Atdheu im është vatra e Perëndisë

Kultura

Atdheu im është vatra e Perëndisë

Nga: Xhelal Hoxha Më: 11 maj 2022 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Adnan Mehmeti është njëri nga personalitetet më të jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Amerikë. Ai është poashtu një poet i shkëlqyer. Vargu i tij ka peshë, forcë, ide, maturi, dhe një shprehje të brishtë e të fuqishme, në të njëjtën kohë. Duke apeluar te mjetet letrare, siç janë epiteti, krahasimi, metafora, duke i njohur çështjet e stilistikës letrare, poeti din të krijojë përfytyrime të vlefshme estetike, poezitë e tij duke dhënë përshtypjen e tabllove të pikturës në fjalë, me ngjyra të gjalla, duke peshkuar detaje të rëndësishme dhe një aspekt të realitetit. Biografia e kofshëve të mia, sipas poeteshës rumune Mirela Lungu, dhe Historia lakuriqe, sipas vokacionit burrëror të këtij poeti shqiptar: “Më mori për dore,/ Më shtriu në krevat,/ Lakuriq/ Mësuam historinë e njëri-tjetrit”. Duke kaluar nëpër Londër, i fanitet harresa dhe symbyllur dashuroi, kur dafinat ishin tharë në kurorë, kur e kuptoi se kishte harruar, sytë për t’i hapur (2006). Në vargun e tij, të mbrujtur me konotacionet e lirikës patriotike, meditative dhe erotike, nuk ekziston monotoni, ambiguitet, apo mungesë perspektive në spektrin e opusit të tij letrar. Duke e përshkruar refugjatin shqiptar, vragë la fjala, kur trimi e dha besën, se te e dashura e tij do të kthehet.

Poeti i admiron shqiptarët ngado që janë. Atdheu sipas tij është vatra e Perëndisë. Konform vlerësimeve kritike, lirikën e tij e zotërojnë përfytyrimet mbi hapësirën, vendin, kohën dhe dritë-ngjyrën. Vëllimit të tij më të ri, Ndajfoljet e vendit, ia shton vlerën një parathënie briliante e Fatmir Terziut nga Londra (Disimietria perceptuese dhe filozofia “sekrete” e numrave në poezi), si dhe katër ciklet me 168 poezi: Me kuajt e erës përtej detit, Zgjedhja e vendlindjes, Trillet e dashurisë, Adresa ime numër 74, Në cep të diellit, Mbretëresha e zemrave të zgjuara, Letargjia, Vend Perëndie, Diellin e kam futur në xhep, Dashuri e vazhduar, Festa larg atdheut dhe Ecje vertikale. Duke notuar në kuadrin e përmbajtjes me titujt e vjershave, konstatojmë se poetin e josh deti dhe buzëqeshja e Misisipit, San Antonio dhe pemët e rrëzuara, Çamëria jonë, Ylli i Afërditës dhe arbëreshët, Kalaja e Ulqinit dhe zjarri që nuk shuhet, Skënderbeu në Bujanoc dhe betimi i ushtarëve ilirë, kushtrimi dhe malli që djeg, këpucët e vjetra dhe shtëpia me xhama të tejdukshëm...

Adnan Mehmeti dëshmon një fantazi inteligjente, duke zgjedhur kategori të qarta në fushën e shpirtit, duke patur një platformë të gjerë frymëzimesh, si dhe një shije të veçantë për shprehje koncize. Fakti që arrin të krijojë koncepte, domethënë filozofi, edhepse e anashkalon sqenarin e vargut me rimë, poeti krijon një strukturë moderne të shprehjes së lirë, përmes një stili të zgjedhur, të kontrolluar, elegant dhe hijerëndë, pa u bërë pre e klisheve klasike dhe retorikës monotone. Edhe algoritmi i poemave, ciklet ku janë përfshirë, titujt e tyre, si dhe motive tjera metaforike, të stilit e të tekstit, i japin veprës respektive koloritin e një sinqeriteti të jashtëzakonshëm që rilind në mënyrë sublime nevojën për të vërtetën që e duam dhe që e imagjinojmë, për momentin duke shfletuar vetëm disa tituj: Ecje vertikale, Lojë magjike, Dëshirat e dështuara, Anijet ilire, Në pritje të Skënderbeut, Dëshira dashnorësh, Nëna e poetit, Me Nolin në Boston, Rikthehem në histori, etj. Apo strofa të shkëputura si “Në shtëpinë me xhama të tejdukshëm/Varroset turpi i tyre;/ Ata nuk vlejnë më shumë/ Se historia e një morri.” (162).

Poeti është një qenje e brishtë që ka të drejtë, porsi ushtari i lirisë, ta konsiderojë veten si një gur kulle. Atdheu sipas tij është “Vend Perëndie”, ndërsa Skënderbeu: “Mburojë e Arbërisë”. Gjeografia sipas poetit është “një shtojzavalle e pakapshme”, kur “hartat barten me trenin e fundit të ditës,/ me pasagjerë që nuk flasin gjuhën e ikjes.” (107). Duke u karakterizuar përmes koherencës dhe ekspresivitetit, përfytyrimet dhe analizat e tij janë të matura, të pjekura, ledhatuese dhe me një logjikë joshëse. Lekturimi i Ndajfoljeve të vendit na zbulon një autor me një shpirt të lirë, të hapur, të ekuilibruar, me një qëndrim relaksant, i zhveshur nga çfarëdoqoftë paragjykimi. Vargjet e tij flasin për rëndësinë e gjallërimit në një univers unik, real dhe estetik. Adnan Mehmeti është një poet i implikuar në përditshmërinë tonë, që përshkruan çdo gjë që sheh, madje edhe ate që e dëgjon, duke e kthyer shikimin mbi përmbajtjen e shpirtit të tij, duke u shndërruar kështusoj në një poet autentik, me personalitet, origjinalitet, dinjitet dhe identitet.

POET I PËRJETIMIT TË THELLË ARTISTIK DHE SHPIRTËROR

Nga ana e Besim Muhadrit kuptojmë se shumica e krijuesve letrarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, afirmimin e tyre e kanë përjetuar në atdhe, ndërkaq, në me rastin e mërgimit të tyre në këtë vend pasionin e artit letrar e kanë vazhduar këtu, duke krijuar vepra të rëndësishme për komunitetin shqiptar, por edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi. Mirëpo, ka krijues, të cilët, për shkaqe të ndryshme, nuk kishin arritur ta zhvillonin talentin e tyre letrar në atdhe, qoftë për faktin se u larguan nga atdheu në kohën kur shpërthimet e tyre në këtë fushë nuk kishin ndodhur ende dhe kjo gjë ndodhi më vonë, apo për shkak të pamundësive të ndryshme për të ndodhur një gjë e tillë në atdhe.

Sipas Muhadrit, Adnan Mehmeti është njëri ndër ata poetë shqiptarë, i cili afirmimin e tij në fushën e letrave do ta përjetojë në mërgim, përkatësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur në Kosovën Lindore, përkatësisht në Letovicë të komunës së Bujanocit, më 1964 dhe i diplomuar për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Adnan Mehmeti me një dorëshkrim me aforizma dhe një përmbledhje me poezi me vete niset drejt Evropës perëndimore. Zvicra, Austria, Gjermania, Franca, Holanda dhe Belgjika, ishin shtetet që i frekuentoi për gjashtë muaj me radhë. Dhe ashtu siç kishte ëndërruar, ashtu edhe u bë: Gjen punë në Zvicër, si mësues i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.

Takimi dhe martesa me gruan e tij, stomatologen nga Tirana, Vilmën do të hapë një kaptinë të re në jetën e tij. Pas shumë e shumë dilemave, të jetonte në Shqipëri apo në Zvicër, përfundimisht vendos për të dytën, pra për vendin e Alpeve. Në Kosovë nuk i ishte lejuar të botonte libër, sepse ishte i ndjekur nga regjimi serbo-sllav, mirëpo këtë gjë do ta bëjë në Tiranë, ku do të botojë librin e tij të parë, me titull “Bota e mendimeve”, me një parathënie të shkrimtarit të njohur Ramiz Kelmendi dhe një recension të pedagogut Shefik Osmani.

Në vitin 1994, në Ëalenstad të kantonit të St.Gllaenit i lind i vajza Tea. Pu mbushur një vit i plotë nga lindja e Teas, ai lë Zvicrën dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, në vitin 1996, në shtetin e Teksasit i lind djali, Andi, vit ky që shënon edhe botimin e vëllimit të parë me poezi me një parathënie të kritikut dhe profesorit, tash të ndjerë, Adriatik Kallulli. Arritja në Amerikë dhe takimi me njerëz eminentë të fushës së letrave dhe të kulturës, tek Adnani do të ndikojnë për të mirë dhe do t’i ndryshojnë rrënjësisht labirintet e jetës e të artit letrar në përgjithësi.

Takimi me shkrimtarin dhe intelektualin e shquar, Gjekë Marinaj, që jeton dhe punon profesor në Dallas, tek Adnani do të lënë padyshim gjurmë. prandaj, në një rast ai deklaron se: “Sikur te mos kisha emigruar në Amerikë, do të kisha ngelur një nxënës mesatar në rrafshin e perceptimit të demokracisë së individit. Pas kaq vitesh si qytetar legal amerikan, kam mësuar dhe jam bindur se ajo është arma ime më e fuqishme që e përfitova. Me fjalë të tjera, mësova për të respektuar lirinë dhe opinionin e tjetrit”, do të shprehej në mes tjerash poeti Adnan Mehmeti. Dhe kjo i ndihmoi atij që të arrinte suksese në shoqërinë amerikane. Por Adnani, si tip i zgjuar dhe shumë i urtë, me një kulturë të lindur, por edhe të zhvilluar, në respektimin e vlerave të tjetrit, gjeti përkrahje dhe mirëkuptim edhe te komuniteti shqiptar në Amerikë. Pa dyshim se një përkrahje të madhe gjeti edhe te krijuesi dhe pedagogu u respektuar nga Shkodra, Gjekë Marinaj, i cili në vitin 2001 themeloi Shoqatën e parë të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, e cila vepron me shumë sukses tash e më shumë së një dekadë, dhe të cilën prej vitit 2009 e udhëheq Adnan Mehmeti.

Adnan Mehmeti, përpos librit me aforizma “Bota e mendimeve” ka botuar edhe vëllimet me poezi: ”Diellin e kam futur në xhep”, Tiranë, 2001, “Ikje nga vetmia”, Tiranë, 2004, “Leave dhe donor open”, Dallas, 2005, “Deti në mes”, Dallas, 2005 si dhe librin publicistik “Gjekë Marinaj më shumë se poet”, Nju Jork, 2007. në vitin 2011, shtëpia botuese “ADA” në Tiranë ia botoi vëllimin poetik “Ndajfoljet e vendit”, që është një libër i sajuar nga krijime poetike të botuara kryesisht nga poezitë e vëllimeve të botuara më parë. Gjatë kësaj kohe poezia e Adnan Mehmetit është përkthyer në disa gjuhë, si në anglisht, spanjisht, rumanisht dhe suedisht, ku edhe është prezantuar në disa antologji poetike. Po ashtu ai është fitues i disa çmimeve prestigjioze letrare, si çmimi “Pena e artë” marrë nga Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, pastaj i çmimeve “Pulse” nga The Literatury Magazine of Lamar University-Beaumont, Teksas dhe i çmimit “Sezai Surroi” në Kosovë, etj.

Ky është në pika të shkurtra profili krijues, por edhe njerëzor i këtij poeti të talentuar, i cili tash e më së dy dekada jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai bashkë bashkëshorten, Vilmën dhe dy fëmijët, Tean dhe Andin jetojnë në Stamford, një qytet shumë i bukur dhe mjaft i qetë i shtetit Connecctticut, në kufi me shtetin dhe qytetin e Nju Jorkut.

Tea, Andi-/ Ju që më lini zgjuar. Vilma,/ Ti që më dhuron dashuri! Jo rastësisht po i citoi këto vargje të poetit Adnan Mehmeti dedikuar familjes, dy fëmijëve dhe gruas që hapin librin gjithëpërfshirës poetik Ndajfoljet e vendit. Këto vargje shquajnë profilin e krijuesit të përkushtuar ndaj familjes dhe artit. Njeriu lind për të jetuar e për të jetuar duhet përkushtim, duhet mund, por edhe dashuri për jetën, punën, familjen, shokët, rrethin, atdheun. Të gjitha këto virtyte brumosin karakterin njerëzor e krijues të Adnan Mehmetit, si një njeri shumë i përkushtuar në jetë, në punë dhe në familje. Fëmijët janë ata që atë e lënë të zgjuar, ndërsa gruaja, ajo që i jep dashuri, sepse nga dashuria për të, ai ka në jetë dy krijesat më të dashura të qenies së tij. Po përse e lënë të zgjuar?

Kjo gjendje e të qenit zgjuar përherë, kjo gjendje e mosfjetjes është gjendje reale e një prindi real të përkushtuar e të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve që jetojnë e rriten larg atdheut. Në këto rrethana kohore e jetësore poetit i duhet përkushtim, i duhet angazhim dhe natyrisht edhe shqetësime të përhershme ndaj zhvillimit të tyre jetësor e profesional. Vargjet e cituara më lart karakterizojnë dhe portretizojnë profilin njerëzor të poetit, që më pas përbën edhe profilin krijues të tij. Ato të japin mesazhin e plotë të poetit-prind dhe bashkëshort i mirë dhe të bëjnë të njohësh më mirë shpirtin e poetit të mbushur energji dashurie për fëmijët dhe gruan që më pas futet thellë labirinteve të dashurisë për atdheun dhe njeriun e truallit të tij.

Duke parë këtë gjendje jetësore e krijuese jo rastësisht se në krijimet poetike të Adnan Mehmetit më së shpeshti hasim tri tema, që në një farë mënyrë përbëjnë edhe boshtin krijues të tërë poezisë së tij siç janë: Dashuria- vendlindja dhe ëndrra e kthimit në vendlindje. Ky trinom tematik i poezisë së Adnan Mehmetit është i natyrshëm për një poet të mërguar e të larguar nga atdheu, që shtegton rrugëve të botës, duke kërkuar dhe krijuar identitetin e ri, jo njerëzor e kombëtar, por shoqëror, në një botë të madhe, të mbushur liri, por edhe anakronizma nga më të ndryshmit, brenda të cilëve fshihet bota e panjohur në të cilën shumë shpejt mund të zhytesh e të mos dalësh më kurrë. Poeti në këtë botë të re, të cilën e hulumton e gërmon vazhdimisht për ta njohur, jeton çdo ditë i mbërthyer nga malli i pashuar dhe dashuria për vendlindjen, njerëzit e tij të dashur që jetojnë në atdhe, por dhe nga ëndrra e përhershme e kthimit në atdhe, e cila i troket në mendime dhe e bën që të vuajë shpirtërisht. Por është edhe dashuria për familjen, fëmijët, gruan dhe njerëzit e tjerë të tij të dashur, e cila e mban gjallë dhe e mbush optimizëm jetësor dhe krijues.

Është radha ime

Të nisem.

Pas meje,

Radha e gruas sime

Të niset.

Pas nesh-

Radha e fëmijëve tanë

Të nisen.

Por, nga ne,

Asnjëri nuk niset.

Kjo poezi është shkruar në Çikago më 29 korrik të vitit 2002. Do të thotë shumë vite më parë. Fjala nisje, pas së cilës fjalë (të lakuar) poeti vë pikë, e cila tregon një vendim të parealizuar, është një akt i fillimit të përfundimit, që gjithashtu ka cakun e vet të arritjes. Në këtë rast poeti aludon në nisjen për kthim në Atdhe, që edhe pse jeton në mendjen e të gjithëve, nuk ndodh. Nuk ndodh sepse, para të gjithëve, përveç ëndrrës dilemë të kthimit, bashkëjeton edhe diçka tjetër: Dilema ku të shkojmë. Kjo poezi përmbyll ciklin poetik Me kuajt e erës përtej detit.

Ndërkaq vargjet e poezisë Çamëri, toka ime, të zgjojnë asociacionin e një tragjedie të dhimbshme, siç është në këtë rast Çamëria e zbrazur nga njerëzit e saj dhunshëm të detyruar ana e regjimit grek. Poeti atë e quan me epitetet më të dashura dhe më të dhimbshme njëkohësisht si: “Toka ime”, “Ndërgjegjja ime e vrarë” dhe “Shpirt pa qiell dhe varr”. Këto emërtime, përkatësisht figura dhe metafora poetike flasin po ashtu për një realitet të dhimbshëm, të cilin poeti Adnan Mehmeti, në mënyrë poetike i di si ta ndërtojë dhe ta përçojë si porosi tek lexuesit.

Vendlindja dhe ëndrra e kthimit

Tema e vendlindjes në letërsinë shqipe është e hershme. Ajo ka simbolizuar edhe atdheun, që për një numër poetësh ka zgjuar asociacionin e mallit për të, për kujtimet e fëmijërisë dhe dashurisë së parë. Mallin për nënën, për shokët dhe për vitet e ikura, në një kohë kur jetonin pa brenga. Asaj ata iu kanë qasur në forma të ndryshme më vonë, duke e shikuar dhe paraqitur në mënyra të ndryshme, nga prizma dhe këndvështrime të ndryshme kohore dhe hapësinore. Ndonjëri nga poetët temës së vendlindjes iu qas që në hapat e parë të krijimtarisë së tij, ndonjëri më vonë, pasi që për të filloi ta zhuriste malli. Poetë të shumtë për vendlindjen shkruan pasi që rrugët e jetës i detyruan të ishin larg saj. I tillë është edhe Adnan Mehmeti. I ndodhur larg atdheut dhe vendlindjes së tij, ai filloi të ndiente mall, ashtu sikurse që një gjë të tillë do ta ndjente për nënën, shokët, dhe për gjithçka që frymon erë vendlindjeje.

Poezitë e Adnan Mehmetit, të kësaj tematike, janë poezi të mbushura emocione të përziera: dashuri e mall për rrugët, për fshatin, për shkollën ku mësoi shkronjat e para të alfabetit, dhe për gjithçka që i thonë vendlindje. Këtë mund ta hasim te poezitë e shkruara larg atdheut, por edhe me rastin e vizitës së tij vendlindjes. Të tilla janë poezitë Meditim për Moravën, Me kuajt e erës përtej detit, Zgjedhja e vendlindjes etj., të cilat ndonëse nuk i kushtohen drejtpërdrejtë vendlindjes, megjithatë kanë të bëjnë me vendlindjen, me atdheun dhe historinë e tij. Ndërkaq, poezitë që ndërlidhen drejtpërdrejtë me temën e vendlindjes janë ato të ciklit Vend i perëndive, të botuara në librin Ndajfoljet e vendit si poezitë: Skënderbeu në Bujanoc, Rikthehem në histori, Në udhëkryqet e historisë, Shtëpitë në Letovicë, Gardhet e prishura, Eci me hapa të shpejtë, por edhe poezi të tjera jashtë këtij cikli, si: Klasa ime e parë, Lëvizje etj.

Poezia si kërkim i rrënjëve të lashtësisë

Në ndërdijen e poetit vendlindja dhe atdheu janë futur thellë dhe janë të pandashme. Vendlindja përben atdheun dhe atdheu vendlindjen. Edhe kur shkruan për nënën, për gjyshin, babanë, motrat dhe të dashurit e tjerë të tij, ai kujton vendlindjen, sepse që të gjithë janë pjesë e saj. Pjesë e kujtimeve, përjetimeve dhe e dashurisë së përbashkët për tokën, arat, livadhet, rrugët, shtëpitë e fshatit, ëndrrat dhe për historinë që i zgjon krenarinë. Madje, poeti, duke i kënduar Moravës, lumi që pafundësisht përshkon vendlindjen e tij, nuk nguron ta quajë atë dëshmitari i fundit i gjallë, që ruan dhe i rrëfen historinë dhe kujtimet e të kaluarës, legjendën e martesës së mbretit Agron, kalimin e Skënderbeut nëpër të pas betejës së Nishit dhe ardhjes së tij në Shqipëri në nëntorin e vitit 1443, luftërat e trimëritë e Idriz Seferit etj.

Për poetin vendlindja ka kuptimin e ruajtjes së përhershme të identitetit kombëtar dhe familjar. Ai kur u këndon arbëreshëve të shpërngulur gjashtëqind vjet më parë nga trungu i atdheut, ua përkujton që dashurinë dhe kujtimin për atdheun ta dërgojnë dhe ta murosin në atdhe, në mënyrë që ajo të ruhet e virgjër:

Merreni dashurinë

Çojeni përtej detit

Për ta murosur në vendlindje

Nuk do të vonohet shumë për trupin tim.

Te Skënderbeu në Bujanoc, aty ku fillon kujtesa e historisë dhe ku u bashkuan shpatat e mburojës së Arbërisë, poeti i kthehet historisë së dëgjuar në formë legjende. Mirëpo kjo i kujton atij krenarinë dhe lavdinë e dikurshme, në qytetin që mbetet si kujtesë historike dhe kombëtare dhe ku ekziston bujaria e banorëve të tij të cilët asnjëherë nuk flasin gjuhën e ikjes.

Poezia e Adnan Mehmetit e kësaj tematike, është poezi e kërkimit të rrënjëve të lashta të emrit dhe e ruajtjes së identitetit kombëtar. Ajo të kujton një poet të mbushur frymëzim e mall atdheu. Poezinë e kësaj tematikë, ashtu sikurse edhe pjesën dërrmuese të poezive të tjera Adnan Mehmeti e shkruan nga distanca dhe i pushtuar nga malli dhe mërzia, mirëpo një pjesë të tyre e shkruan edhe nga afër, për çka tregojnë edhe datat dhe vendi i shkrimit të tyre i evidentuar në fund të çdo krijimi. Kjo të kujton situatat emocionale të poetit.

Ëndrra e kthimit dhe ndërlidhja me ëndrrën arbëreshe

Se ëndrra e kthimit në atdhe nuk është një ëndërr e re, por qindravjeçare, një ëndërr e përjetshme, e shkruar edhe para Adnan Mehmetit, por që do të shkruhet e do të trajtohet sa herë që njeriu do të jetojë larg atdheut, vendit ku është lindur e rritur. Largimi nga atdheu dhe të jetuarit larg tij, larg njerëzve të tij, larg kujtimeve të fëmijërisë e rinisë e mundon dhe e stërmundon poetin. Kjo i zgjon ndjenjën e të shkruarit poezi me këtë tematikë e madje të asociojë edhe me subjekte të tjera, siç janë arbëreshët, e larguar qindra vjet nga atdheu i tyre, por tek të cilët jetoi përherë ëndrra e kthimit në atdhe. Se është kështu, këtë e tregon më së miri poezia Ylli Afërditë dhe arbëreshët.

Poeti e shkruan këtë poezi në Durrës, në korrik të vitit 2004. Qëndrimi në plazhin e bukur të Durrësit dhe shikimi në detin e paanë të Adriatikut ia kujton Arbëreshët dhe ëndrra e pashuar e kthimit. Poeti, i ndodhur para kësaj situate shpirtërore dhe duke njohur mirë këtë ëndërr, shkruan këtë poezi, që është një ndër poezitë e tij më të mira të kësaj natyre. Imagjinata poetike e poetit përmes Yllit Afërditë, si një yll përkujtues dhe orientues, tash e gjashtëqind vjet kalon detin dhe zbret në pëllëmbët e duarve të arbëreshëve dhe pas çdo largimi ua shkel syrin atyre me premtimin se prapë do të vij, sheh simbolikën e ëndrrës së parealizuar të kthimit në atdhe të arbëreshëve, e cila tek ta mbeti si një ëndërr e përhershme.

Por, përmes kësaj ai jep edhe simbolikën e një ëndrre e cila e mbajti të zgjuar përherë ndjenjën atdhetare dhe atë të ruajtjes së identitetit kombëtar. Kjo asocion edhe me ndjenjën e poetit të mërguar larg atdheut që bashkë me anëtarët e tjerë të familjes projektojnë çdo ditë ëndrrën e kthimit në atdhe. Të kësaj natyre janë edhe poezitë Deti dhe poeti, kushtuar poetit Zef Serembe, pastaj poezia Çamëri, toka ime dhe Në largimin nga aeroporti i Prishtinës. Te poezia Deti dhe poeti, autori gjen ngjashmëri në mes vetes dhe poetit të Rilindjes. Që të dy në kërkim të një dashurie: Atdheun.

Poezi e ndriçimit të enigmave shpirtërore

Poezia e Adnan Mehmetit, është një poezi mirë e konceptuar dhe me një mesazh të qartë. Një poezi me një gjuhë të zgjedhur dhe shprehje koncize, ku poeti me pak vargje, arrin të thotë shumë. Kjo poezisë së tij ia shton vlerat, duke e bërë atë një poezi të meditimit dhe të frymëzimit, por edhe të konceptimit dhe të përçimit të mesazhit artistik në kohë të caktuar dhe tek subjekti i caktuar. Duke qenë një poet që jeton larg atdheut, por edhe një poet me talent, të cilin ka arritur ta zhvillojë në vazhdimësi, Adnan Mehmeti është shumë i kujdesshëm që para lexuesit të servojë një poezi të brumosur nga një figuracion i pasur stilistik me një mbizotërim të dukshëm të metaforës, krahasimit, epitetit etj.

I vetëdijshëm për misionin e poezisë, por duke pasur gjithnjë parasysh rrjedhat historike nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon populli i tij në fokus të krijimtarisë së vet poetike ai vë kaluarën, që e shikon nga perspektiva e të sotmes dhe e të ardhmes. Këtë e forcon përmes krijimeve të shumta, të cilat për temë kanë të kaluarën e lavdishme por edhe përmes kushtimeve që ai ua bën figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, duke filluar që nga lashtësia ilire e deri te lufta e fundit e UÇPMB-së. Të kësaj natyre, janë poezitë: Mbretëresha para vdekjes, Anijet ilire, Betimi i ushtarëve ilirë, Besnikëria apo froni, Premtimi i Skënderbeut, Lutje, Dy trimat, Fanari kombëtar, Udhë e mbarë Konstandin, Me Nolin në Boston, Malli që djeg, kushtuar dëshmorit të kombit i rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ridvan Qazimit, shok klase i poetit.

Duke qenë një poezi e një niveli të kënaqshëm artistik, ajo në vazhdimësi është imponuar si e tillë, qoftë tek lexuesit, qoftë edhe tek kritika letrar. Siç kemi vërejtur, poezia e Adnan Mehmetit, që nga botimi i vëllimit të parë, ka përjetuar vlerësime pozitive. I pari ndër ata që shkruan për poezinë e Adnan Mehmetit është kritiku dhe njohësi i mirë i poezisë, Adriatik Kallulli, i cili tek poezia e Adnan Mehmetit sheh talentin por edhe zhvillimin gradual dhe të sigurt. Mirëpo kritiku tek poezia e Adnan Mehmetit sheh edhe premisa të tjera, elemente që ia shtojnë vlerat e saj dhe e bëjnë atë një poezi të një niveli të qëndrueshëm poetik. Po ashtu gjatë botimeve të mëvonshme pasuan edhe vlerësimet e tjera, që flasin për një poet me premisa të dukshme poetike dhe artistike.

“Metonimia e numrave dhe simbolika e tyre në poezinë e Adnan Mehmetit nuk është vetëm një arsye grafike e perceptuar si e tillë, por metafizika dhe filozofia e këtyre figurave është një ndërtesë që nuk perceptohet jashtë konvertimit, por brenda sigurimit të plotë të fjalës”, vlerëson kritiku dhe studiuesi, Fatmir Terziu

Ndërkaq, krijuesi dhe përkthyesi nga Rumania, Baki Ymeri Adnan Mehmetin do ta vlerësojë si një poet që “dëshmon një fantazi inteligjente, duke zgjedhur kategori të qarta në fushën e shpirtit” dhe si një poet të shkëlqyer, “vargu i të cilit ka peshë, forcë, ide, maturi dhe një shprehje të brishtë e të fuqishme, në të njëjtën kohë”.

Ndërkaq, poezia e Adnan Mehmetit do të çmohet dhe do të vlerësohet edhe nga kolegët e tij poetë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Pal Ndrecaj, Gjeto Turmalaj, Iliriana Sulkuqi, Ramiz Gjini etj.

“Ajo që mbetet në mendje në formë mbrese e kujtimi më të gjatë, apo si një cytës integrues për meditim pas leximit të poezisë së Adnan Mehmetit, do të shkruajë Pal Ndrecaj, është niveli i shkëlqyeshëm i reagimit emocional, të cilin reagim lexuesi e përjeton në disa forma: Si vetëdije për elementet qenësore të domosdoshme për funksionimin e një sistemi vlerash në kushtet dhe rrethanat e tendencave të dehumanizimit të jetës dhe si rezistim përballë këtyre tendencave, i cili mundohet që lexuesit t’i ofrojë edhe alternativën tjetër”. Poeti Gjeto Turmalaj poezinë e Adnan Mehmetit e cilëson si një metaforë të gjallë e të shkruar nga dora e një talenti të vendosur, ndërsa vargun poetik të këtij poeti e sheh si një varg të shkruar më mjaft finesë dhe sharm poetik.

Ndërkaq, poetja Iliriana Sulkuqi, sintagmën poetike Ndajfoljet e vendit e cilëson si një monolog që lëviz brenda instinktit shpirtëror të autorit, duke e kuptuar njëherësh edhe si dialog në lidhje me personazhin frymor, të cilit i kushton poezinë. “Me “Ndajfoljet e vendit”, thotë Sulkuqi, autori ka marrë përsipër të tregojë lëvizjet e tij në kohë e hapësirë, duke pasur si numërues vendndodhjen dhe si emërues dashurinë. Kjo metaforë poetike e Adanan Mehmetit nuk është vetëm hapësirë historike dhe gjeografike, por është ndërkohë edhe hapësirë e pakufi përkushtimi për secilin që poeti ka takuar në udhët e jetës së tij, si një maratonomak i tipit të tij”..

Shkrimtari dhe miku i poetit, Ramiz Gjini e cilëson atë si një poet të formuar dhe një vëzhgues mjaft i hollë i realitetit, i cili ka një frikë, që konsiston në përpjekjet e tij të vazhdueshme për të gërmuar brenda shpirtit njerëzor, për të ndriçuar thellë atyre skutave të fshehta ku struken e fshihen enigmat e kësaj bote. I tillë është Adnani: Poet dhe gërmues brenda shpirtit njerëzor, gjithmonë në përpjekje të ndriçimit të enigmave shpirtërore që janë futur thellë labirinteve të jetës e të historisë...

Shtëpia Botuese “Adriatic Press” dhe misioni i saj në Amerikë

Shtëpia Botuese “Adriatic Press” është themeluar në vitin 2001 në Amerikë. Ajo ka një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh nga të gjitha fushat e kulturës: shkrimtarë, poetë, kritikë, pedagogë, piktorë, akademikë, përkthyes. “Adriatik Press” është në shërbim të krijuesvë shqiptarë në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada si dhe një urë për përkthimet në anglisht.

Pyetja shtrohet, pse “Adriatic Press”? Adriatik, sepse vendlindja e themeluesit të kësaj shtëpie botuese Adnan Mehmeti, është nga këto vise të diellnuara, me ujëra të kaltra, rërë, ullinj dhe njerëz bujarë. Si një ngjizje mes “emrit” dhe atdheut, atdheu tjetër, Amerika, ku jetojnë, punojnë, krijojnë dhe botojnë shumë krijues shqiptarë, që padyshim falë edhe komunikimit ndërgjuhësor (dygjuhësh), japin mundësinë të receptohen edhe para lexuesit anglishtfolës.

Shtëpia botuese “Adriatic Press” është themeluar me dëshirën e mirë për të ndihmuar për botimin e krijuesve shqiptarë pse jo edhe nga përkthimet anglisht-shqip dhe anasjelltas. Niveli i krtitikës në arealin e artistëve shqiptaro-amerikanë, është më profesionist, më selektiv, duke vlerësuar nivelin e botimeve, si nga ana cilësore ashtu edhe nga ajo përmbajtësore. Bashkëpunimi me të gjithë shkruesit shqiptarë, nëpërmjet kësaj shtëpie botuese për të organizuar, sistemuar dhe botuar shkrimtarët e shumtë në Amerikë, e ka fillesën që me botimin e revistës lertare “Pena” dhe monografia për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në Amerikë.

Në një bisedë me vetë botuesin Adnan Mehmeti, rreth botimeve të kasaj shtëpie botuese, mësova për seriozitetin profesionale, për të qëmtuar vlera të vërteta, ku tharmi i letërsisë dhe kulturës mbarëshqiptare bashkëkohore, moderne dhe postmoderne, të hapërojnë në tërë hapsirën e Amerikës së Veriut, Meksikë dhe pse jo më tutje. Botimi i një sërë emrash të njohur në diasporën shqiptaro-amerikane tregon një ogur të mirë për këtë mision, që në embrion të kësaj shtëpie botuese.

Duke shpresuar që shtëpia botuese “Adriatik Press” të jetë një përçuese vlerash të vërteta poetiko-letrare i urojmë sa më shumë botime cilësore dhe mbi të gjitha lexuesve jo vetëm shqiptarë por edhe amerikanë, për të njohur jo vetëm dimensionim e pafundëm të kuturës dhe gjuhës shqipe, por edhe misionin e letërsisë së sotme moderne shqipe, që herë-herë me disa përjashtime, akoma etiketohet si letësia e realizmit socialist, por që në vërtetë grupet e shkrimtarëve të ish-të dënuarit politikë dhe ajo femëror, janë skajet margjinale të opusit të madh letraro- poetik shqiptar, të papërfshirë sa duhet në misionin e njohjes nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Me shpresën, se kjo shtëpi botuese do përplotësojë këtë boshllëk letrar me standarde të larta letrare, i uroj suksese “Adriatik Press”, në misionin e saj fisnik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat