Portret mërgimtari: Safet Sadiku, edhe në mërgim gjen kohë për gazetarinë dhe letërsinë

Kultura

Portret mërgimtari: Safet Sadiku, edhe në mërgim gjen kohë për gazetarinë dhe letërsinë

Nga: Zymer Mehani Më: 11 maj 2022 Në ora: 09:02
Safet Sadiku

Safet Sadiku i takon brezit të krijuesve të viteve 80-ta. Ai lindi më 1 nëntor të vitit 1964 në Zhabar të Epërm të komunës së Mitrovicës. Arsimin e detyrueshëm e kreu në vitin 1979, në shkollën tetëvjeçare ”Fazli Grajçevci” të Shipolit. Familja e tij në Mitrovicë e më gjerë njiheshin si familje zanatçinjsh të punimit të dyerve dhe dritareve të një cilësie të lartë.

Prindi Avdullahu këtë zeje të trashëguar nga të parët e tij e kreu me dashuri dhe pasion deri në vdekje. Safet Sadiku, si fëmija i katërt (nga nëntë) i kësaj familje pas përfundimit të tetëvjeçares regjistrohet në gjimnazin“Frang Bardhi” të Mitrovicës, në sesionin e Shkencave Natyrore. Si nxënës i dalluar i kësaj shkolle shquhet edhe me prirjet e tij të theksuara për letërsi dhe art. Me rastin e konkursit të hapur për aktorët e rinj në Mitrovicë, Safet Sadiku vlerësohet dhe merr pjesë në rolin e sekretarit të shkollës në filmin: “Shoku është shok”, me regji dhe skenar të arsimtarit të arteve të bukura Sejdi Zeka.

Me të përfunduar shkollën e mesme organet e atëhershme të Mbrojtjes Popullore të komunës së Mitrovicës, e ftojnë në shërbim të detyrueshëm ushtarak në ish “Armatën e Jugosllavisë”. Përkundër dëshirës z. Sadiku në këtë obligim, që ishte i pashmangshëm për të gjithë të rinjtë në ish Jugosllavi, mobilizohet për këtë udhëtim në shtator të vitit 1983. Ai nga përvojat e tij të hidhura dhe ngjarjet e pakëndshme që zhvilloheshin në Kosovë pas vitit ‟81, gjatë këtij shërbimi në Novo Mesto të Republikës së Sllovenisë, do të tregohet vigjilent dhe i matur. Edhe pse kanë kaluar gati katër dekada nga ajo kohë, Sadiku ende i kujton ofendimet dhe padrejtësitë që u bëheshin të rinjve shqiptarë në këtë Armatë. Ndihej i fyer dhe i diskriminuar kur atij i mohohej e drejta e vizitave në qytet, dhe e drejta e pushimit ligjor dhe të merituar prej 15-të ditësh në vendlindje, nga eprorët ushtarakë të këtij garnizoni, që kryesisht ishin serbë e malazezë.

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, Safet Sadiku i etur për vargun dhe këngën shqipe, me një grup moshatarësh themelojnë Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “Besa” të Zhabarit të Epërm dhe atij të Poshtëm. Aktivitetin e pasur të kësaj shoqërie që kishte filluar të bëjë emër qysh me koncertin e parë të mbajtur në shkollën “Jakup Idrizi” të Zhabarit, (1985) do ta pengojnë strukturat e atëhershme komuniste të komunës së Mitrovicës. Kur gjithçka ishte gati për shfaqjen e dramës “Thyerja” të Abdyl Bunjakut, inspektorë e policë të komunës së Mitrovicës, ndërhyjnë me vrazhdësi dhe nuk lejojnë prezantimin e kësaj ngjarje kulturore. Safet Sadiku edhe pse në shkollën e mesme kryen drejtimin, laborant i biologjisë, vendos të studioj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Dashuria e papërshkruar për poezinë dhe prozën si dhe llojet e tjera të letërsisë bëjnë që ai të shkruajë edhe si student, në gazetat e kohës si; “Bota e re”, ”Rilindja”, “Shkëndija” dhe “Pionieri” të Prishtinës.

Safet Sadiku duke qenë anëtar i Kryesisë së Rinisë Studentore të Universitetit të Kosovës, më 15 dhjetor të vitit 1988, së bashku me 21 studentë të tjerë nga Kosova, merr pjesë në një tryezë në Sarajevë, të organizuar nga Fakultetet e Universitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Përfaqësuesve të rinisë studentore të 13 Fakulteteve dhe 7 Shkollave të Larta të Universitetit të Kosovës, u kërkohej pranimi i planprogrameve mësimore të Serbisë. Ata me kohë kishin rënë në ujdi që një kërkesë e tillë të kundërshtohet kategorikisht.

Gjatë tri ditëve të zhvillimit të punimeve nëpër takime ka pasur mjaft tensione dhe shantazhe nga më të ultat, por edhe në këtë gjendje të acaruar, të gjithë stutentët e Kosovës ishin unikë në refuzimin e kësaj kërkese. Më 16 nëntor të vitit 1988 Safet Sadiku i përfundon me sukses studimet. Por, ai nuk sheh kurrfarë perspektive në vendlindje, pasi vërehej hapur që Serbia i provokonte shqiptarët nëpërmjet fushatash të egra, dhe me tendenca të një konflikti të hapur. Neofashistët e Beogradit, dhe shërbëtorët e tyre kolonë të vendosur dhunshëm në Kosovë, me shpifje e inskenime rastesh të përgatitura në kuzhinat e errëta të Beogradit, më 23 mars të vitit 1989, me tanke dhe kërbaç e suprimojnë Autonominë e Kosovës. Shqiptarët që këtë statut e kishin fituar me gjak, organizojnë protesta të njëpasnjëshme në të gjitha qytetet e Kosovës për ta mbrojtur me çdo kusht. Në mesin e organizatorëve ishte edhe i riu Safet Sadiku, nga Zhabari i Epërm i komunës së Mitrovicës. Njerëz të sigurimit të fshehtë të Serbisë me disa mbetje të tyre në Kosovë, që synonin ruajtjen e Jugosllavisë komuniste, me të kuptuar që Sadiku është njëri nga organizatorët e këtyre demonstratave vihen në përcjelljen e tij.

Me qëllim të shmangies së arrestimit të mundshëm që ishte bërë modë, pas grevës së njohur të minatorëve të Trepçës, (shkurt 1989) detyrohet që në korrik të vitit 1989, të migrojë në Kopër të Sllovenisë. Safet Sadiku i edukuar me dashurinë për punën dhe prirjet për pikturën shumë shpejt në këtë qytet bregdetar të Sllovenisë, fiton të drejtë pune dhe qëndrimi. Me suksesin e treguar në pikturë ai do të krijojë kushte për një jetë më aktive me institucionet vendore, dhe kontakte me personalitete të ndryshme të fushës së kulturës dhe të politikës. Ai në ndërkohë do të jetë edhe anëtar i shoqatës së piktorëve të qytetit Izola të Sllovenisë. Gjatë punës dhe vizitave që u bënte qendrave historike dhe kulturore të zonave bregdetare njihet edhe me publicistët e njohur; B. Vuk dhe J. Zllobec, të cilët ishin vënë në ballë të nismave për shkëputjen e Sllovenisë nga ish Federata e Jugosllavisë. Në pranverën e vitit 1990, me iniciativën e Safet Sadikut, në Kopër themelohet SHKA “Fan S. Noli” me organin e saj periodik revistën “Qëndresa”.

Kjo shoqatë që në gjirin e vet përfshinte të gjithë shqiptarët e mërguar në Kopër dhe rrethinë, brenda një periudhe të shkurtër boton gjashtë numra të kësaj reviste. Është i njohur tubimi masiv i këtyre mërgimtarëve me në krye Safet Sadikun më 1 shtator të vitit 1990, në shenjë solidarizimi me Kosovën, i cili bëri jehonë të madhe. Këtë tubim e nderoi me pjesëmarrje edhe mr. Halil Alidema. Në anën tjetër kjo shoqatë kulturore dhe artistike prezantohet edhe me disa koncerte jo vetëm në Kopër, por edhe në disa qendra bregdetare të Kroacisë, që te publiku patën lënë përshtypje mjaft mbresëlënëse me këngëtarët e saj, të cilët po afirmoheshin për çdo ditë e më shumë. Mirëpo, një nga prezantimet me pjesëmarrje më të madhe të publikut është ai në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut, i organizuar më 1 mars të vitit 1991, me rastin e 10 vjetorit të demonstratave të rinisë studentore të Universitetit të Kosovës. SHKA”Fan S. Noli“ aktivitetin e saj e pushon më 27 qershor të vitit 1991, kur ushtria dhe policia jugosllave bëjnë invazion mbi Slloveninë. Duhet theksuar që edhe më herët nuk kanë munguar përpjekjet që revista të botohet në Kosovë. Me gjithë orvatjet dhe pengesat që i bënte regjimi serb, revista “Qëndresa” shtypet më 21 mars të vitit 1991, në shtëpinë botuese ”Rilindja” të Prishtinës.

Shpërndarja e saj prej 10 mijë ekzemplarësh në pikat kryesore të shitjes pengohet nga policia serbe, dhe njëkohësisht kërkohet dhe ndiqet kryeredaktori i saj Safet Sadiku. Të gjitha materialet e papublikura dhe temat në dorëshkrim botohen në numrin e radhës “Qëndresa” në Cyrih të Zvicrës. Sadiku si ithtar i parimeve dhe pikëpamjeve të mirëfillta kombëtare, pa u diktuar herëpasherë kthehej nga Sllovenia për në vendlindje. Ai më 6 maj të vitit 1991, merr pjesë në Kuvendin themelues të Partisë së Unitetit Kombëtar të Kosovës, e cila me gjithë telashet e shumta dhe përndjekjen e aktivistëve të saj nga ana e Serbisë, punimet i zhvillon në Prishtinë. Pas kësaj ngjarje të rëndësishme z. Sadiku nuk mund të mendonte më për siguri, pasi e kuptonte që po përcillej në çdo lëvizje normale, nga organet e sigurimit të fshehtë të Serbisë, dhe poashtu pas luftës në Slloveni u shuan të gjitha përspektivat e mundshme të qëndrimit të mëtutjeshëm atje.

Më 1 shator të vitit 1991, ai vendoset në Sion të Zvicrës. Në këtë qytet frëngjishtfolës do të punojë si mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Gjatë këtij viti shkollor 1991/92, nën organizimin e LAPSH “Naim Frashëri”, bëhet edhe pavarësimi definitiv i këtij mësimi, nga organet arsimore të ish-Jugosllavisë. Safet Sadiku edhe në Zvicër qëndron përkohësisht. (Poashtu gjatë këtij viti ishte shumë i angazhuar edhe në aktivitetet e Unikombit për Zvicër si anëtar i kryesisë). Pas përfundimit të këtij viti shkollor në fillim të korrikut më 1992 kthehet në Kosovë. Por, pas afro dy javë qëndrimi, historia përsëritet . Më 18 korrik ai shmang një arrestim të mundshëm në Mitrovicë dhe pas kësaj situate në fund të korrikut, kalon përkohësisht në Suedi. Gjatë qëndrimit në qytetin Bollnas, merret me punën e fotografit. Ai nga kjo punë realizon të ardhura të mjaftueshme, me të cilat i mbulon shpenzimet personale.

Më 1 janar të vitit 1993, me ftesën e Mr. Halil Alidemaj e lëshon Suedinë dhe kthehet direkt në Shqipëri. Safet Sadiku këtu do ta kryejë detyrën e zëdhënësit të Partisë së Unitetit Kombëtar-Unikombit të Kosovës, zyra në Tiranë. Ai në Shqipëri kishte shkuar me qëllimin e vetëm që pas formimit të njësiteve të para ushtarake (aktivitet i filluar që nga viti ‟91) të kthehet së bashku me shokët në mbrojtje të Kosovës, (pasi ishte i bindur se lufta ishte në prag, dhe Serbia nuk do të largohej nga Kosova me dëshirë dhe me marrveshje politike). Por, për këtë organizim, udhëzimet po vinin vazhdimisht, se ende nuk ishin pjekur kushtet, se duhej të pritej, të pritej, të pritej ... etj.,etj. Në Tiranë ai ka pasur njohje dhe aktivitete me shumë personalitete ushtarake dhe politike. Pas shumë aktiviteteve të rëndësishme organizative, kulturore dhe politike, Safet Sadiku pas 14 muajsh të qëndrimit në Shqipëri, në fillim të prillit 1994 së bashku me familjen vendoset në Zvicër, ku jeton edhe sot, dhe ka dy djem të rritur.

Gjatë viteve 1995-2000, ai do t‟i hapë dy klasë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në qytetet Altdorf dhe Erstfeld të kanton Urit. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, (në konkursin e hapur për të pranuar mësimdhënës për gjithë Zvicrën), duke parë kualifikimin e tij përkatës me një Aktvendim të datës 10 gusht 1996, e emëron mësues të LAPSH “Naim Frashëri”- për Kanton Uri (në Altdorf dhe Erstfeld), pasi edhe në këtë pjesë të Zvicrës kishte nxënës shqiptarë të migruar së bashku me prindërit e tyre. Krahas punës me fëmijë z. Sadiku merret edhe me krijimtari letrare. Ai nga dëshira që të rinjve krijues në mërgim t‟u krijojë mundësi publikimi të punimeve të tyre më 1995, në Cyrih inicon nxjerrjen e revistës kulturore, “Top Kultura”. Ndërkaq, Safet Sadiku gjatë viteve 1997-1999, me përkushtim mjaft të madh kryen funksionin e sekretarit të shoqatës humanitare “Nënë Tereza” me seli në Lucern të Zvicrës.

Angazhimi i tij në këtë shoqatë bamirëse vlerësohet nga të gjithë. Me këtë rast, duhet veçuar edhe një tjetër aktivitet senzibilizues të tij, sa politik aq humanitar, nga të shumtët e tillë, edhe të tryezës me temën: ”Pse ekziston konflikti shqiptaro-serb?“ mbajtur më 3 qershor të vitit 1998 në Altdorf, në mbështetje edhe nga subjektet dhe shoqatat të tjera shqiptare të kanton Urit. Këtë tryezë të inicuar nga z. Sadiku, politikisht e mbështeti edhe Kryqi i Kuq i Zvicrës i Kanton Urit përmes udhëheqsit të tij z. Kurt Streller, duke i bërë ftesë zyrtare KMLDJ-së dhe z. Arif Ejupi me seli në Gjenevë, për sjelljen e fotografive nga “Masakra e Drenicës” si ngjarje e një rëndësie të veçantë. Ligjëratën e mbajti z. Safet Sadiku, i cili prezantoi fakte për faktorët: historikë, ekonomikë dhe rrethanat politike të çështjes shqiptare duke afruar shumë shembuj për të pranishmit pse duhet të njihet Pavarësia e Republikës së Kosovës. Në këtë tubim patën marrë pjesë edhe funksionarë të lartë kantonalë, të komunave të këtij kantoni, si dhe përfaqësues të shumtë të medieve të shkruara dhe vizive të Zvicrës gjermanishtfolëse. Interesim të jashtëzakonshëm, (përveç video-filmit kushtuar helmimeve në Kosovë i realizuar nga një TV suedez), pati zgjuar ekspozita “Masakrat në Drenicë”, me sqarimin e të dhënave nga z. Arif Ejupi, anëtar i KMLDJ-së, të Kosovës. Ndërkaq, z. Sadiku me qëllim të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar karshi Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në revistën “Alternative” të kanton Urit, boton artikujt: ”Der menschenverachtende krig des serbischen regimes” (Lufta çnjerëzore e regjimit serb), shkurt 1999 nr. 237, dhe “Begrenzte hilfe selbsthilfe-die ohnmacht, damit umzugehen”, (Ndihmë e kufizuar për vetëndihmë-pafuqi për t‟u marrë me të), mars 1999 nr. 238.

Në ndërkohë Lufta në Kosovë po thellohej dhe jetët e humbura të njerëzve dhe dëmet materiale dhe shkatrrimet e shumta ishin të paparashikueshme. Si familje me ushtar aktiv pjesëmarrës në radhët e formacioneve të UçK-së, dhe mbështetës i saj me të gjitha mundësitë, hordhitë ushtarake të regjimit të Millosheviqit, tërë banorët e fshatit i dëbojnë në Prill të vitit 1999, dhe djegun shtëpitë e shumë familjeve cik-cak. Ndër këto shtëpi të djegura rezultaon edhe e familjes së Safet Sadikut, ku shtëpia digjet rrafsh me tokë, dhe fatin e keq dhe djegien totale e pësojnë edhe bibloteka e shtëpisë, bashkë me qindra shkrime të botuara dhe dorshkrimet me fotografitë të jetës studentore. (Ndërkaq plagosaja e vëllaut të tij Nuhi Sadiku ndodh në një front në mbrojtje të zonave të vendbanimeve, vetëm 48 orë, para se të futen forcat e NATO-s, ku për fat i afrohet ndihmë urgjente, pasi me helikopter dërgohet në Tiranë, dhe arrinë t‟i mbijetojë plagëve).

Safet Sadiku gjatë viteve 2000-2004 punoi në industrinë e njohur “Dettwyler AG” të Altdorfit. Ai i dhënë pas shkrimeve, krahas punës, prapë gjen kohë që të punojë edhe si bashkëpunëtor i Radios “Deutsche Welle” (DW) programi në gjuhën shqipe. Kronikat e tij mbi aktivitetet e mërgimtarëve tanë në Zvicër, të shumtën e herëve transmetoheshin në emisionin:“Ura radiofonike.” Veprimtarinë e diasporës sonë ai e prezanton edhe në formë të shkruar fillimisht në gazetën ditore “Rilindja”, dhe më vonë bashkëpunon edhe me gazetat tjera si: “Bota Sot” dhe ”Fakti” , të cilat shpërndaheshin në gjithë Zvicrën dhe në Evropë. Në vitin 2005 z. Sadiku për arsye pune vendoset me banim në kantonin Basel-Land, ku mërgimtarët shqiptarë poashtu janë të përqendruar në numër të madh. Ai edhe këtu (nga viti shkollor 2007/08-2017) do ta bëjë punën e udhëheqësit dhe mësuesit të shkollës shqipe të mësimit plotësues, në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” të këtij kantoni. Në mënyrë që familjet shqiptare të informohen me ngjarjet më të reja, dhe ta ruajnë gjuhën e origjinës, në kuadër të radios lokale “Radio X”, Sadiku përgatit dhe redakton emisionin javor shqip-gjermanisht “Alba X”. Safet Sadikun lexuesi e njeh edhe nëpërmjet poezive dhe tregimeve të shumta. Puna e tij, si krijues dhe veprimtar në mërgim është pasqyruar me disa fjali edhe në librin “Emra që nuk Harrohen”-(Arsimtarë shqiptarë në diasporë IV), të autorëve Tahir Z. Berisha, Hamza Halabaku dhe Çerkin Bytyçi, botuar më 2006, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Poashtu z. Sadiku, është edhe redaktor i librit studioz historik kushtuar Bylysit, “Hekali në Histori” (745 faqe, botuar në Vlorë më 2015) i autorit Hajdar Sulaj. Safet Sadiku duke qenë edhe njohës i kulturës sllovene, vitin e kaluar (2021), ka përkthyer nga sllovenishtja në shqip, vëllimin poetik me titull “Zemra në mur” të autorit nga Ljubljana Srečko Čoz. Ky libër përmban 108 poezi dhe është botuar në Tiranë. Analiza dhe vlerësime mbi poemat e poetit Srečko Čoz, kanë shkruar Darinka Pavlic –Kamien, dhe përkthyesi Safet Sadiku.
Pas botimit të këtij vëllimi me vargje, “Shekulli i pafund” në të ardhmen, Safet Sadiku mendon t‟i botojë në një përmbledhje edhe shumë publikime të tij me; tregimet, skicat, analizat dhe intervistat e zhvilluara me personalitete të ndryshme, edhe me karakter politik. Me këtë rast po përmendim vetëm disa nga artikujt dhe krijimet më mbreslënës për lexuesit: 1). Ese: “Në Hap“ botuar në “Qëndresa” Koper, nr. 4/5, dhjetor 1990. 2). Përkthimin nga kroatishtja (marrë nga “Fokus”-Zadër) artikullin e autorit, mr. Halil Alidemës,“Serbosllavija Murtajë në Ballkan” botuar në “Qërndresa”, Koper, nr. 4/5, dhjetor 1990, ( i përkthyer në sllovenisht dhe në italisht). E ribotuar edhe në “Bota Sot”me 7 prill 1996. 3). Intervistë me Mehë Ukën, (dëshmor i lirisë), ish udhëheqës i Kryesisë së Rinisë Studentore të Universitetit të Kosovës, botuar në “Qëndresa”, më 21 mars 1991, botimi në Prishtinë 4). Intervistë me Adem Demaqin “Ta kuptojmë njëri-tjetrin” botuar në “Qëndresa” Zürich, shtator 1991. 5). Intervistë me z. Murteza Bajaraktari, ish sekretarin e parë të ambasadës së Shqipërisë në Bern, “Lufta duket e paevitueshme”, botuar në “Mërgimi”(Zvicër), gusht të vitit 1992. 6). “Fati i nxënësve shqiptarë në diasporë”, botuar në “Rilindje” më 3 korrik 1992. 7). Safet Sadiku ka dhënë intervistë në të përditshmen sllovene “Republika”, botuar më 5 prill 1994. “Za Kosova je resitev neodvisna republika” (Për Kosovën zgjidhja e vetme është një Republikë e pavarur). 8). Analizë: “Kush është mr. Ukshin Hoti” botuar më 15 shtator 1994 në “Zëri i Kosovës”. 9). Përsiatje Politike: “Kush është i gjallë e kush është i vdekur?!” botuar në “Bota Sot” më 21 qershor 1996. 10). Analizë: “Gjykata e Hagës teatër politik ndërkombëtar apo vërtet institucion i drejtësisë?!” botuar më 30 shtator 2002 në “Fakti”. 11). Analizë: Maqedonia një ardhmëri me shumë pikëpyetje” botuar më 14 tetor 2002, “Fakti”. 12). Përkthyer nga gjermanishtja, studimin e marrë nga “Terra Cognita”, “Migrimi, kultura dhe lidhjet nacionale”,(tri vazhdime ), botuar më 5 nëntor 2002 në “Fakti”. 13). Intervistë me dr. Gjovalin Shkurtaj, ”Vërejtje dashamirëse për gjuhën e mediave”, botuar më 20 qershor 2003 në “Fakti” (tri vazhdime). 14). Persiatje politike: “Cili do të jetë përcaktimi i statusit juridiko-politik i Kosovës?”, botuar më 30 prill 2005 në “Fakti”. 15). Poashtu me rastin e pavarësisë së Kosovës, “17 Shkurt 2008” jep një intervistë në të përditshmen “Punkt. CH”, (botuar më 3 mars 2008) ku në pyetjen e gazetarës se çfarë do të thotë.

Pavarësia e Republikës së Kosovës?, z. Safet Sadiku, e thotë qartë: Asgjë më shumë, asgjë më pak se sa një pjesë e korigjimit të historisë shqiptare. Kemi pritur 100 vjetë për këtë ditë”etj. 16). Recension, kushtuar vëllimit poetik “Zvicra Shqipëria ime” e poetit Vehbi Skënderi, botoi, “Pashtriku” më 9 prill 2012 ( dhe media të tjera elektronike). Natyrisht se lista e artikujve të botuar është shumë-shumë e gjatë, dhe se z. Safet Sadiku gjatë tërë këtyre viteve të aktivitetit të tij në Zvicër ka shkruar qindra-qindra artikuj kushtuar mësimit plotësues të shkollës shqipe, për aktivitete kulturore dhe humanitare të mërgimtarëve shqiptarë, për sportistët shqiptarë dhe shumë veprimtarë të sukseshëm në profesionet e tyre. Poashtu gjatë gjithë këtyre viteve kudo që ka vepruar me nxënës dhe mërgimtarë ka moderuar dhjetëra-dhjetëra programe të ndyshme kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat