Përsiatje rreth librit “Opinione” të autorit Hafiz Shala

Kultura

Përsiatje rreth librit “Opinione” të autorit Hafiz Shala

Nga: Zymer Mehani Më: 21 maj 2022 Në ora: 16:43
Kopertina e librit

Tanimë dihet mirëfilli se roli i diasporës sonë kudo në botë, e veçanërisht në SHBA, për pavarësinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm. Ajo bëri gjithçka për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë, duke lobuar në qendrat e vendosjes në Europë, e sidomos në SHBA, në vendin më të fuqishëm të botës; duke mbledhur fonde dhe deri te kyçja vullnetare në radhet e UÇK-së për ta çliruar Kosovën nga okupatori serbosllav.

Historikisht pjesëmarrja e shqiptarëve të Amerikës në momentet kyçe të kombit tonë ka qenë shumëplanëshe dhe e paçmueshme. Një gjë të tillë e vazhdoi edhe atdhetari e intelektuali Hafiz Shala, ky veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, i cili pati fatin të jetë pjesë e  komunitetit shqiptar, ngase andrallat e jetës, si ekonomike, e më shumë politike, bënë që edhe ky atdhetar i devotshëm, sikurse edhe shumë të tjerë, para dhe pas tij, të mërgojë në SHBA.

Duke e pasur parasysh që edhe sot e gjithë ditën çështja e shqiptarëve në Ballkan ka ngelur e pazgjidhur, veprimtari e publicisti Hafiz Shala me publicistikën e tij, të përmbledhur në librin “Opinione”, na njofton se Shqiptarët e Amerikës kanë qenë dhe janë një komunitet heroik që bëri në të kaluarën, e mund të bëjë edhe sot më shumë për kombin, ngase kombi ynë ende jeton në hartën e grisur, duke mbetur i copëtuar, me troje të okupuara nga shtetet fqinje, që nuk do të demokratizohen asnjëherë, përderisa kanë ambicje shoviniste ndaj kombit tonë dhe gjersa t’i trajtojnë shqiptarët si  qytetarë të rendit të dytë, të pabarabartë me shumicën, në shtetet ku ata jetojnë.
Krejt në këtë frymë të solidaritetit me bashkëkombësit e tij në Kosovë, s’do të resht së shkruari për asnjë çast as pena majemprehtë e publicistit Hafiz Shala, për të vënë në pah vlerat dhe rëndësinë e shkrimeve me karakter kombëtar, për ngjarje të rëndësishme, të cilat i ka përjetuar edhe ai vetë si protagonist, sidomos gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur dhuna serbe shfrenueshëm po shkaktonte plagë e po hapte varre edhe në truallin e Kosovës, me pretendime gjenocidale më 1999.

Nga “Opinionet” e z. Shala, mësojmë se kujtesa e këtij luftëtari të lirisë është po aq e fortë sa edhe arma e tij-dija dhe guximi intelektual, të cilat ai mrekullisht diti t’i përdorte që të dyjat, sipas nevojës.

Hafiz Shala në shkrimet e tij publicistike, në opinionet dhe analizat e veta, sa  është besnik ndaj së vërtetës dhe i pakompromis me mashtruesit, gënjeshtarët dhe labilët, aq është edhe trim e guximtar, kur është fjala për vlerat e atdhetarizmit shqiptar. Ky veprimtar lobist shqiptaro-amerikan, i orëve të para, përherë e vë në pah shpirtin e tij intelektual prej atdhetarit të denjë. Asnjëherë s’mburret me bëmat e tij gjatë veprimtarisë së bujshme, të udhehequr nga Liga Qytetare Shqiptaro- Amerikane, apo Lobi Shqiptar në SHBA, në krye me mikun e madh të shqiptarëve, zotin DioGuardi, në krah të të cilit u rreshtua pa farë hezitimi, sapo u dha kushtrimi për mobilizim dhe veprim për çështjen shqiptare në përgjithësi e për çështjen e Kosovës në veçanti.

Pena e guximshme e publicistit Hafiz Shala, asnjëherë nuk hesht ndaj bashkëpunëtorëve, shërbëtorëve të Serbisë, udbadheve shqipfolës, intrigantëve, manipulatorëve, tradhtarëve etj. etj., të cilët, në shkrimet e tij i demaskon me forcën e argumentit dhe me fuqinë e fjalës së vërtetë, që artikujve të tij u japin gjallëri dhe vlera të pakontestueshme.

Mbresëlënëse janë shkrimet e tij që i bën për lobimin e gjatë të shqiptarëve anembanë SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, ku përmend sipas kronologjisë zhvillimet që çuan deri te çlirimi i Kosovës, siç ishin paraqitjet e rezolutave të ndryshme në Kongresin Amerikan, në Senatin Amerikan, në Departamentin e Shtetit  dhe në institucionet tjera të SHBA-ve, nga zoti DioGuardi, senatori Bob Dole  e shumë të tjerë. Siç tregon veprimtari e publicisti, Hafiz Shala, që ishte dëshmitar i këtyre zvillimeve, për këto rezoluta në përkrahje të shqiptarëve, pa u vonuar për asnjë çast, reagonin lobet ruso-greke, duke e sulmuar zotin DioGuardi si provokator dhe duke tentuar që nën presionin e Departamentit të Shtetit t’i ndalojnë dhe të mos i pranojnë këto rezoluta.
Publicisti atdhetar Hafiz Shala, diku në shkrimet e veta, do të thotë me modesti: “Ky ishte vetëm fillimi i sagës së Lobit Shqiptar, i cili me tërë kapacitetin dhe me ndihmën financiare të bashkatdhetarëve dhe të aktivistëve në lobimin për çështjen shqiptare, nën udheheqjen e zotit Josef Jey DioGuardit, për tri dekada nuk u ndal në përpjekjet për të drejtat e shqiptarëve, deri te kurorëzimi  me pavarësinë e Kosovës.

Pa qëllim që të lëshohemi në detaje, si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të zotit DioGuardi, në cilësinë e anëtarit të bordit, qëllimi ynë është që të paraqitet një pjesë nga kontributi i Lobit Shqiptar në SHBA në internacionalizimin dhe senzibilizimin e çështjes shqiptare pranë popullit dhe Administratës Amerikane, për afro tri dekada”.

Siç thamë edhe një herë, pena majemprehtë e publicistit Hafiz Shala në shkrimet (artikujt, opinionet, analizat) e tij nuk do t’i kursejë së kritikuari, demaskuari dhe luftuari as mashtruesit, përfituesit në kurriz dhe në emër të lirisë së shqiptarëve. Po ashtu do t’i demaskojë edhe kolaboracionistët, udbashët, vasalët shqiptarë, shqipfolësit etj. etj...që përpiqeshin dje, por edhe sot për ish-Jugosllavinë dhe që punonin e punojnë edhe sot e gjithë ditën duke menduar serbosllavisht, gjithmonë në dëm të interesit kombëtar.

2. Hafiz Shala- veprimtar, kronikan   dhe gardian i lirisë së Kosovës

Libri ,,Opinione“ i Hafiz Shalës, veprimtar i denjë i çështjes kombëtare, pinjoll i familjes së ndritur, Shala nga Ujmiri, që i dha kombit luftëtarë të lirisë dhe ndihmuan çështjen kombëtare për liri dhe pavarësi, është edhe një kontribut i çmueshëm dhe i pamohueshëm i këtij veprimtari, dhenë kulturës sonë kombëtare. Po ashtu, ky libër monumental, veç tjerash është edhe një përpjekje e qëlluar e autorit Shala për të vënë në pah vlerat dhe rëndësinë e shkrimeve me karakter historiko-heroik për ngjarje të rëndësishme, të cilat i ka përjetuar si veprimtar në tokën e bekuar të SHBA-ve. Pena e tij majeprehtë është sa e butë për miqtë e sinqertë, po aq e urtë për të drejtën dhe të vërtetën, por shumë më e ashpër dhe e pamëshirshme për armiqtë, hipokritët, tradhtarët e maskarenjtë, që s’kanë humanitet, as karakter të shëndoshë, por më shumë u shëmbëllejnë zvarranikëve, ujqërve e hienave, që s’dinë të ngopen me gjak...

3. Besnik ndaj së vërtetës…

Autori Hafiz Shala në shkrimet e tij publicistike, të përmbledhura tashmë në librin “Opinione”, që do ta botojë Shtëpia Botuese “Meshari” e Prishtinës, gjithnjë është besnik ndaj së vërtetës dhe i pakompromis me mashtruesit, gënjeshtarët dhe labilët. Kur është fjala për vlerat e humanizmit dhe të atdhetarizmit, ky autor përherë e vë në pah shpirtin e tij intelektual prej atdhetarit të denjë.
Vërtet, duke pasur për argument të gjitha këto shkrime, që e përbëjnë këtë libër, por edhe shumë shkrime të shpërndara kudo në shtypin shqiptar; me intervistat, me kronikat, si dhe me reportazhet, që i bëri dje dhe që i bën edhe sot, veprimtarin Hafiz Shala lirisht mund ta quajmë Promethe të ditëve tona, apo Uragan të pandërprerë, stuhi tropikale, prore i fuqishëm dhe i shpejtë, që po lë gjurmë të pashlyeshme në letrat tona shqipe, ngase, siç konstaton edhe poeti e kritiku shqiptar z. Agim Desku, publicist Hafiz Shala përherë gjeti forcë për të dalë para lexuesve me opinionet e tij përkitazi me synimet se si do të duhej ecur përpara si shtet, sepse aktualiteti i opinioneve të tij për lexuesin do të jenë motivim për të ndërtuar një shtet të së drejtës me të gjitha segmentet e tij përcjellëse, çka secilin do ta bëjë krenar, duke qenë përjetues i vetë ngjarjeve, që ishin rreshtuar nga okupatorët serbo-sllavë, me një makineri marramendëse e shafrosëse për popullin shqiptar.

Zymer Mehani, Podujevë, më 25 tetor 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat