Dialektet dhe nëndialektet e shqipes

Kultura

Dialektet dhe nëndialektet e shqipes

Nga: Zymer Mehani Më: 9 maj 2022 Në ora: 08:30
Zymer Mehani

Nuk ka aspak dyshim se pozita gjeografike dhe gjendja natyrore e Shqipërisë ka shkaktuar në një masë të gjerë shkapërderdhjen e grupimeve shoqërore, kurse malet e thepisura, lumenjtë e shumtë dhe mungesa e komunikacionit e kanë bërë të pamundshëm, deri në kohët e vona, mbajtjen e një kontakti të përhershëm midis bashkatdhetarëve, gjë që ka penguar deri edhe vendosjen e marrëdhënieve më elementare shoqërore ndërmjet fiseve të ndryshme  të Shqipërisë, duke ndihmuar në këtë mënyrë fushatën e diferencimit dialektor të shqipes.

Me gjithë kudërshtimet e çdo lloji, me të cilat është ndeshë gjuha jonë deri më sot, prapëseprapë githë të folmet shipe sajojnë dy bashkësi të mëdha dialektesh: gegënishten në Veri dhe në Shqipërinë e mesme dhe toskërishten në Jug. Kufirin natyror ndërmjet dy dialekteve e formon përgjithësisht Shkumbini, megjithëse dialekti gegë mbërrin aty-këtu edhe përtej këtij lumi.

Si njëri, ashtu edhe dialekti tjetër ndahen në disa nëndialekte:

a) Nëndialektet e gegërishtes janë:
1. Gegërishtja jugore (Tiranë, Elbasan, Durrës);
2. Gegërishtja veriperëndimore (Shkodër, Malësi, Tivar, Ulqin); 3. Gegërishtja verilindore (Kosovë, Shkup, Kumanovë);
4. Gegërishtja juglindore (Dibër, Gostivar, Tetovë) dhe
5. Nëndialekti i Borgo Erizzo-s (Zarë)
b) Nëndialektet e toskërishtes janë:
1. Toskërishtja lindore - në lindje te Vjosës (Berat e Korçë);
2. Labërishtja- në perëndim të Vjosës (Vlorë e Gjirokastër);
3. Çamërishtja – në Shqipërinl jugore dhe Greqinë veriore dhe;
4. Nëndialekti i Shqiptarëve të Italisë (i arbëreshëve).

Ndryshimet dialektore ndërmjet gegërishtes e toskërishtes janë fonetike, morfologjike, sintaksore dhe leksikore.

Dallimet dialektore ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes janë këto:

përdorimi i zanoreve hundore në gegërishten, mungesa e tyre në toskërishten (zâ – zë; bâj – bëj; i ambël – i ëmbël; nanë – nënë);

përdorimi i zanoreve të gjata në gegërishten me vlerë fonologjike, mungesa e tyre në toskërishten;

përdorimi i gjysmëzanores ë në toskërishten, edhe në pozicion të theksuar, që mungon në gegërishten dhe së cilës në disa pozicione i përgjigjet â hundore (hân – hënë; zân – zënë);

diftongu ue ose u në gegërishten i përgjigjet ua në toskërishten (të gjitha me prejardhje nga diftongizimi uo>o; due, du – dua; ftue – ftua, grue, gru – grua; mue, mu – mua);

togu vo- i gegërishtes i përgjigjet va- në toskërishten; voj – va, i vorfën – i varfër; 

në gegërishten një –n- ndërzanorem, së cilës në toskërishten i përgjigjet rotacizmi me –r- (zuna – zura, venë – verë, ranë – rërë);

bashkëtingëlloret e zëshme të gegërishtes në fund të fjalëve dëgjohen të pazëshme në toskërishten (elb – elp, kalb – kalp, zog – zok, i madh – i math);

togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj në toskërishten dëgjohen si dy tinguj të shquar, kurse në gegërishten reduktohen në m, n, nj (mbush – mush, vënd – ven, ngas – nas, ngjesh – njesh);

tingulli ndërzanor –nj- rrëgjohet në j në gegërishten (rrnjë – rrâj);

trajtave të së përkryerës së gegërishtes me –sha, -she u përgjigjen në toskërishten –nja, -nje (punojsha, punojshe – punonja, punonje);

huazimet nga turqishtja në gegërishten dalin me theks parafundor (paroksiton), kurse në toskërishten kanë ruajtur theksin e burimit në fund (káfe – kafé, tenxhére – tenxheré, ág – agá);

ndryshime në disa trajta të shquara të emrave në ue/ua; gegërisht thue – thoj, toskërisht thua – thonj;

gegërishtja i ruan mbaresat e foljeve me temë në bashkëtingëllore, toskërishtja i humbet mbaresat (un hapi – unë hapi);

toskërishtja i ruan mbaresat e pjesoreve, gegërishtja i humbet (hapur – hap, larë – la, shkruar – shkru);

në gegërishten është i pranishëm përemri vetvetor i vet, në toskërishten mungon;

në gegërishten ka një trajtë që merret si paskajore (me shkue), e cila mungon në toskërishten dhe zëvendësohet me një tog tjetër (për të shkuar);

Dallimet vihen re edhe në fushën e leksikut si edhe në sintaksë. Siç shihet, dallimet ndërmjet dy dialekteve të shqipes nuk janë aq të mëdha siç është pohuar disa herë në të kaluarën, kështu që plotësisht kishte të drejtë një gjuhëtar i huaj, kur pohonte: “Ndryshimi ndërmjet dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël se ndryshimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera: nga pikëpamja praktike ndryshimi ndërmjet dy dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi…”

LITERATURA:

*Shkurtaj, Gjovalin (2016): Dialektet e shqipes. Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore (…). Tiranë: Botimet Morava;
*Demiraj, Shaban. Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Shkenca (Tirane) 1999;
*Gjinari, Jorgji . Dialektologjia shqiptare (Prishtinë) 1972.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat