​Nesër nis Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2022”

Kultura

​Nesër nis Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2022”

Më: 22 janar 2022 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Edhe sivjet, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”, në Gjilan, që nis më 23 janar dhe zgjat deri më 28 janar. 

Në natën e parë, është paraparë që të jepet shfaqja “Viganët” me tekst të Visar Krushës e regji të Ilir Bokshit, ku do të paraqiten aktorët e Teatrit të Gjilanit. 

“Nata e dytë është e rezervuar për shfaqjen “Aroma e Hënës” me skenar të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit, derisa në këtë shfaqje do të luajnë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “5 ditë mbret”, është shfaqja që do të jepet në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Kombëtare në kuadër të “Flaka...2022”, ku skenarist është Stafan Çapaliku e regjisor Gjergj Prevazi. Kësaj radhe nga Shqipëria, Festivalin do ta nderojë trupa teatrore e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça. Në mbrëmjen e katërt do të paraqiten aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, me shfaqjen “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj e me regji të Blerta Nezirajt. E në mbrëmjen e pestë do të paraqitet edhe një trupë teatrore nga Shqipëria, ajo e Teatrit “Metropol” nga Tirana, të cilët do të japin shfaqjen “GOF” nga Anton Pashku, me regji të Shkëlzen Berishës. Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar do të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, që është prodhim nga “Integra”. Të gjitha shfaqjet do të fillojnë nga ora 18:00. Ndryshimi i terminit ka ndodhur për shkak të masave të reja anit-Covid”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit. 

Festivali i dramës origjinale shqipe është një manifestim teatror me përmasa mbarëkombëtare. 

“Talia e Flakës” është njëra ndër shtyllat më të forta të manifestimit, me të gjitha prerogativat e një evenimenti unik e kredibil, si një element, ndër të parët e kulturës së bashkuar mbarë shqiptare, e me një gjakim fare të vetëkuptueshëm: që ta stimulojë e avancojë dramaturgjinë kombëtare, që t‘i inkurajojë e nxisë shkrimtarët e në radhë të parë dramaturgët, që ta begatojnë këtë gjini tonën, gjini e lloj letrar, i cili shkruhet (në radhë të parë) për t‘u inskenuar, më shumë se për t‘u lexuar si letërsi. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat