Halit Haliti dhe fuqia magjike e fjalëve

Kultura

Halit Haliti dhe fuqia magjike e fjalëve

Nga: Baki Ymeri Më: 24 maj 2022 Në ora: 12:30
Kopertina e librit

Poezia është testamenti i jetës, ikona e fjalëve të bukura, maqina për qepje mendimesh, barnatorja e sentimenteve letrare. Vargjet magjike shëmbëllejnë me një erë të këndshme që e përshkojnë dheun. Ato janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etshëm për dashuri. Ka ndonjë forcë tjetër më magjike se sa forca e dashurisë?: N’bulevaedin e qytetit/ gjithandej dritë/ Me sy po kërkoja të të gjej diku/ Si hijha e natës më dole në pritë/ Si gjethet e harlisura errdhe këtu./ Për një çast m’u kujtua kënga e vjetër/ Ngjyra e zërit tënd nga të tjerët dallon/ Nuk të zëvendëson asnjë tjetër/ As në mbrëmje kur dielli perëndon. (Në zemrën time)

Halit Haliti është një shqiponjë e lirë që e zbulon vetëveten në përjetimet më të thella që e shoqërojnë polarizimin e kuptimeve dhe formave të qenësishme dhe të veçanta, të ekzistencës. Në vargjet e poetit Halit Haliti fshihet pavdekësia. Poezia është rrëfimi më i vjetër dhe më i përsosur, prekja më e çiltërt e shpirtit njerëzor nga madhështia dhe pasuria e pakufishme e botës. Vargjet e poetit kërkojnë të shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim: Amanetin e tyre ne vend ta çojmë/ Të korrim atë që ata e mbollën/ Për ne dhe për Kosovën tonë/ Lavdi paçit "Treshja jonë!". (Tre pishtarë të lirisë).

Poezia është një ligj i shenjtë i metafizikës për të mbetur i pavdekshëm. Halit Haliti është i vetëdijshëm se poezia moderne ka nevojë për hapje horizontesh të mëdha, për ngjitje në qiejt e frymëzimit dhe zbritje deri në zemër të dheut, për shndërrimin e fjalëve në një thesar të artë ku zotërojnë ide të reja, të mbrujtura me përfytyrime, metafora, novitete, risi dhe porosi: Sa do doja të flas këtë mbrëmje/ Meqë dhe hëna është e plotë/ Ditën dhe natën të kam në mëndje/ Pse ke humb s'të kap dot./ Sa do doja të flas këtë mbrëmje/ Ku drita e hënës shëndrit shumë larg/ Ah moj muza e zemrës sime/ Për ty po shkruaj unë këtë varg. (Nën dritën e hënës)

Duke i deshifruar frymëzimet e poetit kosovar në trojet gjermane, herë pas here krijon përshtypjen se jemi në bibliotekën e sentimenteve letrare. Më impresionon qëndrimi stilistik, intencioni i dyfishtë i diskursit poetik dhe çështja e stilit. Poeti ka një përjetim të përgjegjshëm, një mahnitje të paharrueshme, duke kaluar toka në qiell dhe nga qielli në tokë: Sa do doja të flas këtë mbrëmje/ Meqë dhe hëna është e plotë/ Ditën dhe natën të kam në mëndje. (Nën dritën e hënës). Kështusoj e shoh poetin shqiptar, duke e njohur nga prizmi shumëdimensional i personalitetit të tij të refletuar në shtjellën e një poezie të veçantë. Muzën e poezisë duhet ta afrosh me pasion, porsi një dashnore. Poezia është një art i jashtëzakonshëm. Forca e saj emocionale dhe e papërshkrueshme. Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimente dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Imagjinata, përfytyrimet dhe ndjenjat, janë instrumente të domosdoshme për poetin dhe poezinë.

Poeti e kupton jetën si një mrekulli, e jo si një njohje. Poezia e disa poetëve fillon të jetojë pas vdekjes së tyre, kurse e të tjerëve vdes para pensionimit të tyre. Rima e vargjeve të Halitit është prioriteti i parë i poetit. Ekziston nevoja për mendime të shëndetshme ku shndrit guximi dhe forca e mendimit. Në artin e përjetimit të jetës triumfojnë guximtarët e jo përtacët apo sharlatanët. Për t’u bërë i pavdekshëm në këtë rrugë magjike të shpirtit, duhet të joshish lexuesin me fjalë të theshta, me ndjenja dhe metafora të qëlluara, me plot substancë dhe sugjestione. Femra në vargjet e Halitit ua ka rrëmbyer luleve erën e mirë, yjeve dashurinë, maleve bulbërinë, zogjve dhe lumenjve këngën, diellit zjarrin. Dielli e kishte ruajtur zjarrin për gjoksin e saj.

Mendimi i lirë, as nuk blihet e as nuk shitet. Mendimi i lirë është vullneti dhe dashuria, që burojnë nga shpirti e rrjedhin nga zemra. Autori është një zjarr i bekuar që digjet për Shqipërinë e Bashkuar. Halit Haliti ta përkujton Pjetrin e Shenjtë që e mbante një shkop në dorë, duke lëvizur herë në Shqipëri, e herë në Kosovë. Poeti çmon veprimin energjik të bashkatdhetarëve tanë që digjen për Atdheun dhe familjen. Duke lëçitur vargjet e tij kuptojmë se ende nuk janë shuar shembujt e shenjtë të rilindësve tanë. Ky njeri nuk është i vetmi rast që ta përkujton vrrullin e pashoq të kosovarit që militon për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në mërgim. Kjo vepër reflekton artistikisht ndjeshmërinë e patriotike të Halit Halitit.

Autori është poet i vendlindjes dhe poet i kohës: Koha më iku sikur një mysafir i nxituar. Koha është një dhuratë e atillë që kërkon rifreskimin e memorjes sonë për ta njohur të shkuarën tonë. Shpirti i poetit flet shqip dhe digjet për vendlindjen e tij, për familjarët e tij, për farefisin e tij dhe për Kosovën e tij. Ai është njëri nga poetët e rrallë të diasporës shqiptare që shkruan pak e për merak, por ate që e shkuran, e justifikon me një sensibilitet të sinqertë, pa e stolisur vargun e tij me figura stilistike siç e kërkon poezia e mirëfilltë, gjë që dëshmon sre npërveç meritave letrare Halit Haliti ka edhe merita të jashtëzakonshme atdhetare.

Poezia shëmbëllen me një vullkan për shpërthim ndjenjash e përjetimesh. Ajo çliron fshehtësitë duke zbuluar muzgun ku dashuria shndërrohet në një forcë të gjallë, që zotëron mbi qytete e vende. Autori jeton në mërgim dhe e mban të pashkëputshëm ndërlidhjen me atdheun dhe betejat e panumërta të bijve të shqipes për liri dhe pavarësi. Në vargjet e autorit gjejmë rrënje të thella dhe degë të vrullshme, por edhe një çift forcash rrallë të takuara, të domosdoshme për të vajtur nga drita në dritë. As që ka nevojë të flasim më shumë për këtë njeri të mrekullueshëm, sepse flet vepra e tij, flet vullneti dhe flasin ndjenjat dhe shpirti i tij. (Bukuresht, Pranverë 2022)

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTË

Halit Haliti u lind më 10 Maj 1966 në Fshatin Mushtisht (Komuna e Suharekës). Shkollën fillore e ka mbaruar në Mushtisht, Gjimnazin në Suharekë, Shkollën e Lartë Pedagogjike (degën Gjuhë dhe Letërsi) në Prizren. Me poezi ka filluar të merret qysh nga shkolla fillore. Disa poezi të tij e kanë parë dritën e botimit në gazetën Fjala dhe Bujku. Ne vitin 1987, për poezinë „Mos ndalo së kërkuari”, në shenjë mirënjohje ka marrë si shpërblim librin „Orteku” të shkrimtarit Rexhai Surroi. Të gjitha poezitë që dikurë i kishte, i janë djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga viti 1993, poeti jeton dhe punon në Gjermani.

NOMAD I SHPIRTIT

Ky vend i huaj që m’është bërë thëngjill i zemrës

I qepur në shumë fije damarësh për t’i dhënë jetë

Rrugët duken bosh si një shtrëngatë e vjeshtës

Nomad i shpirtit, as fillin s’mundem me ia gjetë.

Me syrin e dhimbjes udha duket si vijë e gjakut

Sa herë të përmend ty, zemra më lëkundet

Vendit tim që asnjëherë s’kam t’i dal hakut

I etur për gjumë, si fëmija kur përkundet.

Dua të kacavirrem në grep të hënës

Kur të zbardhë dita dua të jem aty

Të zgjohem nga gjumi me ninullat e Nënës

Bjeshkëve të vendlindjes të mrizoj me sy.

NËN DRITËN E HËNËS

Sa do doja të flas këtë mbrëmje

Meqë dhe hëna është e plotë

Ditën dhe natën të kam në mëndje

Pse ke humb s'të kap dot.

Sa do doja të flas këtë mbrëmje

Ku drita e hënës shëndrit shumë larg

Ah moj muza e zemrës sime

Për ty po shkruaj unë këtë varg.

Sa do doja të flas këtë mbrëmje

Meqë as hëna nuk më fletë

Ti je hija e kësaj ëndërre

Që nuk shuhet, por zgjat përjetë.

ASNJËHERË NUK ËSHTË E TEPËRT

Zemra ma do, e më duhet ta them

Për ty shkroi gjithëçka natyra

Je e bukur, porsi molla në rrem

Porsi ylberi me shumë ngjyra.

Buzëqeshja jote dritë shkëndije

Kur dielli perëndon në fund te ditës

Edhe kur qesh e qan të ka hije

Terrin e natës e bënë mahnitës.

I them nga zemra, dhe jo më kot

Nuk do lodhem të shkruaj çdo dit’

Nuk ka parajsë më të mirë në ketë botë

Ta duash dikë nuk ka limit.

S’DUA TË T’HUMBAS

Je si dielli i përcëllueshëm

Në çdo damar, qelizë e çdo skaj

Asgjë nuk është më pakuptueshëm

Shpirtrat tanë askush s’mund t’i ndaj.

Ti je ajo që ma lulëzon jetën

Ndaj ky shpirt me ty merr frymë

Njëri-tjetrit ia thamë të vërtetën

N’humnerën e shpirtit bashk të hyjmë.

Kohët ikin por mbeten të bukurat kujtime

Dielli përcëllon por zemra s’bëhet shkrumb

Të mbledh çdo grimcë të jetës sime

Bota mund të ndahet por ty s’dua të t’humb.

Rob i shpirtit tim gjithmonë ke ngelur

Kujtimet më kthejnë këtu dhe atje

Si një oazë e fshehtë dhe e pashkelur

Atje ku zemrat tona u shkrinë e bënë fole.

KRATERI I FJALËS

Nën përvëlimin e diellit shpirti i zhurritur

Një fjalë të ëmbël doja ta dëgjoja

T’i flas mendjes, dhimbje e fashitur

Fjala ime t’mos jetë shkas, zemrën t’ja lëndoja.

Ratsësisht në një libër të zhubrosur

Si një llampë vajguri me flakë të mekura

Të rradhitura në vargje ca fjalë si dikurë

Në hambar të shpirtit vendin ua bëra.

I ndjekur nga fjalët dhe klithmat

Porsi nata në bronz e mbuluar

Krater i fjalës, i keq si zanat

Fjala e rëndë në shpirtin e trazuar.

Herë diell e herë mjegull

Më është bërë makth kjo fjalë

Herë shi e herë stuhi

Për t’u rikthy e shkëlqyer si kristal.

SONTE

Sonte në kurrizin e errësirës

Dua të flas me hënën e pagojë

Të shpalos kujtimet e së shkuarës

Një copëz peizazh në Kosovë ta çoj.

Nuk kam më fuqi as të trishtohem

Sa shumë vite ikën, do ikin dhe të tjerë

Me sytë në errësirë e kërkoj vetëvehten

Nën dritën e hënës po shkruaj sonte

Yllin që pres të bie, n’prehër të më bjerë.

MURGU I GURBETQARIT

Një ditë djalli i zi si nata

M’u duk vetja kur të lash aty

U bëra Murg i këtij vendi

Zemra ime në dysh u thy.

Nëse një ditë do të qeshim

E edhe së bashkë të qajmë

Thirrëm... heshtjes në ball t’i biem

Kujtimet tona bashkë t’i ndajmë.

Një dolli në heshtje për ty dua ta ngreh

Në terrin e kujtimeve me ty dua të flas

Të mos dukem si një gotë e zbrazur

Ma zgjat dorën se dua të të vij pas.

Nga dhimbja e malli i tëri jam mpirë

Porsi pluhuri përsëri po ngrihem

Të mos mbetem si një Murg Gurbetqar

Por si në shtëpinë time dua të ndjehem.

KOHË E MJEGULLT

Nëpër rrugicat e mia të ngushta gjithandej mjegull

Pyka në trurin tim vlon, përse kaq shumë vetmi

Secili sikur i mbyll sytë e nuk sheh të tjerë

I pëlqen që kështu vetëm të rri.

Dikurë bota ime me plot miq ka qenë

Kurse jeta kishte dritë jeshile

Tani kur jetës mjegulla i ka rënë

Sikur harrojnë se janë të një kabile*.

Mërzinë time dua ta përmbys pa fjalë

Si ta shpjegoj, këtë as terri i natës s’e kupton

Gjithçka errdhi fshehtësisht e ngadalë

Ndaj edhe e sotmja nga dje dallon.

Koha mund të ndryshojë, që t’mos ikë kjo verë

Askush të mos i bëjë konak vetmisë

Të mos harrojë miq, farefis e të tjerë

T’i bashkojm’skajet e shpirtit e t’i ikim mërzisë.

ËNDËRRA E THYER

Koha ikën. Ajo nuk ndalon të ecë me ritmin e vet, porsi Ora Zviceriane. Dallgët e jetës na hedhin lart e poshtë, sepse kështu është ndërtuar jeta në planetin tonë. Por ëndërrat që të jetë më mirë na përcjellin gjat gjith rrugëtimit tonë, që ato ti prekim me duar e t’i ndjejmë në shpirt. Sikur stinët e Vitit që janë të ndara në kohë, e secila nga to ka magjin e saj që duhet zbërthyer sikur Kodin e Davinçit për të kuptuar dhe lexuar më mirë "Ëndërrën e thyer". Jeta nuk do të kishte kuptim në qoftëse unë do ndaloja së menduari që "Ëndërra e thyer" do ngjizej, do kapej si mishi e thoni për tu bërë si Kupolat e Bibliotekës së Prishtinës për të ndriçuar rrugëtimin tim deri tek qafa e malit do ta bëjë në këmbë. Aty do ulem dhe do të flas me "Ëndërrën e thyer". Kujtimet më tretin. Ëndërra këtu nuk mbaron. Si fëmijë i harruar rrugëve, poezinë në shpirt e kam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat