Festivalet “tona” pa kurrfarë mesazhi kombëtar

Kultura

Festivalet “tona” pa kurrfarë mesazhi kombëtar

Nga: Hejza Art Më: 18 maj 2022 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

Disa gra artiste e krijuese nga Mitrovica qenkan bashkuar rreth një ideje, e cila mëton përafrimin e komuniteteve nëpërmjet artit! Këto gra kanë organizuar Festivalin e Letërsisë “ZaNa”, e cila për herë të parë u mbajt më vitin 2020. Në fillim të vitit 2022 ”ZaNa” ka hapur thirrjen për poete dhe poetë nga komunitete të ndryshme të Kosovës (mosha 18-35 vjeç/e) të aplikojnë me 3-5 poezi dedikuar gruas në rolin e saj të shumëfishtë.

Në parim, nuk ka asgjë të keqe në këtë iniciativë, madje është shumë e qëlluar. Kjo iniciativë ngritët dhe bëhet fakt që duhet të dëshmojë për konstruktivitetin e shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të Kosovës, për bashkëjetesë, harmoni dhe respektim të ndërsjellë të vlerave të të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë!

Më 15 maj, në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës u organizua për herë të dytë ky Festival, i cili kësaj radhe iu dedikua një poeteje që nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën, as me Mitrovicën dhe as me komunitetet që jetojnë në Kosovë! Mysafire ekskluzive paska qenë poetja nga Maqedonia e Veriut, Lidija Dimkovska!

Qyteti i Mitrovicës i ka “shterë” të gjitha poetet dhe poetët nga Maqedonia e Veriut dhe tani i ka ngelur që ta ftojnë edhe poeten maqedonase, e cila ka qenë e lutur për të lexuar poezinë e saj dhe për të ndarë përvoja të jetës së saj si dhe rrëfime se si u bë shkrimtare e njohur! Mitrovica i ka punët si më mirë, i ka ngelur vetëm të dijë se si u bë Lidija Dimovska shkrimtare e njohur!

Po, a e pyetën mitrovicasit se cilët poetë e cilat poete shqiptare që krijojnë në Maqedoninë e Veriut i njeh Lidija Dimovska? A nuk u interesuan mitrovicasit për të ditur se cili është kontributi i Lidija Dimovskës për afirmimin e krijimeve letrare të poeteve dhe poeteve shqiptare që krijojnë në Maqedoninë e Veriut! Po pse nuk kërkuan që t’ju flasë, për shembull, pse poetët shqiptarë nga Kosova apo konkretisht, poeti gjeni i Mitrovicës, Ragip Sylaj, nuk mund të botohen në gjuhën shqipe (maqedonisht, po!) në Maqedoninë e Veriut; pse asnjë shtëpi botuese nuk mund të konkurrojë me krijues nga Kosova në programin vjetor të Ministrisë për Kulturë të RMV-së? Cili është angazhim i Lidija Dimovskës për t’u përfshirë shkrimtarë shqiptarë rezidentë në Shoqatën e Shkrimtarëve të RMV-së?

Pra, Mitrovica promovon një poete “ndërkombëtare”, të një komuniteti tjetër, e cila as që dëshiron t’ia dijë për komunitetin i cili e promovon në Muzeun e Mitrovicës! Çdo komb i ka festivalet e veta, inicion festivale të reja me të vetmin qëllim për të përcjellë mesazhe kulturore që dalin nga shpirti kreativ i një etnie!

Festivalet që e harrojnë këtë mision, nuk i bëjnë nder askujt, aq më pak mund ta përfaqësojnë identitetin kulturor të një etnie, në rastin konkret, të shqiptarëve të Kosovës! Prandaj, me gjasë, dikush ka vendosur që Kosova të mos përfshihet në “Ballkanin e Hapur”, derisa shqiptarët ta ndjejnë po atë respekt të detyrueshëm (!), të cilin e presin komunitetet e tjerë prej shqiptarëve “të urryer”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat