Me rastin e 7-8 Marsit

Kultura

Me rastin e 7-8 Marsit

Nga: Emine Hoti Më: 8 mars 2022 Në ora: 14:43
Emine Hoti

Mësuesit e mi

 

“Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”.

N. Frashëri

 

Gjeta rrugën e vërtetë drejt shkollës,

Ajo më çeli dritare jete, më dha gëzime,

Në libra përjetova madhështinë e dijes,

Mësuesit ndriçuan të ardhmen time.

 

Shaban Jashari

Në festën e mësuesit kujtojmë,

Shaban Jasharin, hero drenicar,

Hero, mes mësuesve heronj,

Yll i ndritshëm në qiellin shqiptar.

 

Vazhduesi i traditave atdhetare,

Mësues, prind, patriot e luftëtar,

Si dikur rilindësit tanë të shquar,

Shembull lirie në botën mbarë.

 

Edukoi në breza mësimin e çmuar:

Me penë e pushkë mbrohet atdheu,

Jasharët dhe  mijëra heronj të tjerë,

Në panteon i mban sot mëmëdheu.

 

Çdo gur i kullës heroike në Prekaz,

Tregon se sa e çmuar është liria,

Ndaj nga kulla-kështjellë e Jasharajve,

Do të gjëmojë përjetë historia!

 

Mbroje atdheun!

“Mos pyet se ç`do të bëjë atdheu për ty, por ç`mund të bësh ti për atdheun”.

                                                                 Kenedi

Atdheun e ke nga të parët e tu,

Ata me punë e gjak e bën të begatë,

Atdheu është amanet i tyre i shenjtë,

Amanet i zemrës së tyre të zjarrtë.

 

Mbroje atdheun si të parët e tu,

Mos lësho prej tij asnjë pëllëmbë,

Toka që të lindi është kjo këtu,

Pushtuesit kurrë s`do kenë vend.

 

O trim dhe trimëreshë shqiptare,

Mbaje shpatën e mprehtë në dorë,

Dhe pushkën në krah shtrëngoje,

Armiku është dredharak e mizor.

 

Mbro veten, o trim e trimëreshë,

Mbro tokën dhe arat me grurë,

Mbro shtëpinë, qytetin, familjen,

Pushtuesi s`bëhet mik, kurrë!

 

Mbrojmë me vendosmëri atdheun,

S`frikësohemi kur dikush na sulmon,

Nëse s`i dalim zot vetes e atdheut,

Askush tjetër në botë s`na mbron.

 

Bëni mirë

 

Bëni mirë, o njerëz në këtë jetë,

Për mirë do të mbaheni mend përherë,

Edhe kur një ditë të largët të mos jeni,

Stërnipërit tuaj në zemra do t`ju kenë.

 

Anijen e ngas vetë

 

                    “Kur dielli shkëlqen të duan të gjithë,

                     në stuhi provohet kush të do vërtetë.”

                                                      Populli

Jeta si valët e detit,

Herë e qetë, herë me stuhi,

Dallgë të larta ngrihen mal,

Përplasen fort, tek unë, tek ti.

 

Nuk do të ndodhë që të dorëzohem,

Dallgët më kanë sprovuar në jetë,

Edhe kur ndodh që mungon kapiteni,

Anijen e jetës e ngas dhe vetë.

 

Bija të së ardhmes

                  

Në këtë ditë të festës sonë të shenjtë,

Ndihemi bija shqiponjash krenare,

Krenohemi me Nënë Terezën tonë,

Me heroinat tona legjendare.

 

Ecim në rrugën mendjendriturave Qiriazi,

Në shembullin e vajzave e grave luftëtare,

Mbajmë në mendje Shotën,Tringën, Xhevën,

Që dhanë jetën për trojet e shenjta shqiptare.

 

Rrezatojmë paqe, arsim dhe emancipim,

Luftojmë çdo ditë për begatinë e atdheut,

E duam të lumtur e të begatë Dardaninë,

Në ballë mbajmë flamurin e Skënderbeut.

 

Në çdo kohë edukojmë dinjitet dhe paqe,

Qytetari dhe humanizëm te fëmijët tanë,

Kemi vuajtur shumë ndaj paqen e duam,

Por, nëse duhet dhe pushkën kemi pranë.

 

Edhe ne si komb do t`përparojmë në botë,

Kemi gene dardane, nuk mposhtemi kurrë,

Me dije dhe vepra i japim atdheut zhvillim,

Dardani legjendare na ke shqipe në flamur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat