​Promovohet romani i Bardhyl Mahmutit mbi të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë

Kultura

​Promovohet romani i Bardhyl Mahmutit mbi të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 15:07
​Promovohet romani i Bardhyl Mahmutit mbi të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë

Gjenocidi serb i kryer në Kosovë po tregohet tashmë edhe përmes një libri të autorit Bardhyl Mahmuti të cilin e sjell Qendra Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur. “Eskadronët e Vdekjes-kronikë e një kasaphane”, është romani që sjell një të vërtetë mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe krimet e regjimit kriminal serb.

Në përurimin e këtij libri në Prishtinë, autori i librit, Bardhyl Mahmuti nuk i fshehu dot emocionet derisa i përmendi ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga prokuroria në Hagë.

Mahmuti: Në vend që Serbia të përgjigjet për gjenocid, shokët tanë janë në Hagë

“Fjalët, është gjithashtu e njohur ajo sintagma se fjalët nuk janë neutrale por në rrafshin politik nëse do të kishim pasur kapacitet t’i shtrydhnim në Kosovë fjalët do të kullonin gjak, fjalët do të kullonin lot, fjalët do të kullonin mund, dhe ky mund, këta lot, ky gjak sot e kësaj dite nuk na lë të qetë. Jakup Krasniqi, njëri ndër njerëzit më të ndershëm që ka Kosova sot është në Hagë, janë përmbysur gjërat për 23 vjet, në vend që Serbia të përgjigjet për gjenocid, shokët tanë janë në Hagë, lufta jonë është vu në bankë të akuzës. Unë me aq sa kam mundur kam nxjerr nga vetja një të vërtetë, falë jush”, ka thënë autori.

E shkrimtari Agim Vinca ka thënë se ky libër duhet të përkthehet edhe në gjuhën serbe e kroate.

Ai ka thënë se autori Bardhyl Mahmuti e ka ndjekur parimin e së vërtetës, ndërkohë që ka rrëfyer se librin fillimisht e kishte lexuar në verën e vitit të kaluar gjatë një pushimi në Strugë.

Vinca-Mahmutit: E ke zhveshur deri në palcë krimin serb mbi Kosovën dhe shqiptarët

“Pasi e lexova librin e Bardhylit, siç thash në pushimin në Strugë, me të kthyer në Prishtina i bëra një mesazh të cilin po lexoj këtu: I dashur Bardhyl, e lexova librin nga faqja e parë deri tek e fundit, e ke zhveshur deri në palcë krimin serb mbi Kosovën dhe shqiptarët por edhe monstruozitetin e një regjimi kriminal që nuk e kursen as popullin e vet që vret e masakron kundërshtarët e tij politik edhe nga radhët e popullit të vet. Je njohës i shkëlqyer i mjediseve, rrethanave dhe mendësisë serbe dhe e ke gjetur mënyrën si ta paraqesësh atë, duke ia dhënë fjalën një gazetari profesionist dhe humanist serb nga qyteti i Kraljevës”, ka thënë Vinca.

Në promovimin e librit, publicisti dhe shkrimtari Adem Gashi ka thënë se Bardhyl Mahmuti e përshkruan në mënyrë tejet të veçantë karakterin e personazhit të librit.

Gashi: Bardhyli më habitë me rrjedhshmëri e spontanitet në aspektin rrëfimor

“Në aspektin rrëfimor, Bardhyli më habitë me rrjedhshmëri e spontanitet, me kulturë, me gjetje t ë figurshme në krahasime nga më të rrallat, po flas këtu në për vijën e kompetencën e letrarit. Ai zotëron fenomenin që ne e quajmë fytyrëzim gjuhe, nga grimasa e deri të semantika e shqiptimit të fjalëve e zbulojmë karakterin e personazhit, pa pasur nevojë të na e thotë autori, veç përshkrimin që e bënë”, ka thënë ai.

Ndërsa publicistja Majlinda Sinani-Lilaj ka thënë se libri është i përshtatshëm për lexues të moshave të ndryshme.

Sinani: Libri “Eskadronët e Vdekjes” është i përshtatshëm për lexues të moshave të ndryshme

“Gjuha korrekte, e saktë, e thjeshtë, e kuptueshme, e bën ‘Eskadronët e Vdekjes’ një libër të përshtatshëm për lexuesin e moshave të ndryshme. Ndërlidhja e rrëfimit, referencave kohore e rrethanore, prezenca dhe roli që bartin subjektet vulohen me pohimin e autorit në përmbyllej se ngjashmëria e përjetimeve me eceniatet e njerëzve të veçantë është bërë me qëllim. Ka disa breza që bashkërisht mund të identifikojnë vetën faqeve të këtij romani”, ka thënë ajo.

Libri “Eskadronët e Vdekjes” me autor Bardhyl Mahmuti, është botuar nga qendra Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur.

Asllani: Libri “Eskadronët e Vdekjes” së shpejti në shumë gjuhë të huaja

“Këtu misioni i autorit, dhe misioni ynë si qendër për të treguar dhe përhapur të vërtetën janë bërë bashkë, ka rezultuar ky roman që sot keni në dorë në gjuhën shqipe e shumë shpejtë edhe lexuesit e huaj do ta kenë rastin ta lexojnë edhe në gjuhën angelze, sponjolle, turke, gjermane e franceze”, ka thënë Adnan Asllani nga kjo qendër.

Romani i autorit Bardhyl Mahmuti është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe është botuar në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021.

Promovimi i tij ka filluar tani sepse ishte shtyrë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë Covid-19.

Pas Prishtinës, autori do të jetë i pranishëm edhe në promovimin e librit në Shkup, më 18 maj 2022, në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat