Në IAP u përurua vëllimi poetik "Shekulli i pafund" i poetit mërgimtar, Safet Sadiku

Kultura

Në IAP u përurua vëllimi poetik "Shekulli i pafund" i poetit mërgimtar, Safet Sadiku

Më: 19 maj 2022 Në ora: 17:43
Safet Sadiku

Sot, më 19 maj 2022, në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në prezencë të miqve artdashës dhe dashamirëve të fjalës së bukur artistike, të poetëve, profesorëve, studentëve dhe mysafirëve të praanishm nga viset e ndryshme të Kosovës, të Iliridës dhe nga diaspora u bë përurimi i vëllimit poetik "Shekulli i pafund" i poetit Safet Sadiku.

Këtë takim e nderuan me prezencën e tyre edhe kolosët e shkencës e të dijes, Akademik Hakif Bajrami e Dr. Adem Zejnullahu, si dhe veteranë të luftërave të fundit çlirimtare ( nga Kosova e Ilirida), veprimtarë të çështjes kombëtare e familjarë të poetit Sadiku.
Këtë eveniment kulturor e moderoi shkrimtarja dhe poetja e talentuar, Drita Kosumi- Syla.
Për jetën e poetit Sadiku foli Drita Kosumi-Syla, ndërsa për veprimtarinë publicistiko-atdhetare të poetit Safet Sadiku foli shkrimtari e publicisti z. Fadil H. Curri.

Për tematikën dhe motivikën e librit "Shekulli i pafund" të poetit S. Sadiku referuan prof. Emin Azemi nga Ilirida dhe Zymer Mehani nga Besiana.

Fragment nga fjala e Drita Kosumit:

"Safet Sadiku i takon brezit të krijuesve të viteve 80-ta. Ai lindi më 1 nëntor të vitit 1964 në Zhabar të Epërm të komunës së Mitrovicës. Arsimin e detyrueshëm e kreu në vitin 1979, në shkollën tetëvjeçare ”Fazli Grajçevci” të Shipolit. Pas përfundimit të tetëvjeçares,regjistrohet në gjimnazin“Frang Bardhi” të Mitrovicës, drejtimin Shkencave Natyrore.
Edhe pse në shkollën e mesme kryen drejtimin, laborant i biologjisë, vendos të studioj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Dashuria e papërshkruar për poezinë dhe prozën, si dhe llojet e tjera të letërsisë bëjnë që ai të shkruajë edhe si student, në gazetat e kohës si; “Bota e re”, ”Rilindja”, “Shkëndija” dhe “Pionieri” të Prishtinës.

Pjesë nga fjala e poetit Fadil H. Curri:

Pjesë nga recensioni i Z. Mehanit:
"
Poeti Safet Sadiku nuk është zë i ri në pozinë shqipe, ngase ky emër është i njohur për lexuesin shqiptar që nga vitet „80 të shek. XX, kur ishte student i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai shquhet për mendimet dhe aftësitë krijuese të të vërejturit të zhvilluar të dukurive dhe të fenomeneve, si dhe të problemeve e të çështjeve të ndryshme. Ky autor është i vetëdijshëm se prej krijuesit kërkohet paraqitja e problemeve dhe e çështjeve jetësore, pasqyrimi i realitetit dhe i çdo gjëje që e thotë, në mënyrë të përmbledhur, koncize, me fjali të dendura që shprehin mendime të thella, elemente këto që ua shtojnë vlerën edhe më shumë poezive të tij".

Fragment nga recensioni i prof. Emin Azemit:

"Një kronikë poetike e kohe që e ka jetuar autori, duke qenë i dyzuar në mes të preokuptimit krijues e njerëzor ndaj temave e fenomeneve që e rrethojnë. Në këtë dyzim nxjerr krye sensi i tij për të vërejtur gjëra që një sy i rëndomtë nuk do t’i  vërente, sepse ky është edhe misioni  artit: që me mjete delikate “kirurgjikale” të depërtojë në qenësinë e gjërave, madje edhe atëherë kur ato na duken krejt të zakonshme.

Ky opus poetik që vjen në librin e Safet Sadikut, është shprehje e një artikulimi origjinal të një kohe që kishte qenë dramatike për Kosovën, atëherë kur okupimi serb po sfidohej me mënyra e mjete të ndryshme nga popullata dhe elita kosovare" .
Për poetin Safet Sadiku, me radtin e promovimit të librit të tij, kishinarritur shumë mesazhe nga miqtë e tij.

Mërgimtari dhe shoku i studimeve, Naser Veseli, Gjermani:

"Urime për kolegun tonë Safet Sadiku,suksese e shëndet në rrugën që ke nisur! Uroj të kaloni mirë bashkë me Prof.Zymerin! Mendja më rrin atje te ju, por ja që mundësia e ardhjes është tepër e vogël, por si do që të jetë, urime për përurimin e librit!"
***
Poeti slloven nga Lublana e Sllovenisë, Sreçko Çoz, :

"I dashuri mik Safet,
Jam krenar që ju njoh dhe më vjen mirë që më keni prezantuar një pjesë të autobiografisë suaj të pasur dhe mbresëlënëse!
E respektoj rrugën që keni ecur edhe pse për ju nuk ka qenë e lehtë. Jam i sigurt se jeni të respektuar mes kolegëve dhe miqve.
Në kohën e miqësisë sonë, ju vlerësova si një njeri të arsyeshëm, të matur dhe të përzemërt, me qëndrime të qarta dhe këmbëngulje në arritjen e qëllimeve të dëshiruara.

Ju jam gjithmonë falënderues që ju ma përkthyet dhe botuat në gjuhën shqipe librin tim me lirika "Zemra në mur".
Ju uroj gjithë të mirat në të ardhmen, luftë të suksesshme për qëllime të drejta dhe kënaqësi në rrethin e famljes: bashkëshortes suaj dhe të dy djemve.
Urime për librin, miku im!
Paçi fat!"
***
Artisti dhe kolegu Feriz Hoti, Zvicër:
"Ah, sa po më mbetet merak! Për vetëm 4 ditë nuk po arrijë( me 23 maj e kam fluturimin), por uroj që Safetin dhe shoqërinë e poetëve në krye me prof. Zymer Mehani do t''i takojë dhe do të pimë kafe së bashku..
Respekt për të gjithë që punuan rreth përmbledhjes me poezi "Shekulli i Pafund" të autorit Safet Sadiku.
Safetit i urojmë rrugëtim të mbarë në vallen ku ishte që moti!"
***
Mesazhe urimi për poetin Sadiku kanë dërguar edhe kolegia Miradije Berisha, arsimtare e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Vjenë të Austrisë, poetja e talentuar Elhame Gjyrevci nga Danimarka e shumë miq të tjerë...
Takimin e përmbylli me një fjalë rasti  poeti Safet Sadiku, i cili ishte falënderues për të gjithë pjesëmarrësit, që i ftoi për një koktej rasti.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat