Kulturë partiake me figurantë!

Kultura

Kulturë partiake me figurantë!

Nga: Hejza Art Më: 24 maj 2022 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Në këto 30 e sa vjet pluralizmi në Maqedoninë e Veriut, kultura shqiptare asnjëherë nuk arriti të ketë një trajektore normale të zhvillimit. Nuk u arrit edhe përkundër faktit se në ketë dikaster pati edhe ministra shqiptar, zëvendësministra shqiptarë, sekretar shtetëror shqiptarë, këshilltarë shqiptarë, por edhe shumë të punësuar në sektorët e kësaj ministrie.

Dhe, kurrë nuk pati një analizë të mirëfilltë për këtë gjendje, së paku për t’i detektuar problemet dhe faktorët e kësaj ngecje, që herë - herë kulturën shqiptare e bëjnë thjesht një karikaturë të shëmtuar.

Edhe përkundër premtimeve të shumta, praktika tregoi se asnjëherë nuk pati angazhim serioz për t’ia ndryshuar amplitudat kësaj trajektore, e cila në raport me kulturën maqedonase, akoma vazhdon të mbaje drejtimin e rënies, që e tërheq forca e gravitetit të paaftësisë së faktorit shqiptar, i cili faktor pati vetëm rol figuranti.

Nga ana tjetër, fatkeqësisht, ishim dëshmitar të sforcimit jo të kulturës shqiptare, por të kulturës partiake, përkatësisht të sforcimit të “artistëve” të partisë, të cilët, natyrisht, kishin për detyrim ta falënderonin partinë për ndarjen e mjeteve në formë kocke.

Ndaj polarizimi i shoqërisë shqiptare tashmë një kohë të gjatë është i dukshëm edhe në lëmin e kulturës. Kjo shihet qartë në dhënien e prioriteteve projekteve që janë të mbështjella me petk partiak. Janë të mjera disa organizimi “kulturore” kur sheh se militantët partiak, por edhe krerët partiak, angazhohen si publik vetëm e vetëm për ta shpëtuar atë organizim “kulturor” nga dështimi i plotë.

“Artistët” hiena sezonin e tyre të gjahut gjithnjë e kanë kur shpallet konkursi i programit vjetor. Vit pas vitit shpërthejnë anonimë, shtëpi botuese fantome, produksione për një përdorim, shoqata enigmatike, të cilat marrin mjete dhe pastaj sakaq zhduken.

Me një atak të këtillë plot malverzime në mjetet nga buxheti i shtetit nuk bëhet dhe as nuk zhvillohet kultura shqiptare, aq më tepër kur dihet se ata që konkurrojnë kënaqen edhe me thërrime përballë projekteve maqedonase që e marrin kajmakun e buxhetit.

Shqiptarët ushtrojnë një politikë të çuditshme dhe kundër-produktive: atyre fare nuk u intereson cilësia e projekteve, por sasia si numër. Pra, sa më i madh që të jetë numri, aq më e zhurmshme është propaganda e tyre për kinse suksesin e arritur. Pikërisht në këtë segment kapen figurantët shqiptarë të Ministrisë së Kulturës, pavarësisht faktit se efektet e realizimit të këtyre projekteve nuk shihen askund.

As në horizont nuk shihet asnjë përpjekje për ndryshimin e kësaj gjendje, sepse atyre që u takon ta bëjnë ndryshimin ose janë në gjumë, ose janë të frikësuar, ose janë pjesë e projekteve partiake, të cilat janë pa ndonjë efekt.

Kur të gjitha instrumentet e zhvillimit të kulturës janë në duart e partisë, atëherë kot presim që në horizonte të shndrisë ndonjë rreze drite...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat