Zbulim me vlerë ...

Kultura

Zbulim me vlerë ...

Nga: Albert Habazaj Më: 23 maj 2022 Në ora: 18:11
Albert Habazaj

Brodha në pesë kontinentet,

(në fakt, u nisa për studim).

U ktheva i kënaqur me veten:

Arrita të bëja një zbulim ...

Në çdo shtet që këmba më shkeli

“ka - ka - ka” kakariste pula,

“ki - ki - ki” po këndonte gjeli,

S’ u duheshin shkresat me vula…

Macja mjaullinte “mjau - mjau”,

Natyrisht dhe veqil maçoku.

Lopa “mu - u”, “mu - u” dhe demi,

Kudo “ciu - ciu” cicëronte zogu.

Bile, në çdo vend: “ham - ham” qentë

Lihnin dhe kuptoheshin kollaj;

Po ashtu, kuptoheshin lehtë

Dhentë e shqiponjat në çdo skaj.

Thuajse më pritën me qejf

Vertebrorë e jovertebrorë,

Gjitarë, shpendë, amfibë e peshq,

Biles, edhe ameba e vogël.

Nëpër glob vrojtova florën,

Vetëm hienën e ujkun s’pashë,

Mora vesh që grinden si njerëzit;

Nga tensioni për pak rashë.

Kafshët e buta dhe të egra

Sa frikë kishin nga njeriu;

Më thanë dhe fjalë të tjera…,

Po kujt t’ja them unë i ziu?!

Për veset e rracës njerëzore

Kokën poshtë duhet ta ul.

Shyqyr që kafshët s’jan’ si ne, mizore,

Se natyrës katastrofa iu vërsul…

San Lorenzo, Itali, 01.07.1999, rishkruar: Vlorë, 2015 dhe, fatkeqësisht, çdo ditë në vijim deri më sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat