Liria e uzurpuar nga “revolucionaristët”

Kultura

Liria e uzurpuar nga “revolucionaristët”

Nga: Hejza Art Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Kur një popull ka nevojë për “revolucion mendimi” (problem i shtruar nga Sulejman Rushiti, regjisor)? Kur mund të jetë ajo kohë për një konstatim të tillë! Koha e sodit? Pa dyshim, kur shprehja e mendimi rrjedh nga një “gyp partiak”, kur mendimi është i disiplinuar dhe uniform me mendimin e liderit politik, kur ngulfatet mendimi i “fakirit”, kur ndrydhet nevoja për shprehje të mendimit alternativ, kur bllokohet fjala e intelektualit, kur shantazhohet intelektuali, kur blihet intelektuali me një post, me një projekt, me një detyrë – ky është ai moment për “revolucion mendimi”.

Revolucionet shpërthejnë vetëm kur liria është në zgrip të asfiksisë momentale (liria nuk vdes kurrë!) kur jeta humb kuptimin e vet, kur hyjnizohet pushteti politik deri në religjion “që i bën mirë shpirtit”! Në momente të tilla shpërthen revolucioni dhe me të drejtë pushteti duhet t’u takojë revolucionaristëve. Por, kjo e drejtë humbet në çastin kur revolucionaristët uzurpojnë lirinë!

Liria humb domethënien e vet në momentin kur identitetin kulturor ta “qepin” militantët partiakë, ata që në jetën e vet nuk kanë lexuan më shumë se tre tituj librash (pra, jo gjithë librin)! Platformën e zhvillimit të këtij identiteti ta shtrojnë dibiduzët, të cilët janë në gjendje “ta vrasin” me oratorinë e tyre “revolucionariste” çdo kulturolog, çdo intelektual që mund të jetë edhe nderi i kombit.

Nëse injoranca është masë tumorale në trup të identitetit kulturor, mediokriteti është kancer i këtij identiteti! Kur të shtrihet përtokë mendimi intelektual, atëherë në sipërfaqe dalin arrivistët, mediokrët, pseudomendimtarët, shitësit e dushkut për gogla! Për fat të keq, ky është realiteti anekënd viseve tona etnike, realitet që pasqyron rikthimin tonë në kohën fishtiane, me një përjashtim esencial: nëse atëbotë të tjerët e shfrytëzonin injorancën tonë për t’u tallur me ne, sot ne e shfrytëzojë injorancën për t’u tallur me vetveten.

Këtu te ne, në Shqipëri, “revolucionaristët” (PS) mposhti “injorantët” (PD) që “kostumin kulturor” të na e presin anonimusët! Intelektualët kombëtarë duhet të heshtin, sepse ata duhet ta dinë që buxheti shtetëror nuk është në duart e tyre! Në Kosovë “revolucionaristët” çliruan Kosovën dhe pavetëdije vazhduan avazin e mihjes në themel të identitetit kulturor. Këta u mposhtën nga “neo-revolucionaristët” (LVV) sa për t’i pensionuar të parët në mihje të këtij identiteti. Në Maqedoninë e Veriut e gjetiu nëpër viset tona etnike, “revolucionaristët” (BDI) kanë gjetur metodën e bërjes së “kulturës” – duke i heshtur intelektualët!

Të gjitha partitë e tjera, të gjithë “intelektualët” e tubuar nëpër subjekte të tjerë, me t’u dhënë shansi për pjesëmarrje në qeveri, sakaq bëhen palë edhe të degradimi të identitetit kulturor. Koha është për politikë e jo për kulturë, ë! Për kusht në përfshirje në qeveri, nuk shtrojnë zhvillimin e identitetit kulturor, por postet ministrore e drejtoritë e ndryshme! Prandaj, regjisori nga Maqedonia e Veriu, Sulejman Rushiti, në një intervistë në “Hejza” klithë përvajshëm: “Ne kemi nevojë për revolucion mendimi”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat