Dikur në Iliri

Kultura

Dikur në Iliri

Nga: Fran Gjoka Më: 21 maj 2022 Në ora: 10:54
Romani "Mallkim i Përjetshëm"

Të sjellësh historinë e lashtë më të lavdishme të kombit tënd me një vërtetësi dhe besnikëri të pakundërshtueshme në një roman artistik, nuk është e lehtë as për shkrimtarët më të suksesshëm në botë. Autorë të tillë duhen vlerësuar dhe respektuar njëherësh për punën e madhe studimore mbi Historinë e Kombit dhe për nivelin e lartë artistik me

të cilin e kanë trajtuar këtë histori. Nuk dua të bëj krahasime me ndonjë roman tjetër historik, po për hir të së vërtetës së pastër e të thjeshtë, më duhet të pranoj që shkrimtari Pajtim Xhelo na i ka sjellë kohën e largët e të Lavdishme 2400 vite më parë ( 229 - 228 para Krishtit) me një vërtetësi të habitëshme, me një thjeshtësi dhe rrjedhshmëri, si të na jepte një sinfoni nga ato që të ngrenë shpirtin peshë dhe të mbeten shoqëruese të çasteve më të lumtura të jetës.Libri nuk të lejon ta mbyllësh, për të vijuar leximin në një kohë tjetër. Libri nuk të lë për asnjë çast shijen e hidhur të " të rëndomtës" dhe të një " rrëfenje narrative, të zakonëshme, të një historie që ka ndodhur dhe ti ke marrë përsipër ta paraqesësh me vërtetësi. Libri të bën të krenohesh dhe të ndihesh i plotësuar me Lavdinë e paraardhësve të tu Ilirë, Epirotë, Maqedonë (Pellazgë). Libri të mëson Historinë e Vërtetë të Lashtë të paraardhësve të tu, shumë herë më mirë sesa na i mësojnë librat e shkollës në të gjitha nivelet. Romani " Mallkim i Përjetshëm" të bën të dashurohesh me disa nga personazhet krysorë të tij. Pasi e ke mbaruar së lexuari romanin, ti jeton me ata personazhe për një kohë të gjatë, ti i krahason jetën dhe bëmat e tyre me heronj të tjerë që ke hasur në librat e ndryshëm që ke lexuar. Sigurisht, ke arritur në përfundimin që këta personazhe të janë sjellë nga shkrimtari përmes pleksjes së ngjarjeve me një mjeshtëri të shkallës sipërore, me një art të kërkimit e të gjetjes së " më të mirës", " më të bukurës", " më të dashurës", " më njerëzores", " më shoqërores", " më shpirtërores" dhe " më të përshtatëshmes për të gjitha bashkësitë shoqërore, të gjithë shtresimeve intelektuale dhe atyre të zakonëshme". Natyrish, e veçanta e stilit të shkrimtarit është paraqitja e personazheve jo në rrugën e zakonëshme të përshkrimit të tyre fizik dhe psikologjik vetëm një here (pavarësisht çastit të veprimit të këtij personazhi). Personazhet e romanit përshkruhen disa herë, atje ku del e nevojëshme dhe e domosdoshme të ligjërohen veprimet e tyre në ndërthurje me personazhet e tjerë, atje ku duhet të mbështeten me argument sjelljet jashtë natyrës së tyre, atje ku duhet të jepet mesazhi i " të duhurës", " edukueses" dhe " ardhmërisë".Thyerja e pasqyrimit të karaktereve të veçanta të personazheve, duke na i dhënë ato në lidhje logjike me çastet e veprimeve rastësore dhe rrjedhimore, logjike ose kundërveprim i menjëhershëm ndaj një padrejtësie, nxitur nga këshilltari i keq, nxitimi, përbën atë që i jep bukurinë dhe hijeshinë, tërheqjen shpirtërore dhe psikologjike të lexuesit, ndryshe nga shumë vepra të tjera të kësaj gjinie letrare. Shkrimtari gjen vend dhe hapsira tërheqëse edhe për tragjeditë vetjake të personazheve, që pleksen me tragjedinë e madhe të Ilirisë dhe këto tragjedi i japin romanit horizonte të përfytyruara dhe ndodhi të pritëshme, po asnjëherë të parathëna.Tragjedia e Etlevës dhe Eugenit, bëhet natyrshëm pjesë e dhëmbjes së tragjedisë së Ilirisë.Në roman thurret bukur, fare lirshëm, e veçanta me tërësoren.Nuk mund të mos përmend edhe një mjeshtëri të rrallë të autorit, për të mos krijuar një ngarkesë psikologjike të ndryshme për personazhet e dorës së parë, nga ata të jetës së thjeshtë, të përditëshme...Ai I trajton me të njëjtën vëmendje dhe kujdes.Nuk është e lehtë të pasqyrosh një pjesë të jetës së qyteteve të

lashta, shumica e të cilave sot nuk janë më, pjesa më e mirë e tëcilave njihen vetëm nga të dhënat e historiografëve të lashtësisë, apo e gjeografëve dhe shkrimtarëve të asaj kohe.Veç, duke kaluar nga një ngjarje në tjetrën, nga një kapitull në tjetrin, shpesh futesh në ato ambiente dhe jeton edhe ti aty, bëhesh personazh mes njerëzve të asaj kohe...Të duket se gjithçka po ndodh rreth teje. Ti përjeton Orikun, Skodrën, Dyrrahun, Lisin, Basaninë, Draudakun, Olcinin, Rizonin, Apoloninë, Bylysin, Aulonën, Amantien, Korkyrën, Foiniken, Ambrakinë , Kampanien, Taranton, Brindisin dhe shumë qytete të tjera ku zhvillohen ngjarjet në roman.Ti përjeton betejat e vërteta, të përshkruara me një mjeshtëri të rrallë të një njohësi të artit ushtarak të kohës.Ti ndjen luftën, dhëmbjet dhe pasojat e saj, ndjen thellë të vërtetën e madhe që " Në asnjë luftë nuk ka as fitimtarë, as humbës.Duke i shtuar kësaj vlere të veçantë edhe thyerjen e mendimit( sidomos në monologjet), por jo vetëm, kjo i jep një vend edhe më të respektuar shkrimtarit, i cili ka ditur të ndërthurë Prozën Poetike të disa shkrimtarëve të mëdhenj klasikë, me një raport të mrekullueshëm mes bashkëbisedimit( dialogut), bisedës me veten( monologut), pjesëve pëshkruese dhe atyre analitike. Në fund të fundit, çfarë e dallon një shkrimtar të paisur me një kulturë të gjithanëshme( jo vetëm letrare) nga një shkrimtar I zakonshëm( me një kulturë të paplotësuar edhe në letërsi) ? Stili plot ngjyra ylberi i Pajtim Xhelos shpërthen papritur aty ku je duke lexuar një ngjarje të zakontë dhe të mbërthen e të dytyron ta lexosh dy e tri herë një përshkrim gati gati të papërsëritshëm, një figurë stilistike të pa hasur më parë në librat e tjerë, një paralelizëf figurativ të përkryer ose një kundërvënie mes dy fenomeneve të natyrës apo të dy personazheve, madje edhe brendapërbrenda një personazhi të vetëm. Tjetër vlerë e shkrimtarit në këtë roman është edhe mospërsëritha e fjalëve, mospërsëritja e gjendjeve psikologjike e shpirtërore në të njëjtën mënyrë.E thënë me fjalë më të thjeshta, shkrimtari nuk përsërit veten thuajse asgjëkund, tregohet i vëmendëshëm për të na i dhënë gjithçka në dukje të barabartë me ngjyrime të ndryshme, një herë të barghë, pastaj blu, të gjelbër, lejla... Të gjitha ngjyryt e ylberit do t'i bëjnë " të njëjtat" të larguara nga njera-tjetra.

Gjuha e zgjedhur, e përshtatur edhe me kohën, me ambientet e ndryshme, me nivelin shoqëror dhe intelektual të personazheve dhe grupimeve që prodhojnë ngjarje dhe vijimësi e bën edhe më bindës kohën historike në të cilën po zhvillohen situatat vetjake dhe shoqërore. Autori u ka qëndruar përjashtues shumicës së fjalëve ardhacake dhe është përpjekur që t'i zëvendësojë ato me fjalët e mirëfillta të Gjuhës Shqipe. E thjeshta, e bukura lakuriq, e madhërishmja e pakundërshtueshme, si atëhere kur shprehen duke i parë nga kënvështrimi historik, edhe kur vishen me ngjyrat e stinëve, me lulëzimin e pranverës, me flladin mbrëmësor e hënor të anëdetit në korrik, me vesën mëngjesore të vjeshtës, me pelerinën e bardhë e gri, pelerinën e trishtë të dimreit., krijojnë një arie mbreslënëse , që të bën për vete dhe të qetëson edhe pas një dhurate pikëlluese të jetës së përditëshme. Unë e kam pak të vështirë të shpreh atë që duhet për vlerat e këtij romani, edhe pse ato flasin vet, veç flasin me zë të ulët, të qeta, pa egoizëm dhe pa kërkuar kurorë apo piedestal. Gjatë bisedës që pata me të, më kanë mbetur në mendje dy thnie të vyera: E para: "Ne duhet të njohim rrënjët tona dhe t'i ushqejm ato shëndetshëm, që t'i shoqërojmë me historinë tonë të re në një Përjetësi."

E dyta: " Një komb që nuk di nga ka ardhur, i ngjan një notar që stuhia e nxjerr në një breg të panjohur, ku mbetet një i huaj, pa identitet, shpërfillur dhe nën mëshirën e të tjerëve. Kjo ishte shtysa që studjova për dhjetra vite për të njohur rrënjët e mia, në mënyrë që të ndihem degë e trungut që ushqejnë këto rrënjë". Sa mirë do të ishte, sikur të gjithë shqiptarët të mendonin e të vepronin kështu! Sa mbarësi do të ishte që Historia e Kombit të mos mësohej si një detyrim shkollor, po si një dëshirë e lindur bashkë me çdo qytetar për të qenë krenar për origjinën e tij. Le të themi pak fjalë për atë që paraqet Romani " Mallkim i Përjetshëm".Figura qëndrore e subjektit është Mbretëresha Teuta e Ardianëve. Edhe pse nuk del shpesh në bëmat e saj, ajao plotësohet përmes ngjarjeve, luftrave që ajo drejton për bashkimin e gjithë Mretërive Ilire, të Epirit dhe të Maqedonisë në një Mbretëri të Madhe, qëllimi i vetëm i së cilës do të ishte përballja me fuqinë më të madhe të kohës, Perandorinë Romake që po forcohej dhe po bëhej një kërcënim real për Ballkanin. Natyrisht, edhe pse këtë luftë e nisi Mbreti Agron, suksesi që u arrit në këtë përpjekje ishte meritë e saj.

Figura e Teutës jepet pak e largët, jo shumë vepruese, por mençuria dhe aftësitë e saj si Mbretëreshë me ide të qarta për ardhmërinë, me cilësi të spikatura të një origjine Mbretërish dhe fisi hyjnor që kish lënë gjurmë të pashlyeshme në Historinë e Ballkanit Pellazg, dalin në çdo veprim të udhëhequr nga idea e Bashkimit të popullit pasardhës të Pellazgëve për të qenë i sigurt në vijushmërinë e tij në trojet e veta. Mençuria, urtësia, këmbëngulja dhe aftësia e saj për të bindur ata që kish vënë në krye të punëve, i dhanë Teutës, Mbretëreshës dhe Gruas së Pathyeshme suksesin e merituar. Ajo arrin të Bashkojë Dardaninë, Taulantët, Parthinët, Bylynët, Dalmatët, Pirrejtë...Gati të gjitha Mbretëritë Ilire. Më në fund, pushton edhe Epirin e dobësuar nga luftrat e brendëshme.Po tradhëtia e Demetër Farit, e cila ështrë dhënë aq bindëse, me nota tërësisht realiste, arrin të ndalojë rrugën e shenjtë të nisur nga Mbreti Agron dhe të vijuar me besnikëri, trimëri dhe guxim nga gruaja e tij, Teuta, e cila, duke shpërfillur gjithë rreziqet dhe vështirësitë që kishte një mision kaq i pamundur në dukje, bëri atë që mbase nuk do ta bënte asnjë Mbret tjetër. Aq mjeshtërisht është paraqitur nga shkrimtari në këtë roman tradhëtia e Demetër Farit, lidhjet e tij me Romën, organizimi i kryengritjes së Bylynëve dhe Sesaretëva kundër Mbretëreshës Teuta, e ndihmuar kjo edhe nga Apolonia dhe Dyrrahu, të cilët ishin lidhur edhe ata me Romën, sa të jep përshtypjen se romani ka qëllim kryesor këtë tradhëti, e cila jepet si një Apokalips që ndryshoi fatet e kombit tonë që atëhere, për të patur pasojat e hidhura dhe të pamerituara gjatë gjithë historisë. Për të qenë brenda të vërtetës, në roman jepet puna madhështore e Teutës, po ktrahas saj përshkruhet edhe puna e nëndheshme e tradhëtarit Demetër Fari, jepen përpjekjet e pandalura të Romës me lidhjet e spiunazhit të saj, sidomos në qytetet që ishin nën ndikimin e Mesdheut që po fuqizohej, kryesisht të Romës, Dyrrah, Apoloni Basani, Korkyrë dhe Far.

Po, nëse do ta shohim nga rëndësia për fatet e Ballkanit pellazg,figura e Demetër Farit mbetet qëndrore në Roman. Zakonisht, në veprat letrare (thuajse të të gjitha rrymave) e mira lufton me të keqen dhe pas një rruge të mundimëshme, ajo fiton mbi të. Kjo është e thjeshtë dhe nuk të jep shumë emocion. Në këtë roman ndodh e kundërta...E keqja, e ushqyer për fat të keq nga njeriu të cilit i qe besuar udhëheqja e Ushtrisë Ilire, Kryekomandantit të saj,Demetër Farit, i cili, për hir të së vërtetës,duhet pranuar si ndër më të zotët e kohës, e nxitur me të gjitha rrugët e format nga Roma, që po e shihte Teutën si pengesë serioze në realizimin e qëllimeve të saj, për të dalë si superfuqi në Mesdhe, triumfon, duke shkaktuar një tragjedi të përjetëshme për Ballkanin, pra për Ilirinë e Madhe, ëndrën e Agronit dhe Teutës.Vetvetiu lind pyetja : " Sikur Demetër Fari të mos ishte bërë udhërrëfyes i Romës, të mos kish tradhëtuar, cili do të qe fati i Ballkanit? Sigurisht, i ndryshëm nga ai që është sot. Një fuqie të nadhe, siç do të qe Iliria e Bashkuar, as Roma dhe asnjë fuqi tjetër nuk do t'I dilte dot.

Edhe Aleksandri, edhe Pirroja ishin të fuqishëm, por ata ishin pushtues, nuk e vunë madhështinë dhe shkëlqimin e tyre në shërbim të një Bashkimi të pasardhësve të Pellazgëve.Teuta ishte e vetmja që luftoi për këtë bashkim. Ajo (edhe Agroni para saj) as që ëndëronin të pushtonin popujt e tjerë. Kësisoj, në roman del edhe një herë Madhështia e Mbretëreshës Teuta, e cila donte Bashkimin për të qenë e mbrojtur dhe e sigurt në trojet që i kishin lënë të parët. Edhe një vlerë e shtuar, e panjohur nga historiografia shqiptare...Në vitin 229 ( para Krishtit) në qytetin port të Thronit ( Zvërnecii i sotëm në Vlorë) u ndërtua Kantieri gjigand i anijeve, nga i cili u përgatitën 200 anije dysërërremëshe, ndër më të shpejtat dhe më të sigurtat në Mesdhe e më gjerë: Dy ditë para sulmit të Flotës Detare të Romës, Demetër Fari, i vuri zjarrin Kantierit, ku u dogjën e u bënë shkrumb të dyqind aniet. Kësisoj, duke marrë parasysh edhe faktin që Demetër Fari i bashkoi Fllotës Romake edhe shumicën e anijeve ilire që ktheheshin nga inkursioni i pushtimit të Korkyrës dhe ishujve të Jonit, Fllota Romake e drejtuar nga Konsujt Gnej Fulvi dhe Aul Postumi, shpartalluan rezistencën e mbeturinave të Fllotës Ilire dhe hynë në Apoloni, ku mposhtën rezistencën e këmbësorisë së ushtrisë Ilire të udhëhequr nga Komandanti legjendar, Skerdelaid Adri, persomazhi tjetër i rëndësishëm i romanit, veç personazh pozitiv, mishërimi i çdo vyrtyti dhe vlere,si njerëzore, ashtu edhe ushtarake. Më duhet të theksoj fuqishëm që mjeshtëria e përshkrimit të kapitujve të fundit, ku ndihet shpirti, dhëmbja, përjetimi tragjik i fatit të pamerituar të Ilirisë, rrallë mund të haset në ndonjë vepër tjetër letrare.Shkrimtari Pajtim Xhelo, me penën e tij hyjnore, duke përjetuar edhe vet thellësisht atë që ka ndodhur 2400 vite më parë, na e përcjell me hidhërim krenar tragjedinë e tmerrshme, pasojat e së cilës i vuajtën dhe po i vuajnë brezat që erdhën më pas. Një roman që u vlerësua në vitin 1988 nga Shtëpia Botuese " Naim Frashëri" (më prestigjozja e asaj kohe) me nota të larta. Sipas Arben Xoxes (që ishte recensent artistik) " Ishte ndër romante e pakta ku është realizuar heroi epik). Sipas Myzafer Korkutit, romani" Ishte një vërtetësi e pakundërshtueshme historike, që shërbeu edhe për përcaktimit të qytetit Thron, i cili ishte akoma i pavendosur."

Madje, Z Korkuti (si recensent për anën historike), kërkoi leje për të dhënë edhe mendim si lexues i kualifiukuar dhe u shpreh edhe ai me nota të larta vlerësuese. Drejtori i Romanit të asaj kohe, Z. Pirro Misha ( Sot Drejtor i Bibliotekës Kombëtare), e aprovoi për botim, por bëri një sugjerim të vogël...Të ndryshonte një kapitull ku flitej për një sulm të Dardanisë ndaj Teutës ( sulm që nuk u krye, sepse Teuta dërgoi një delegacion për bashkim paqësor me Mbretërinë Ardiane) Autori nuk pranoi ta bënte këtë ndryshim për arësyen e thjeshtë që donte të qëndronte besnik i Historisë së Vërtetë. E botoi më pas, veç në një kohë shumë të turbullt e të ngat[ërruar, në mars të vitit 1997.Në Shtëpinë Botuese " Onufri" Kuptohet, romani nuk pati vlerësimin e duhur, autori nuk mund ta shpërndante nëpër plumba, edhe pse pjesërisht e bëri këtë.

Përfundimisht, arësyeja që vendosa të bëj këtë vlerësim kritik për një nga romanet më të arrirë në Letërsinë Shqiptare, është fare e thjeshtë... Në këtë kohë të mjegullt që po jetojmë, intelektualët, sidomos ata krijues, duhet të japin ndihmesën e tyre, të zhveshur nga xhelozia,egoizmi, cmira, për qëllimin e vetëm që shoqëria shqiptare të marrë vlerat e vërteta intelektuale, atmëmëdhetare, artistike, shpirtërore...Të njohi rrënjët e saj dhe të tregohet falënderuese dhe mirënjohëse e njerëzve që ushqejnë këto rrënjë.Letërsia e çoroditur e këtyre 30 viteve ka nevojë për vepra të tilla si romani " Mallkim i Përjetshëm" i shkrimtarit Pajtim Xhelo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat