Gomari i Babatasit -Metamorfoza

Kultura

Gomari i Babatasit -Metamorfoza

Nga: Gjergj Fishta Më: 24 janar 2022 Në ora: 17:37
Gjergj Fishta

Ju rrugaca sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t`ndyet, mikrobe të kqi,
qi të mjerës moj Shqipni,
kthelltë hi i keni në mushkni,
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè,
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t`na qelbi fis e atdhè?


Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,


se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini,
se kah shkoni e se kah vini,
plang e shpi se kah i kini,
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m`do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me `i gjysmë setre t`pa astar,
lshuemum krahve kalavar,
e me `i komçë t`njtitme nën grykë:


pantallonat me “gjyslykë”,
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t`tanë gordec e berbalec,
pa ndo `i msim, pa ndonji dije,
me `i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t`gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,


sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n`”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s`kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë,
m`sahan t`huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m`pash,
edhe besa me “gulash”,
me “afishe” e me “sultjash”,


me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,
“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t`mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.


Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t`Atdheut
kane ra n`luftë si shqipe t`leta,
kanë shkri gja e shpija t`veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.


Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n`vend qi ju me u vu n`konop,
a se brinjt m`jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue,
me xjerrë zhuri kund m`ndo `i prrue,


për me shtrue ndo `i rrugë të shtetit,
a me dlirë ndo `i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça,
kqyrin m`ju si t`ishi ogiça,
për me u pri udhës s`qytetnisë,
e me i sjellë t`marën Shqipnisë.


Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit,
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo `i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,


Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s`po e gjeni dot,
nën kambë t`cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m`palc,
pleh i ndytë me u bartun n`shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.

– Gjergj Fishta

_______________________

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ishte At françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit (1908), anëtar i delegacionit të shqiptar në Konferencën e Versajës (1919), zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar (1921), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat