Karvani i shkrimtarëve “Agim Deva” në Mitrovicë

Kultura

Karvani i shkrimtarëve “Agim Deva” në Mitrovicë

Më: 28 maj 2022 Në ora: 11:51
Karvani i shkrimtarëve “Agim Deva”

Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë "Agim Deva" po e realizon me shumë sukses misionin e vet letrar, duke vizituar shkollat anembanë Kosovës dhe në bashkëpunim me nxënësit po organizon orë letrare cilësore e të rëndësishme për afirmimin e letërsisë dhe nxitjen e krijuesve të rinj!

Pas Pejës, Skënderajt, Klinës, Prizenit Zhupës, Suharekës..., Karvani vizitoi edhe Mitrovicën dhe mbajti orë letrare shumë të suksesshme me nxënësit e shkollës "Andon Zako Çajupi".

Drejtori i shkollës Mustafë Haziri mirëpriti shkrimtarët: Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Jonuz Fetahaj, Çerkin Ibishi dhe Skënder Zogjaj, të cilët bashkë me nxënësit, lexuan krijimet e tyre të zgjedhura poetike. Në këtë takim letrare mbresa të forta lanë krijimet e fëmijëve që pasqyronin se në shkollën "Çajupi" të Mitrovicës ka talentë që sinjalizojnë se, në të ardhmen mund të bëhen emra të nderuar të letërsisë.

Komunikimet e poetëve me nxënësit krijues dhe personelin e shkollës ishin vërtetë miqësore. Për të mos u harruar ishte bibliotekistja e shkollës, Afërdita, e cila bën punë të madhe për shtimin e fondit të librave, sidomos të titujve të rinj, që mungojnë dhe ka kërkesa të mëdha nga nxënësit. Karvani i Shkrimtarëvë për Femijë "Agim Deva" në krye me shkrimtarin Xhevat Syla është manifestimi më i madh dhe më efektiv letrar në Kosovë e më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat