Laureta Osmani: "Penda e artë, që mbulon bardhësinë e letrave shqipe!"

Kultura

Laureta Osmani: "Penda e artë, që mbulon bardhësinë e letrave shqipe!"

Nga: Laureta Osmani Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 22:17
Laureta Osmani

"Hi po të bëhesha, mjaft s'do të ishte; jo lot, por ujë po të lija, fund do të kishte"

(Pjesëz shkreseje...)

 Durimi - kjo puhizë mirësie e shprese, që pret agun pas muzgut e diellin pas shiut, që pret buzëqeshjen pas lotëve e qetësinë pas lëngimit, që pret bashkimin pas vetmisë e vetminë pas torturës; kjo dromcë, sikur se fije çibriti, përvëlon zemrën e ndriçon mendjen, të dhuron kthjellësinë pas ngatërrimit të përllogaritjes e të ndihmon në kornizimin e shpërfaqjes së humanes...

- kjo pasuri e paçmim!

Durimi - ky ledhatim i butë, atëbotë kur e gjithë qenia do të godiste; kjo heshtje filozofike, atëherë kur i gjithë trupi do të rrëfehej e do të mallkonte; ky mishërim mes shpirtit e Zotit, atëbotë kur njeriu veç njeri s'do të mbetej... 

- kjo ngjizje e pashembullt me mirësinë!

Durimi - kjo ofshamë e përvëluar, që doli nga zemra, se dëgjove atë, që mendja s'e kish imagjinuar dot; se pe atë, që s'do t'a besoje nga askush për asgjë; se kuptove atë, për të cilën vet ti, ndihesh në turp e në siklet; se krenarinë e dashurinë t'a paskan nëpërkëmbur ata, që ua ke dhënë rimëkëmbjen; se sinqeritetin e çiltërsinë t'a paskan përgënjeshtruar ata, që përmes mirësisë tënde arritën të bëhen njerëz e të pranoheshin në mesin ku janë...

- kjo vlerë e paçmim! 

Të është bërë obligim të durosh, se ke një arsye për të jetuar. Ke dikë për të bërë të lumtur. Ke dikë për të bërë krenar. Ke gabime që duhet t'i përmirësosh. Ke dyer që të janë hapur për t'i pranuar dëftimet e pendimit tënd për gabimet dhe mëkatet që ke shkaktuar. 

Mendove se aq e lehtë është? Të trazosh dhe të ikësh? 

Më vjen keq, por një mendim i tillë u takon të paaftëve, atyre që s'kanë guxim, atyre që kurrë s'jetuan! 

Ti, ke një festë, që ke premtuar se do t'a kremtosh. Ke një datëlindje, që pritet të hapet dhurata jote e shumëpërfolur. Ke fjalën e thënë dhe besën e dhënë, ndaj atyre që të dhanë jetë, pikërisht atëherë kur mendove se jeta mori fund. Ke punë për të bërë e premtime për të përmbushur. Ke agime me diell e ditë të buzëqeshura, që presin përqafime plot ngrohtësi. Ke dashuri, të cilën duhet t'a ndash me të tjerët, se t'ia falësh vetes, është shumë, s'e mban dot; e mos t'ia falësh të tjerëve sado që është, mbetet e kot. 

Ti, ke të ardhmen, që e ndërtove kahmotshëm e përbotshëm mbi durimin tënd - prandaj, duro që të jetosh!

Durimi... sa përulje, aq bekim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat