Njeriu që humbi gruan në Amerikë

Kultura

Njeriu që humbi gruan në Amerikë

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 26 janar 2022 Në ora: 07:41
Agim Xh. Dëshnica

Berti, mësues nga Tirana, u njoh me Elsën në Korçë, në një mbledhje kushtuar shkrimtarit Foqion Postoli. Djaloshi në çastin kur e pa, u mahnit nga pamja e saj, nga sytë, flokët e derdhur mbi supe dhe mënyra si fliste, por mbi të gjitha, nga urtësia e saj. Nuk thonë më kot: „Ja korçare, ja hiç fare!“ Elsa qe lindur e rritur në lagjen me rrugica, diku afër qendrës së qytetit romantik, ku sipas romanit “Çupat e Vançit”, gratë nën harqet e portave, me fshesë në dorë, merrnin në gojë gjithë dynjanë. Por Elsa qe krejt ndryshe, e mençur e sjellshme dhe mesuese me kulturë. Gjyshi i saj para lufte, pati qenë tregtar i njohur me tre dyqane, njëri me orendi shtëpiake, tjetri me basme, i treti me opinga e këpucë për burra e gra. Mbi portat e hekurta të dyqaneve, lexohej: “Gaqo T. Vançi dhe djemtë.”

Kur u hapën kufijtë, të dy krahë për krahë, morën rrugën drejt Sofjes me autobusin turk ”Izmir-sat”. Ndërsa po udhëtonin me trenin E-3, Sofje -Bukuresht, papritur vargu i gjatë i vagonëve, u ndal në stacionin e qytetit Ruse plot me turq, para urës mbi Danub. Berti pa e zgjatur, nxitoi për te dyqanet pranë platformës së hekurudhës. Teksa po mundohej më kot të merrej vesh rusisht me dy shitëse turke për “Vodkë” polake, treni pa u ndjerë u nis dhe ia mori gruan.

“Më la! - mendoi i turbulluar. - Si i bëhet tani? Ku mund ta gjej

Elsën?” Nga ky ankth i doli gjumi. I gëzuar si fëmijë vuri re, se ndodhej në shtrat. Hodhi sytë përqark. Jashtë pesë dritareve dielli i tetorit shkëlqente si në ditë korriku, i zbardhte edhe më grilat e brishta prej plastmasi. Në tavan rrathë të ngjashëm me pjata të bardha porcelani, të kapura njera me tjetrën, tregonin se ndodhej në vilën e drunjtë E-61, në Medford mbi Boston. Elsa flinte e nuk ndihej. Pra, e vërteta qe pak si ndryshe.

**

Pas kthimit nga Bukureshti, Berti dhe Elsa u larguan nga atdheu, në fillim të tetorit, kur mijëvjeçari i dytë po i qasej fundit. Nga Rinasi u ngjitën në qiell mbi Adriatik, me ajrorin A-3, të kompanisë Al-Italia. Përmes dritareve ovale së larti shikonin me trishtim fushat, pyjet e malet. U bëhej sikur atje, poshtë gjithçka lëvizte për nga jugu. Pas dy orësh, zbritën në aeroportin e Milanos. Nga larg shikuan vetëm çati, dritare, pemë e stylla. Të ngujuar rreth tre -katër orë brenda nëpër salla dhe korridore, qytetin e artit e soditën disa herë, vetëm në fotografitë me ngjyra të varura nëpër mure. Duhej të prisnin, herë ulur, herë duke ecur poshtë e lartë, deri sa, më në fund, me ajrorin e madh Boing Al–Italia- fluturuan mbi Atlantik. Në qiell shijuan pije me ngjyra dhe ushqime të lehta në pjata e gota plasmasi, të servirura nga stjuardesa përherë të qeshura, por jo aq të bukura, siç tregojnë reklamat. Hanin e pinin udhëtarët tanë, tok me të tjerët, si në restorantin e hotel Drinit. Lexuan revista në italisht, ndërsa filmin në televizor nuk po e kuptonin. Hera - herës hidhnin sytë jashtë dritares, nga dukeshin, aty-këtu, nën re si në hartë, Italia, Spanja, Portogalia, detet si liqene dhe vargmalet. Lëvizja e ajrorit tregohej edhe në tabelat elekronike të vendosura lart. Tej mbi oqean, ku thuhet se ndahet dita me natën, befas dritaret u mbyllën. Ata, së bashku me udhëtarët e tjerë, pasi kishin hequr brezat e sigurisë, kthyen vështrimin në ekranin e televizorit. Tani siguria shprehej tek besimi ndaj Zotit, dashuria për jetën, tek fluturimi i qetë i ajrorit Boing, tek mendja, sytë dhe duart e aviatorëve. Mbresa që nuk shuhen, ishte zëri i ngrohtë i kapitenit në radio, i cili njoftoi se po i afroheshin tokës amerikane, shfaqja e Bostont, midis drurëve, ujërave në bregdet, lumejve e liqenëve! Pastaj zbritja e avionit, takimi butë i rrotave në pistë, lëvizja me ndalë e Boingut drejt kullës me tre kate të Logan Aeroportit. Së fundi, frenimi, fikja e motorëve dhe shpërthimi i duartrokitjeve të pasgjerëve të çliruar nga brezat e sigurisë. Më tej, hyrja në portat që hapeshin e mbylleshin vetiu, korridoret lëvizës, shkallët rrëshqitëse, sallat e gjera dhe doganierët.

Pas kontrollit e vulosjes së pasaportave, u takuan përmallshëm me birin e tyre. Sapo dolën në rrugë, u hasën me sherifin shtatlart të “steit polis” me qortime për veturën e parkuar gabim. Djali i doli përpara e foli me një anglishte të pastër:

-Më falni, sër! Jam shqiptar, ndërsa këta janë prindët e mi! Jam paksa i hutuar. Kemi shumë vjet që s’jemi parë.

Oficeri elegant, me kapele republikane, i pa të posaardhurit, u mendua pak dhe i nderoi:

Uellkom in Amerika!- u tha i qeshur.

dhe Elsa të lodhur me çanta ndër duar, ato fjalë i morën vesh nga sjellja e fisnke e ofierit, ndaj i buzëqeshën duke ulur paksa ballin. Kur hipën në veturë, e mblodhën veten dhe u gëzuan.

Përshtypjet e para ishin rrugët e gjera e të pastra, automobilët e shumtë, ndërtesat e larta pranë oqeanit, kulla me xhama blu Xho Henkok dhe pak më larg Prudenshëlli madhështor; gjelbërimi, lumenjtë dhe urat.…Vendi, ku do të banonin, me emrin Medford, në atë muzg me perëndim të purpurtë “uajlld uestern”, u kujtonte Mangalemin dhe Goricën e Beratit.

Qysh atëherë kaloi shpejt një vit i mbushur me habi të këndshme, jo si ato të Kristofor Kolombit, në kohëra të hershme. Pra, ata të dy, Berti dhe Elsa, nuk patën fatin t’i zbulonin të parët indigjenët e kulturës së lashtë indiane me kalorësit trima mbi kuaj të shpejtë, pupla, harqe, shigjeta e tenda me majë e sokëllima yahoo! Ata zbuluan një popull tjetër, me kombësi e raca nga më të ndryshmet, me kapele dhe bluxhinse ala-amerikane, ndër vetura, autobusë e trena të zhurmshëm, që nxitonin në autostrada, mbi ura, nëpër tunele, nën ujë e nën kullat qiellçarse të reja. Vështronin shpesh qiellin e pastër dhe gjurmët e bardha, që linin pas ajrorët e mëdhenj të kompanive Panamerikan, Lufthansa, Al-Italia etj. Shikonin hera - herës në ëndërr Tiranën, sheshin Skënderbej me shatërvane dhe zgjuheshin…

**

Hejmarketi është qendra, më e lashta e Bostonit, ku përbri

kishave e ndërtesave të larta, ngrihet kulla e orës së qytetit, e ngjashme pak me Sahatin e Xhamisë Et’hem Bej në Tiranë. Kulla shërben edhe si hotel për turistët. Në parkun e gjelbërt shtatoret e bronxta të guvernatorëve të vjetër heshtin nën hije mbi këmbësore mermeri, a rrafsh me tokën, apo ulur në fronat e pushimit. Të shtunave këtu vërshojnë turistë të shumtë. I sheh tek ulen pranë shtatoreve dhe dalin në fotografi me ta. Pastaj, njëri pas tjetrit,ecin më tej drejt përmendores “Holokaust”, me shtatë kulla të larta të krijuara me tuba hekuri dhe të veshura me xhama të trashë, ku janë gdhendur kumte dëshmitarësh dhe numrat që mbanin viktimat në kampet Majdenek, Ausviç, Sabibor, Belzek, Kelmno, etj.

Në sheshin ngjitur dëgjohen kitarat spanjolle, fyejt e ëmbël bolivianë dhe bubullimat e tambureve afrikanë. Në stadiumin e vogël në trajtë gjysmërrethi, matanë rrugës kryesore, nga kombësi të ndryshme jepen shfaqje me këngë e valle. Në anën veriore ngjitet Hanovër Strit, një rrugë e pastër, që përshkon tejpërtej zonën North End, me lokale të shumta, kafe, pastiçeri, ku dëgjohen të folura italisht, këngë napoletane dhe violina milaneze.

Në pazarin e zhurmshëm si gjithë pazaret, tregtarë bullafiqë, kryesisht me prejardhje latine, bërtasin sa u merr fyti: “Dallar beg! Bak e beg! Dallar, dallar!”, ndryshe nga sjellja e urtë e shitseve në supermarketet marramendëse, si Stop end Shop, Uollgrins, Failins, Bixhejs, Target, Best Baj, Homdipod, Big. Kej Marti, etj.

***

Një të shtunë, aty nga mesdita, Berti me kapele “Boston”, Elsa me çantë në sup, me autobusin 90, mbërritën në Esembli Skuer (Sheshin i Mbledhjeve”), në B-K.Marti. Ky dyqan i madh ndodhet mbi Boston, në zonën e Samervillit. Aty shiten mallra gjithëfarësh, ushqime e pije, veshmbathje e mobilje, pajisje sportive, mjete shkolle, si dhe aparate elektronikë.

Elsa, pa u thelluar shumë, tha:

- Mbarojmë punë këtu, pastaj me autobusin 92, shkojmë për pazar në Hejmarket!

- Si të thuash ti, ashtu do të bëj edhe unë! Ti na solle këtu, ti do të urdhërosh! Boll urdhërova në Shqipëri!

Portat kryesore kanë të shkruar “in,” hyrje, dhe ‘exit,” dalje. Me këto shenja Bertit i pëlqente të sajonte në shqip: “Hyr” e “Ik!” Ndërmjet dy portave, brenda qëndron në këmbë një burrë i moshuar, i shkurtër, i shëndoshë e faqesimite, me kapele “Patriot”. Herë pas here u hedh një sy të shpejtë faturave. Kur porta “exit” lëshon tingullin ring-ring, blerësit kthehen të shqetësuar. Njeriu me kapele, duke buzëqeshur e zgjidh çështjen aty për aty. Si duket, arkëtarja s’ka shuar sinjalin e mbrojtjes nga vjedhësit!

Bertit iu kujtua një dyqan ushqimesh me vetëshërbim, që u hap në Tiranë, në rrugën e Kavajës, për eksperiment gjatë diktaturës. Me shportë në dorë merrje lirshëm atje nga raftet mallrat ushqimore. Pasi mbaroje punë, duhej t’i afroheshe arkëtares nëpër një kalim të ngushtë. Porta nuk kishte as ring-ring, as pi-pi-pi. Pa kaluar shumë kohë, ai shërbim tregtar i përparuar u mbyll e nuk u hap më. Ç’kishte ndodhur? U përfol se dyqani me vetshërbim pati dalë me humbje, Arkëtarja e gjorë u dënua për shkak të mungesës së ring-ringut. Më tej u vazhdua me tolona. Njerëzit prisnin në radhë, duke lexuar gazetën, kurse në mesnatë rrinin rreth zjarreve të vegjël, që ndiznin në trotuare.

Kur hyn në “B-K.Marti”, duhet të vësh syze dielli për shkak të neonëve me shkëlqim të fortë. Të verbon pastërtia e bardhësia e dyshemesë, e rruginave me rafte e varëse të ngarkura me mallra. Pa le, dëgjon edhe muzikë klasike, të qeta ose moderne. Mallrat e zgjedhura i vendos në karrocë dore metalike, ku edhe mund të hipësh fëmijët e vegjël. Ka edhe mjete me motor elektrik, me të cilët bredh rreth e rrotull tok me sendet e blera. Vetëm, kur do të paguash, çmallesh me radhët tona, përjashto ata që paguajnë me kartë bankare në makinat elektronike, që flasin si njerëz, madje në fund të thonë: “Thenk ju for shoping!” Edhe këtu nuk mungon parulla me dy krahë, a reklama “Baj uan, get uan fri !” - Bli një më parë, tjetrën e ke të lirë!”, e ngjashme me thirrjet në pazaret e vjetër të Elbasanit, të Tiranës e të Shkodrës: “Sot me pare, nesër pa pare!”

Sapo hyri, Elsa u nda e humbi në pyllin e dendur me fustane, bluza, këmisha, funde, bizhame, çorape, etj.

Berti ia mbajti për në repartin e elektronikës. “Oh, çfarë nuk paska këtu! - fliste me vete. - Radio, manjetofonë, televizorë, kamera, kompjuter, printera, aparate fotografikë, Sharp, Filips, Soni, Leksmark, Kodak… Njëri më i mirë se tjetri!”

Iu kujtua dita, kur për herë të parë bleu me autorizim televizorin bardhë e zi, Samsung, të montuar në Durrës si s’ka më mirë, me pjesë të importuara nga Koreja.

“M’u deshën atëherë, - mendoi ai, - 4200 lekë të reja borxh, që do të thoshte të dimëroje si ariu në strofull, plot gjashtë muaj. Televizori kishte vetëm katër kanale, nga të cilët punonte vetëm një, ai i Tiranës. Kurse këtu një televizor me ngjyra Filips apo Soni blihet me punën e një a dy ditëve të zakonshme. Kurse programeve nuk u gjendet as maja e as fundi.”

*

Berti i hutuar pas mallrave dhe kujtimeve, nuk vuri re se koha po rrëshqiste. Deshi t’u hidhte një sy mobiljeve, por ndërroi mendje. Duhej të shkonin në Hejmarket. Ndaj i ra tërthorë dyqanit të madh dhe vuri re i habitur se qe ngatërruar nëpër veshjet e brendshme të grave. U tërhoq djathtas dhe doli prapë atje, prej nga kishte ardhur, sërish përballë televizorëve viganë me ngjyra, ku nëpër ekrane përplaseshin si bizontë lojtarët e fuqishëm me kaska të futbollit amerikan. Iu bë se ishte ulur te shkallët me stola të butë, në stadiumin shumëngjyrësh në Park-uej.

- Ju lutem, ku është dalja? - pyeti një vajzë flokëverdhë e faqegurabie me uniformë të kuqe.

- Shkoni drejt dhe merrni djathtas! - iu përgjigj ajo.

- Thenk ju!

Berti eci shpejt e shpejt në atë drejtim, duke parë përbri rreshtat e rrobave të grave. Si duket, Elsa kishte humbur në atë pyll me veshje, si Liza në botën e çudirave. Ndërkohë, ai u gjend para portës “exit”, por Elsën s’po e shihte gjëkundi! Hodhi sytë në rruginat e drejta, por më kot! Brodhi brenda e përqark portave, thuajse një orë, për ta gjetur, e përsëri s’ia zunë sytë! I nevrikosur doli në rrugë. Eci poshtë e lart nëpër trotuar dhe së fundi hyri në kabinën e pritjes pranë tabelës “stop!”, tek vinin në minuta të përpikta autobusët 90 e 92. Atje ishin ulur katër plaka amerikane me flokë të verdhë bukle-bukle e me veshje vajzash. Në qafë mbanin rruaza bardhë e blu, ndërsa në gishtrinjtë e duarëve - unaza floriri me diamante. Flisnin pa pushim, duke e ndërprerë njëra - tjetrën. Berti kapte tek - tuk ndonjë fjalë të tyre në atë bisedë të shpejtë. Atë kohë në kthesë u shfaq një autobus. Para “stopit” ai ndaloi, pa e fikur motorin. U hap porta e parë.

- Autobusi 92! - thirri shoferja.

Berti kishte vënë re se në Amerikë autobusët drejtohehen nga burra e gra të moshave të ndryshme. Shoferët janë me uniforma blu, disa të qeshur, disa hijerëndë e pa fjalë, disa të hollë, disa të trashë, të gjatë e të shkurtër, të rruar, me mjekër e mustaqe, madje edhe pleq, por të shkathët. Thuhet se në ditë të shtuna e të diela, si shoferë punojnë edhe studentë, nëpunës e punëtorë, të pajisur me patenta.

Njëherë në Nju Jork, pasi kishte ecur në këmbë nëpër rrugën e drejtë, numër 10, ai hipi në autobusin e linjës Bronx-Manhaten dhe zuri vend në ndenjësen pranë shoferit. Duke vrarë mendjen, lidhi disa fjalë anglisht:

- Unë kërkoj treni Boston! - tha.

- Nga jeni ju?

- Albania!

- Vërtet? Jua gjej unë stacionin.

- Po ju lindur këtu? - e pyeti Berti shoferin.

- Jes! Në Nju Jork! Në rrugën Broduej. Dikur kam qenë kampion në boks.

- Boks! A, a, gud sport!

Ishkampioni qeshi.

Boksier unë!- ia ktheu Berti, duke lëvizur grushtet mbi gjoks.

- Ou men!

Pastaj shoferi nisi t’i tregonte vendet që përshkonte autobusi.

Berti dëgjonte, por shumë fjalë s’i merrte vesh, megjithatë tundte kokën

së koti.

-Të pëlqen Amerika ?

- Jes! Veri najs! (Po, është shumë e bukur!)

*

Ndërkaq, plakat hipën ngadalë në autobusin 92 dhe zunë vend në krahun pranë shoferes. Berti hipi pas tyre si me mëdyshje, vështroi edhe një herë përtej xhamave supermarketin, dhe e vërejti shoferen si i hutuar. Ishte e re, flokëverdhë, e qeshur dhe e hijëshme.

-Iskjuz mi, - nisi t’i fliste me një anglishte të çalë, - unë humbi grua! Mund zbriti dhe shofi prapë te dera dyqani?

Shoferja qeshi. Në kor qeshën edhe plakat.

- Okej!

Berti kërceu poshtë dhe u fut te “in-i”, pa nga larg sallat pa mbarim, dhe doli nëpër “exit”. “Nuk është gjë! - tha me vete. - S’ka Elsë këtu!“ U kthye me nxitim. Hipi përsëri në autobus, hodhi 15 centë te arka dhe u ul përballë plakave. Për të larguar mërzinë, vendosi të vazhdonte bisedën e nisur.

- Grua nuk gjetur! Humbi grua ime!

Katër femrat e plakura me bukle u kukurisën, teksa atobusi bëri përpara. Rrugës, grupi katërsh i grave të moshuara nisi një bashkëfjalim gazmor me shoferen. Asnjëra nuk e pyeti Bertin nga ishte, ç’punë bënte e ku banonte. Fjalët që thoshnin, siç kuptohej, qenë aq të këndshme sa për pak shoferja e kaloi një udhëkryq, kur semafori ishte ndezur tek e kuqja. Frenimi qe i fortë dhe, ndonëse udhëtaret plaka u epën përpara, arritën të mbaheshin për bukuri. Fjalët u prenë, dëgjohej vetëm motori i fuqishëm, kur makina e gjatë çante drejt qendrës së qytetit...

Berti u hodh e tha:

- Unë humbi grua ime, po unë tjetër gjej…

Kaq u desh. Biseda u ringjall më e fuqishme me hahaha e hihihi!

Në një “stop” hipën dy gra të kolme, rreth të dyzetave, me tipare sllavesh, pa shumë ondulacione. Paguan dhe u ulën përbri Bertit, të vetmit burrë në autobus, me kapele blu “Boston.” Nga pamja ai i mori ato për ruse.

- Vi ruskie? - i pyeti.

- Da, S Maskvi!

Në atë kohë ndërhynë plakat me të qeshur, e u folën ruseve për gruan e tij që kishte humbur në supermarket.

Ato ua kthyen me një anglishte të bukur dhe pastaj, të shtata së bashku, ia plasën gazit. Një nga moskovitet iu kthye Bertit në anglisht:

- No problem, çenxh dhe uajf! ( S’ka rëndësi! Ndërroje gruan!)

- Jes! Oçen harasho!- iu përgjigj Berti në dy gjuhë, duke e vështruar rusen drejt në sy, midis të qeshurave, si në pijetore.

çdo “stop” zbriste nga një plakë. Në ndalesën e parafundit u larguan edhe ruset. Asnjëra nuk e përshëndeti Bertin, veç shoferen. Autobusi 92, i mbushur me udhëtarë të tjerë, ndiqte udhën e zakonshme. Shoferja shtrëngonte timonin dhe shihte me kujdes sinjalet. Pra, shakaja kishte marrë fund me aq. Por, shqiptari me kapele amerikane “Boston”, diçka bluante me mend.

Ja, rruga e gjerë, vetura poshtë e lart, kulla e orës së qytetit, ndërtesat e larta dhe pazari i madh!

Pranë tabelës “stop” autobusi i shpejtë ndaloi.

- Hajmarket ! - thirri shoferja.

Berti u ngrit dhe eci drejt daljes, duke u mbajtur nëpër tubat e emaluar. Para se të vinte këmbët në shkallët e autobusit, i foli flokëverdhës afër veshit me anglishten e vet.

- Unë ndërroi grua, marr tjetër, si ju!

Shoferja qeshi dhe thirri si të ishte përmendur:

- O, maj gad!

Berti kërceu në trotuar, ngriti dorën dhe ia tundi shoferes.

Autobusi u nis me zhurmë.

*

Berti brodhi rreth e qark nëpër pazar, mbushi qeset plot me fruta e zarzavate dhe u kthye në shtëpi. Elsën e gjeti në kuzhinë tek mundohej më kot të hiqte nga një shishe qelqi tapën e sertë. Filloi në mes tyre një bashkëfjalim paksa i zhurmshëm:

- Ç’u bëre, ku humbe, ku e ke mendjen?! Plasa duke të kërkuar!

- Po ti? Mbete rrugëve! U harrove kafeneve! Të mbetën sytë te fustanet e grave!

Berti mbahej si burrë dhe bënte sikur nuk dëgjonte çfarë sajonte e shoqja. Kur gjakrat u ftohën pak, e pyeti:

- Ujë mineral na paske blerë? Po bidonat në frigorifer nuk të mjaftojnë?

- Hapi sytë! Shikoje mirë se ç’është!

- Ou! Vodka Polake!

- E mora për ty!

- Polakët vdesin për këtë të shkretë pije….

Pas tri javësh, Berti dhe Elsa do të shkonin prapë në Hejmarket. Rastisën shoferen bionde simpatike me autobusin 92. Ndërsa kalonin përbri saj, Berti iu afrua dhe i tha:

- Mem! Aj faund maj uajf! (Zonjushë! E gjeta gruan!)

Ajo hodhi sytë drejt tyre, u kujtua dhe ia ktheu buzagaz:

- Sikur në gjithë Bostonin të kërkonit, si ledin tuaj nuk do të mund të gjenit tjetër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat