Poezia e poetit Safet Sadiku

Kultura

Poezia e poetit Safet Sadiku

Nga: Zymer Mehani Më: 10 maj 2022 Në ora: 17:57
Libri

Poeti Safet Sadiku nuk është zë i ri në pozinë shqipe, ngase ky emër është i njohur për lexuesin shqiptar që nga vitet „80 të shek. XX, kur ishte student i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai shquhet për mendimet dhe aftësitë krijuese të të vërejturit të zhvilluar të dukurive dhe të fenomeneve, si dhe të problemeve e të çështjeve të ndryshme. Ky autor është i vetëdijshëm se prej krijuesit kërkohet paraqitja e problemeve dhe e çështjeve jetësore, pasqyrimi i realitetit dhe i çdo gjëje që e thotë, në mënyrë të përmbledhur, koncize, me fjali të dendura që shprehin mendime të thella, elemente këto që ua shtojnë vlerën edhe më shumë poezive të tij.

Në poezitë e Sadikut, vërejmë elemente të përjetimit artistik, të bukurisë së fjalës dhe të mendimit, që na shtyjnë për të menduar dhe për të gjurmuar për problemet dhe çështjet që autori i trajton dhe i shtjellon në vargjet e veta. Mund të themi se poeti Safet Sadiku na ka dhuruar poezi që shquhen me tema dhe motive (vendlindja, kurbeti, dashuria etj.), e ky fakt tregon se ai e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili shikon dhe heton çështje thelbësore të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë, duke i shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj për t‟i thënë ato që i mendon, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të realitetit.

Safet Sadiku është nga ata poetë, që e ka të theksuar mallin e dhembjen për truallin (tokën) dhe popullin, i cili në horizontet e poezisë shqipe po vjen për të zënë vend me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit ose stilin e tij krijues. Tematika dhe motivet e autorit Safet Sadiku janë shumë e larmishme, duke i marrë temat e motivet qoftë nga e kaluara, qoftë nga aktualiteti.

Tri janë temat që shtjellohen më tepër në poezitë e poetit Sadiku: tema e atdheut (të robëruar dhe të lirë); tema e kurbetit (malli për vendlindjen) dhe tema e dashurisë (më e pakët në sasi). Motivi atdhetar është më kryesori, prandaj edhe mund të quhet lajtmotiv i poezisë së tij. Poezitë atdhetare („Lotët e atdheut“, „Kush po na thërret“, „Perëndia lëshon porositë“ , „Populli të këndon Jusuf Gërvalla“ të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një theks të veçantë aktual, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj.

Tema e atdheut dhe motivi atdhetar edhe në poezitë e Safet Sadikut shpesh do të plekset me motivin e mallit për vendlindjen. Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi që atdhe do të thotë vendlindje, dhe pasi që poeti prej kohësh jetën dhe vepron larg atdheut. Ja, si e shpreh ky poet mallin ndaj atdheut: O atdheu ynë shqiptar, Pa ty s‟i mund të jetoj vallë!? Edhe pse n‟detin Baltik kam ardhë, Në mërgim të gjithë kemi një mall- Për të dëgjuar zërin kombëtar, (Poezia „Atdheu).

Në shumë poezi, poeti Sadiku, atë mall që e djeg porsi eshkë do ta pasqyrojë duke e kujtuar tokën (truallin) e djegur, konakun e përflakur, nënën, vëllanë, motrat, shokët, miqtë e përndjekur nga armiku shekullor etj. Prandaj poeti porosit: „Aty ku lindëm si shqiponjë Vatrat tona duhet t‟i gëzojmë. Aty ku dielli ynë është përgjithmonë Le të mbesim se kurrë nuk vdesim Në vatrën tonë, me shumë jehonë“ (Poezia „Larg vatrës“) Ndër poezitë, ku trajtohet motivi social dhe i kurbetit, nga më të bukurat janë poezitë: “Po vazhdon”, “Sonte nuk po qan askush”, “Loti i vashave”, „Larg vatrës“ etj., ku autori ka ravijëzuar me realizëm jetën e vështirë e me andralla në kurbet, gjendjen e pavolitshme ekonomike të njerëzve kurbetçarë, dashurinë në mërgim etj.

Ja si e paraqet jetën në kurbet poeti Sadiku: „Fëmijtë pyesin prindërit -Babi, ku jemi, çfarë vendi është ky? Përse kemi ardhur në këtë mal?! Në këtë vakum, pse nuk ka njerëz?! Pse, s‟kemi muzikë shqip? As televizion jo?!...“ (Poezia „ke ardhur?!“) Janë këto tematikat e motivit shoqëror, që na e rikujtojnë të kaluarën dhe aktualitetin tonë, kudo nëpër botë, si dje, ashtu edhe sot. Këto tema autori i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.

Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) të poetit Safet Sadiku janë perla poetike, ngase vërtet janë të bukura, si p.sh. poezia “Të kërkova”, në të cilën autori Safet Sadiku do të shprehet: “ Njëzetepesë kilometra bëra udhëtim Ty e dashur të kërkova në takim Po atë ditë fare s‟ke dalë në punë S‟e ke ditur se kam ardhur unë...” Lirika tjera të dashurisë janë edhe „Mos e përsërit më“, „Ti më bëre për veten tënde“, „Atë natë“ e ndonjë tjetër. Këto lirika lexuesi mund t‟i gjejë nëpër faqet e gazetave dhe revistave të botuara në Kosovë, gjatë viteve ‟80 e ‚90 të shek. XX, por shpresojmë se autori do të na i përmbledh edhe në ndonjë buqetë poetike (vëllim të veçantë).

Veçoritë teoriko-letrare që i shquajnë këto poezi janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh. Me pak përjashtime poezitë e Sadikut shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s‟janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit. Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar.

Poeti Sadiku e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun (metrash të ndryshëm), duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme (krahasime, metafora, hiperbola etj. etj.), vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të poetit Sadiku për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

Poeti Safet Sadiku në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë, pasi që është edhe studiues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat