me informacione të shëndosha dhe edukative.

Një prej rubrikave, natyrisht që do të ishte “biblioteka elektronike”, por edhe ndonjë revistë elektronike për fëmijë, siç i kanë të gjithë popujt e përparuar, pa dyshim! Jemi pothuajse i vetmi komb në rajon e më gjerë që nuk kemi revistë elektronike për fëmijë, që nuk kemi një kolonë lekturash të unifikuar për të gjitha klasat shkollore. Nuk kemi një kënd elektronik ku do të publikoheshin punimet figurative të fëmijëve tanë nga kopshtet gjithandej enteve të viseve etnike. Revista letrare për fëmijët që vijojnë mësimet në ciklin e ulët, por edhe për ata të nëntëvejçares, do të ishte një hapësirë shumë e frekuentuar në të cilën do të shprehnin interesim të prezantoheshin shumë fëmijë tanë! Në mungesë të një platforme të tillë, në mungesë të një “horizonti elektronik” të tillë, natyrisht që fëmijët tanë do t’i jepen lojërave, madje edhe të atillë çfarë ishte “balena blu” e ndonjë pisllëku të ngjashëm! Prindërit do të dorëzohen, do të “çmenden” dhe gjithnjë e më të dobët do të tregohen karshi fëmijëve të tyre që humbasin duke naviguar pas “atraktivitetit” nëpër mjetet smart të cilët tashmë i kanë bukë e ujë, ushqim, por nga ai që mblidhet nëpër kontejnerë! Institucionet gjegjëse shtetërore duhet të kujdesen për ushqim të shëndetshëm, me vlera ushqyese e brenda afatit! Neglizhenca institucionale i kontribuon “helmimit” të popullatës, sidomos gjeneratës që po rritet, “gjeneratës së teknologjisë elektronike”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat