Dridhje e vonuar

Kultura

Dridhje e vonuar

Nga: Tahir Bezhani Më: 23 maj 2022 Në ora: 15:02
Foto Ilustrim

Besniku sapo ishte ulur në karrigen e dytë, rendi i tretë në sallën solemne ku do mbahej ora letrare. Të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar nguteshin të zinin vendet sa më afër podiumit, ku do prezantoheshin ata që lexonin punimet e tyre. Lëvizjet e poetëve në sallë i ngjanin zhurmës së bletëve në koshere, kur ishin në vlugun e punës së tyre të stinës. Përshëndeteshin me njëri tjetrin, përqafoheshin, kishin ardhur nga disa vende të trojeve tona, dukeshin të përmalluar. Disa të tjerë përshëndeteshin me ngritje dore nga se mes tyre kishte distancë. Atmosfera dhe deponimi ishte i shkëlqyer, pritej koha e fillimit të orës letrare.

Nga dera e sallës hyri Ajo. Ishte veshur me elegancë. Çdo gjë shkëlqente në trupin e saj. Ecte si flutura mbi lule pranvere, e cila thithë nektarin pa lënduar asnjë lule. Sytë e saj shëtisnin të gjitha këndet e sallës .Flokët e gjatë, ngjyrë gështenjë, një këmishë e bardhë te fyti, bardhësi e njëjtë, vetullat e zeza si një reliev malor në pranverë, ata sy të zi e vezullues, natyrisht se tërhiqnin secilin që ishte aty. Por, disa ulnin kokën, si të pa “interesuar” për bukurinë e saj, shikonin tinëzisht Luljetën, e cila pas vetes linte aromën e këndshme të një parfumi karakteristik.

Ecte në drejtim të Besnikut, pa ditur se ishte aty, ulur në rendin e tretë. Nga larg u pa se buzët e saj të kuqe, kishin marrë pozicionin e buzëqeshjes, por askush nuk e dinte se kujt ia “falte” atë buzëqeshje. Ndonëse Besniku nuk ia ndante sytë që nga hyrja e saj brenda sallës, nuk i shkonte mendja se Ajo do ndalej afër ulëses së Besnikut dhe se do i drejtohej atij në emër. Sa më afër që i ofrohej , Besniku gjithnjë e më tepër ndiente rrëqethje në poret e trupit, fytyrës i lëvizte gjaku më shpejt dhe sytë mbeteshin të varur në atë portret të dikurshëm...

-Mirëdita Besnik, i foli Luljeta. Mirë se ke ardhur në këtë manifestim!

- Mirëdita dhe mirë se u kam gjetur!- i foli Besniku heshtur e besa edhe i skuqur, nga se nuk i kujtohej se ku e kishte takuar atë fytyrë aq madhështore e tërheqëse .

- Si je, si kalon, si e ke familjen?! Kam lexuar shumë për ju. Më vjen mirë, keni arritur suksese në krijimtari! Gëzohem që të takova, aq më shumë se nuk paska ndikuar fare koha dhe mynxyrat e saj në ty. Dukeni në pamje, si dikur. Uroj të jeni gjithmonë i tillë!.

Besniku vetëm dëgjonte me shumë kujdes fjalët që dilnin përmes asaj goje të mjaltosur, të cilat, vetëm sa ngrohnin deri në vlim pasionin e heshtur të Besnik Bregut. I kishin mbetur sytë duke shëtitur në gjoksin e bardhë mu si ajo këmishë te fyti. Ishte si një det që të joshte për mbytje në valët e tij. Sytë e zi shponin thellësive të zemrës, qepallat si krih dallëndysheje, rrallë lëviznin. Kishin peshën e shkëmbit memec. E tëra ishte si një zanë mali që të zanon.

Besniku u ul në karrige si një gur bjeshke i rëndë. Moderatorja e programit të orës letrare, kërciti lehtë në foltore me tre gishtat e dorës së djathtë, si shenjë për fillimin e manifestimit letrar. Që në fillim ia dha fjalën kryetarit të komunës, i cili me fjalë të zgjedhura, përshëndeti poetët nga disa vende te trojeve tona. Tani salla ishte e mbushur përplot poetë të ftuar nga shumë qytete . Leximi filloi. Kureshtja ishte në maksimum.

Besniku kishte ulur kokën i tretur në mendime. E ngriste vetëm kur dëgjonte duartrokitjet pas leximit të poetëve. Ishte “humbur” dikah nëpër një kohë bukur të largët, duke gjurmuar, në përpjekje që të rikthente shiritin e kujtesës, për ta identifikuar atë zonjë me atë elegancë e bukuri ,e cila ia trazoi gjitha ndjesitë, anise mosha e kishte bërë të veten …

Befas u kujtua, bash atëherë kur kujtoi se nuk do ta dinte kurrë identitetin e saj.: “ E gjeta! E gjeta! Ajo është Lulja, ajo Luljeta e spitalit…. Heee! Kohë, moj kohë virane, si i le gjurmët e ecjeve të secilit person në këtë sipërfaqe toke? !”

Miku ulur afër Besniku sikur, u trand nga klithja e tij e papritur.

-Çfarë ke o Besnik, ç’ka të ka humbur?

- Asgjë miku im, diçka mu soll në kokë tani papritur.

Pasi e perceptoi mirë figurën e saj me emrin Lule, e thërriste Luljeta, ktheu kokën instinktivisht prapa, ku ishte ulur ajo dhe përforcoi bindjen e sapo perceptuar.

Tani ai kishte hyrë në dhomën e mendime të atyre viteve të largëta. Mendonte se si e kishte njohur Luljetën korridoreve të atij spitali, asaj vere me vapë. I kujtoheshin momentet e para, pastaj ngacmimet fillestare, përqafimet vjedhurazi... Kaq mundësi veprimi kishte falë koha në ato rrethana jete, mbushur me plot sakrifica...

Në mbarim të atij manifestimi letrar, Besniku ia dhuroi Luljetës tre libra me autograf, në shenjë kujtimi. Koha shpalos fletët e jetës, përkund gëzimet dhe hidhërimet deri në vdekje. Jeta kalon si uji nën urë. Valët e saj përplasin fatet e njerëzve në mënyra të paditura. Mes Besnikut e Luljetës ishte mbjellë herët një arë me dashuri, atëherë kur zjarri ndizej vetëm me shikime. Gacat e asaj dashurie nuk kishte ngricë që mund ti fikë, ato rrinë të heshtura nën hirin e tyre dhe kurdo që i prek syri, dora apo mendja, pak digjesh, pak përvëlohesh, ose rreshkësh në tëra stinët e moshës.

Besniku tani vuan nga dridhje e vonuar e dashurisë së shkuar, mbetur si një gjethe e patharë në herbarin e zemrës....

Gjakovë, 2022

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat