Gjëma kombëtare dhe atdhedashuria e pashuar ndër breza

Kultura

Gjëma kombëtare dhe atdhedashuria e pashuar ndër breza

Nga: Gani Bajrami Më: 28 maj 2022 Në ora: 10:13
Kopertina e librit

Pas dy vëllimeve me poezi për të rritur: “Loti i ndrydhur” e “Oshtimë përmallimi” dhe dy vëllimeve me poezi për fëmijë: “Kuvendim me kukulla” e “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”, autori Adem Faik Gashi para lexuesve vjen me një libër me shkrime historike dhe publicistike me titull “SHPALIME KOHE NGA KËNDVËSHTRIMI HISTORIK”. Autori Adem F. Gashi në librin e tij më të ri, të ndarë në tre pjesë dhe në disa kapituj, me të dhëna të shumta historike, ka shtjelluar tema që lidhen me pozitën e shqiptarëve dhe të trevave shqiptare që nga koha e fillimit të rënies së Perandorisë Osmane, si dhe me përpjekjet e shqiptarëve për krijimin e shtetit etnik, për të vu në spikamë edhe lëvizjen e gjerë kombëtare dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që u kurorëzua me çlirimin e një pjese të trojeve etnike dhe formimin e shtetit të Kosovës.

Pra libri i Adem F. Gashit “Shpalime kohe nga këndvështrimi historik” është strukturuar në tre pjesë me nga disa kapituj dhe përfshinë periudhën nga fillimi i rënies së Perandorisë Osmane, e ashtuquajtur kriza lindore e deri te dy dekadat e shekullit XXI, që si lajtmotiv ka historinë tonë kombëtare, luftën për mbijetesë të shqiptarëve në trojet e veta etnike, si dhe gjenocidin e ushtruar nga ortodoksizmi sllavo-grek mbi shqiptarët për më shumë se një shekull e gjysmë. Autori Gashi, në cilësi të një hulumtuesi e studiuesi, por edhe kroniku e komentuesi të ngjarjeve, ofron të dhënave të shumta tashmë të verifikuara historike, kujtime të më të moshuarve, por aty-këtu ka edhe opinione të tija si njohës i historisë, sidomos në kapitujt që lidhen me gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve dhe me periudhën e formimit të shtetit kombëtar shqiptar dhe pretendimet e shumta territoriale të shteteve fqinje ndaj trojeve shqiptare.
Me këtë qasje autori synon të hedh më shumë dritë në këtë periudhë të një shekulli e gjysmë dhe veçmas në atë të gjysmëshekullit të kaluar, pas Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët e Kosovës mbetën të pushtuar dhe ata u detyruan që luftën për çlirim kombëtar ta vazhdojnë edhe për 50 vjet të tjera deri në përfundim të luftës së UÇK-së dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës me njohje ndërkombëtare.

Marrë në tërësi ky libër është një kronikë historike me të dhëna të shumta për kohën dhe rrethanat e pozitës së shqiptarëve dhe të trevave shqiptare që nga koha e fillimit të rënies së Perandorisë Osmane dhe deri te lufta e fundit e shqiptarëve për çlirimin e një pjese të trojeve etnike, pra lufta e UÇK-së. Thënë shkurt, fund e krye në këtë libër hasim gjëmën kombëtare me plagët e shkaktuara nga gjenocidi sllavo-ortodoks, copëtimin e trojeve shqiptare nga fuqitë e mëdha sipas orekseve grabitqare të fqinjëve, por edhe atdhedashurinë e pashuar ndër breza për çlirim kombëtar dhe formim të një shteti shqiptar në hapësirat e veta etnike.

I

Në pjesën e parë të librit zë vend periudha nga vitet e 50-ta të shekullit XIX, pra që nga koha e fillimit të rënies së Perandorisë Osmane, që shkenca e historisë e njeh si periudhë e krizës lindore. Trajtimit të kësaj periudhe autori i qaset më shumë nga këndvështrimi si një periudhë e bujshme për shqiptarët, të cilët u gjenden në rezistencë të vazhdueshme jo vetëm përballë Perandorisë Osmane, por edhe përballë tendencave të vazhdueshme grabitqare të shteteve fqinje, sidomos atyre të aleancës sllavo-ortodokse, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Sipas autorit dhe faktografisë historike që ka shfrytëzuar del se që nga fillimi i luftës ruse-osmane e deri në fund të shekullit XIX populli shqiptar u gjend në një situatë mjaft të tensionuar, si thuhet ndërmjet dy zjarreve, luftës kundër Perandorisë Osmane, por edhe kundër planeve grabitqare sllavo-ortodokse. Shqiptarët ishin ata që e pësuan më së keqi edhe gjatë dy luftërave ballkanike në fillim të shekullit XX, tetor 1912 - shtator 1913, kur Perandoria Osmane u përballë me aleancën e shteteve të Ballkanit, e cila përfshinte Bullgarinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe gjatë dy luftërave botërore.

Gjatë dy luftërave ballkanike populli shqiptar përjetoi mizori të shumta dhe me gjithë kryengritjet shqiptare të viteve 1910 – 1912 nuk u arrit të mbrohen trojet shqiptare nga copëtimi që ua bënë fqinjët mizorë. Edhe pse u arrit që në nëntor të vitit 1912 Shqipëria ta shpallë pavarësinë, ajo vazhdoi të përballej me çështjen jetike të njohjes ndërkombëtare dhe mbrojtjen e integritetit territorial.

përfundimtare Perandoria Osmane e pat nga Lufta e Parë Botërore, por këtë goditje më së shumti e ndien serish shqiptarët, të cilët edhe gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ndërmjet dy luftërave botërore, kaluan nëpër një periudhë të zymtë, emërues i përbashkët e së cilës ishte kërcënimi serioz i vetë ekzistencës së shtetit shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore tokat shqiptare u bënë pre e lakmive të shumë shteteve jo vetëm të Ballkanit dhe këtë e ilustron fakti se Lufta e Parë Botërore në trojet shqiptare solli shtatë ushtri të huaja pushtuese. Edhe periudhën ndërmjet dy luftërave botërore Shqipëria kishte vazhdimisht probleme me fqinjët e saj veriorë dhe jugorë, probleme që lidheshin me kufijtë.

Çështja kombëtare shqiptare u godit rëndë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishin Italia, Gjermania dhe Bullgaria ato shtetet që pushtuan viset shqiptare. Në historinë kombëtare të shqiptarëve komunizmi ishte çarja më e madhe ndërshqiptare, gjë që për pasojë pati mbetjen e gjysmës së trojeve etnike shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar, në Jugosllavi dhe Greqi. Ky fakt bëri që shqiptarët të vazhdojnë përpjekjet për çlirim kombëtar dhe në këtë përpjekje shqiptarët e Kosovës u bënë protagonistë të shumë ngjarjeve të bujshme në këtë pjesë të hapësirës shqiptare, që për bazë kishin sa mbijetesën aq edhe përpjekjet për çlirim kombëtar, respektivisht për bashkim kombëtar. Këtë synim e kishin formacionet e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), lufta e Shaban Palluzhës, organizimi i demonstratave të vitit 1968 e 1981 dhe më vonë fillimi i luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Për periudhën e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, autori ka shfrytëzuar edhe kujtimet e më të moshuarve, me qëllim që të hidhet sa më shumë dritë për një lëvizje kombëtare të gjysmëshekullit të kaluar, pra të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët e Kosovës mbetën të pushtuar nga Jugosllavia e Titos. Autori ka bërë përpjekje të hedh sa më shumë dritë për lëvizjen kombëtare të fundshekullit të kaluar, duke filluar nga lufta e formacioneve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), luftës së Shaban Palluzhës, organizimit të demonstratave të vitit 1968 e 1981 dhe më vonë deri në fillimin e përfundimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pavarësimin e Kosovës.

II

Në pjesën e dytë të librit autori prezanton një historik tejet të çmueshëm të fshatit Bardhi i Madh, si një vendbanim i vjetër, i ripopulluar me muhaxhirë tash e gati një shekull e gjysmë, e deri te epoka e luftës së UÇK-së dhe pas saj. Pos prezantimit dhe komentimit të të dhënave tashmë të verifikuara historike që trajtojnë problemin e spastrimit etnik të trevës së Toplicës dhe Sanxhakut të Nishit, autori ka shfrytëzuar edhe kujtime që kanë mbijetuar kohën që nga dimri i ashpër 1877-1978, kur shqiptarët u detyruan t’i lënë trojet e tyre stërgjyshore për ta shpëtuar kokën nga forcat vrastare sllavo-ortodokse që ushtruan gjenocid ndaj shqiptarëve.

Duke u motivuar nga përbërja e këtij shati me muhaxhirë të trevës të Toplicës dhe përgjithësisht Sanxhakut të Nishit, treva këto që u spastruan nga gjenocidi serb gjatë dimrit të ashpër të vitit 1877 e deri në verë të vitit 1978, autori ka bërë përpjekje të hedh dritë mbi disa ngjarje dhe personalitete që lidhen me fshatin Bardhi i Madh. Ai ka pasqyruar rrjedhën e shumë ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar Bardhi i Madh dhe banorët e tij që nga ngulja e muhaxhirëve këtu në vitin 1878 e deri në boshatisjen e fshatit si pasojë e gjenocidit serb të fundshekullit të kaluar dhe rivendosjen e serishme pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë.

Autori i librit, duke u bazuar në të dhëna historike, por edhe në kujtime të më të moshuarve, ka arritur t’i pasqyrojë mirë rrethanat dhe atmosferën politike e shoqërore në Bardh të Madh në periudha të ndryshme kohore dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, para dhe pas Plenumit të zhurmshëm të Brinove të vitit 1966 të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), si dhe para dhe pas Luftës së UÇK-së. Gashi ka spikatur edhe disa nga figurat e rëndësishme të këtij mjedisi, që kanë lënë gjurmë të ndritshme në të kaluarën.

III

Pjesa e tretë e librit sajohet nga observimet e shumta në formë opinioni e ditari, si dhe nga disa shënime dokumentare lidhur me ngjarjet e dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe dekadës së parë të shekullit që po e jetojmë, e që lidhen me shumë procese politike nëpër të cilat kaloi Kosova, Komuna e Fushë-Kosovës dhe vetë fshati Bardhi i Madh. Edhe në këtë pjesë të librit, sikur në dy të parat, autori pasqyron veprimet e gjenocidit serb mbi shqiptarët, duke i prezantuar në vazhdimësi përpjekjet rreth dy shekullore të Serbisë që nga projekti i Ilija Garashaninit i vitit 1844 i quajtur “Naçertanija” e deri te ofensivat e fundit të forcave militare dhe paramilitare serbe të kriminelit Sllobodan Millosheviq për të zhdukur qenien shqiptare nga Kosova, duke vrarë e masakruar shqiptarë dhe duke shndërruar në tokë të djegur shumë vendbanime shqiptare, ashtu siç kishin vepruar forcat serbe në vitet 1877 e 1878 në trojet tona stërgjyshore në Sanxhakun e Nishit.

Autori ka pasqyruar rezistencën e madhe të shqiptarëve të Kosovës për të mos iu nënshtruar politikës shfarosëse dhe gjenocidiale serbe, si dhe luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta dëbuar pushtuesin serb nga Kosova, por edhe në këtë pjesë të librit, sikur në dy të parat, nënteksti i tij është i qartë: Mos të na përsëriten gabimet nga historia. Faktori politik shqiptar duhet të jetë shumë unik, gjë që ende nuk po shihet se është ashtu siç po e kërkon nevoja, në këtë kohë kur Serbia nuk po lirohet nga ultranacionalizmi e hegjemonizmi shovinist dhe nga apetitet për ripushtimin e tokave shqiptare dhe gjenocidin mbi shqiptarët.

Në pjesën e tretë të librit gjejmë edhe ngjarje që kanë mbetur në kujtesën e autorit, disa prej të cilave ai i paraqet në formë të kujtimeve, disa në formë ditari dhe disa si observime të tij. Siç e thotë edhe vetë autori, qëllimi i tij ishte që “me këtë libër të lë për breznitë një testament për kujtesën historike mbi dhunën e terrorin e ushtruar mbi paraardhësit tanë, duke filluar nga dëbimet e dhunshme nga trojet tona etnike në trevën e Toplicës dhe viset e tjera shqiptare të Sanxhakut të Nishit e deri në shpalljen e Republikës së Kosovës me njohje ndërkombëtare, më 17 shkurt 2008. Sepse, historia na tregon se kujtesa njerëzore është e shkurtër dhe harron shpejt”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat