Dita vdes para syve të mi

Kultura

Dita vdes para syve të mi

Nga: Tahir Bezhani Më: 27 prill 2022 Në ora: 08:46
Tahir Bezhani

Vranësira moti më rrethojnë

Tërë ditën shi bie pa nda

Ushtojnë lugje, kërcasin dritaret

Nuk vërej hijen time që zgjatet

As tkurrjen nuk e vërej

Dëshirat stepen si myshqe

Dita vdes para syve të mi

Nye e kam lidhë fjalën me vetminë

Sillem vërdallë në dhomë derëhapur

Bisedoj pa zë me miqtë

Shpesh ngrij zërin

Pastaj i përqafoj

Nuk e besoni se si nata bëhet ditë!....

Përmallimet dregëzohen syve

Dita vdes në bebëzat e ngrira

Në vargje loza një etyd të vogël

Harresa mos t’i mbyll kujtimet

Unë do vdes pasi të ikë dita

Natën e ditës së re.....

 

PASTAJ MË LENI TË QETË...

Flisni, mos ndaloni asnjëherë

Shani, fyeni ,nënçmoni

Përgojoni si te doni!

Ngopuni, qeshni ironikisht

Por edhe gënjeni si të dini

Kënaquni si te dëshironi

Përsëri ju shikoj me dashuri

Kur të zgjoheni nga amullia

Shfletoni fletët e ndërdijes

Çfarë u thotë ndërgjegjjia

Ndërsa dritat e jetës rrugëtojnë

Dashuria fle në qeliza të trupit

Fshihet nën hijen e vetullave të bardha

Deti e përpin errësirën furtunave

Në rafte librash do të jetë porosia

Mësohuni ta duani njëri tjetrin

Tha dikur ai i lodhur nga shfaqja e jetës

Pas vdekjes më leni të qetë!

Por askush nuk e dëgjoi...

Nga libri ”Valset e Hirit” që do del së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat