Poezi e shqetësimit dhe e protestës

Kultura

Poezi e shqetësimit dhe e protestës

Nga: Ajete Zogaj Më: 23 maj 2022 Në ora: 11:15
Kopertina e librit

Nëse thuhet se, “Poezia është gjithçka e çiltër dhe shpirtërore në çdo kohë” (Viktor Hygo)[1], poezia e pedagogut dhe poetit Ruzhdi Kadrija, para së gjithash, është poezi e protestës dhe shqetësimit shpirtëror e intelektual, për ecejaket, rëniet e ngritjet, për të keqen e shëmtinë që po ia zë frymën Kosovës dhe së ardhmes së saj!

Vargëzimi poetik

Vargu i poetit Ruzhdi Kadrija, është varg i çiltër, pa sforcime e zbukurime, është varg i cili buron nga përditshmëria, dhe që zanafillën e ka nga fillet e tij të para krijuese, siç mësojmë nga disa prej poezive të tij, ato janë krijime të cilat autori i ka shkruar që nga shkollimi i tij fillor.

Janë 111 poezi të librit “ Dromca poetike” të ndara në dy pjesë: Meditim dhe Të flas me ty, të cilat ashtu si ‘petalet’ shpalosen njëra pas tjetrës para lexuesit dhe artdashësve të fjalës së shkruar, për t’u bërë pjesë e letërsisë dhe artit të fjalës.

Vargëzimi poetik i autorit, i sjell lexuesit aromën e natyrës së vendlindjes dhe bukurive të saj, dashurinë, nderimin dhe përulësinë ndaj nënës dhe gruas si shtyllë e familjes dhe shoqërisë, por, edhe revoltën dhe protestën ndaj dukurive të shëmtuara të cilat rëndojnë jetën tonë të përditshme!

Kosovës dhe dëshmorëve të saj, poeti u ‘këndon’ bukur në vargun e tij, pa mitizime e glorifikime, ashtu siç e meritojnë dëshmorët dhe të rënët për liri!

“Përjetë dëshmorëve lavdi!/ Ushtarëve të gjallë respekt!/Që ranë vetëm për liri / e mbarsi të vendit të vet. ( Poezia “Ideali i ushtarit” fq. 29).

Autori i përjetëson në vargje dëshmorët e lirisë në disa nga poezitë e kësaj përmbledhje poetike,: “Hero i popullit Fadil Nimani / ky Çerçiz Topulli i Dardanisë/ një model si mbrohet vatani / dhe nderi i pragut të shtëpisë. ( Poezia “ Komandant Tigri” fq. 31).

Kosova, Manastiri, Çamëria, Iliria e Xha Brankos dhe shumë vende të tjera që bënë histori, janë vargëzuar bukur në librin poetik të poetit Ruzhdi Kadrijajt.

Poezi e protestës dhe shqetësimit

Në shumicën e poezive, shpërfaqet mllefi e shqetësimi i cili në vargjet e tij, merr formën e protestës shpirtërore prej një intelektuali të cilit i dhemb shpirti për të këqijat që si gangrenë po e ngufasin Kosovën dhe ardhmërinë e saj!

“Kjo botë e sotme, gënjeshtare/ me ndërskamca e mashtrime/ pas shpine sa dredhi hileqare/ e para syve krejt pa djallëzime (Poezia “Kohë injorantësh” fq, 52), po në këtë poezi, në vargun e fundit, autori jep këshilla se si t’ia vëmë pritën kësaj të keqeje:

punë të nisim një ditë të re / Zhvillimit tonë t’i japim drejtim/ për rininë e të dashurin atdhe / shkollim cilësor e punësim ( Po aty, fq, 53).

Shqetësimi i autorit shkon deri në mallkim, për degradimin e shoqërisë, ndërkaq shprehet i ashpër ndaj atyre që sollën këtë degradim:

“Thefshi qafën u rrëzofshi / të pafytyrë sy uritur / asnjëherë mos e gëzofshi / lekun e popullit të grabitur ( Poezia “Thefshi qafën” fq. 51)

Në vargëzimin e tij poetik, kërkohet që Zoti t’ua falë mëkatet mëkatarëve e të na udhëzojë për punë të mira:

“ Falna o Zot të voglat mëkate / të kësaj bote plot mashtrime / dhe për hir të mëshirës sate / mos na shëno të imtat gabime” apo në vargun ku i përgjërohet Krijuesit:

“ Zoti ynë pashë madhërinë tuaj / udhëzona të jetojmë me dinjitet / e shpirti ynë kurrë të mos vuaj/ nga poshtërsia që zemrën vret ( Poezia “Runa Zot” fq. 54)

Vargëzim mbi dashurinë

Dashuria në poezinë e poetit është dhënë në dy rrafshe: dashuria ndaj nënës dhe dashuria ndaj gruas, bashkudhëtares së jetës.

Në vargjet për dashurinë, autori shprehë gjithë çiltërsinë e tij për vitet e rinisë dhe simpatitë e tij.

Tek poezia kushtuar nënës së tij, lexuesi gjen mundin dhe sakrificën e shumë nënave shqiptare në përkushtimin e tyre ndaj familjes dhe rritjes së fëmijëve në kushte të vështira ( kushte në të cilat vite më parë jetonin pjesa dërmuese e popullatës); ndërkaq në poezitë kushtuar gruas, ai e quan Zonjë të shtëpisë, e që në vargun e fundit të poezisë “ Zonja e shtëpisë” do të shprehet kështu:

“E thanë të vjetrit e unë e pranoj / se gruaja e mbanë tërë shtëpinë / krejt çka me bashkëshortin fitoi / të kursen më së miri veç ajo dinë. (Poezia “Zonja e shtëpisë” fq. 80).

Motivi i dashurisë është shprehur edhe tek poezitë: “ Faqemollë”, “Simpatia” “ Në një byrektore”, etj.

Në vargjet e tij, shprehet mirënjohje ndaj fjalëve e këshillave siç i quan ai të plakut, por edhe është mjaft kritik ndaj të rinjve që në vend të librit kanë telefonin i cili gjithnjë e më shumë po e varfëron leximin dhe rëndësinë e librit!

Rinia – dhimbja dhe shqetësimi i madh i autorit

Është thënë se ai që u ndihmon të rinjve, bënë punën e hyjnive, mbase edhe autori i këtyre vargjeve, duke qenë punëtor arsimi me vite të tëra, e tani profesor universitar, me të drejtë shprehë shqetësimin e tij prej prindi e pedagogu për rininë dhe të ardhmen e saj.

Poetit i dhemb shpirti kur sheh të rinjtë që lëshojnë Kosovën- Kosovën e lirë(!) dhe ikin në perëndim për një jetë më të mirë.

“Zot i madh përmbi këtë popull/ zgjate dorën dhe zbrit mëshirë / mos të ikim prap rreth e rrotull / po të punojmë këtu sa më mirë ( Poezia “ Kohë të liga” fq. 64), apo në vargun:

“ Rininë tonë krejt na e mori bota / në atdhe punët u duken të kota / në dhe të huaj punëtorë të dëgjuar / për punën dhe zanatin e paguar ( Poezia “Përmallim” fq. 58).

Në përmbyllje të këtij punimi, mund të themi se, poezitë e librit “Dromca poetike” janë krijuar me vargun e rimuar (AB / BA) i ngjashëm më vargun popullor, e që shprehë fillesat e rrugëtimit poetik , duke mbetur me shpresë, që ky rrugëtim në botën e fjalës së shkruar të vjen edhe më i sforcuar e më i përpunuar në librin e radhës, të pedagogut e krijuesit Ruzdi Kadrijaj.

[1] Teksteshqip.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat