Unë do të vi!

Kultura

Unë do të vi!

Nga: Anita Hoxha Më: 6 qershor 2022 Në ora: 10:07
Autorja Anita Hoxha

Do të vi në fshat, do të kthehem nga larg

Do t’i falem kësaj toke, të gjej prehje shpirti im.

Kokulur, flokëthinjur, si ai fëmija i prapë

Që falje kërkon për një të hershëm gabim!

I lodhur, i drobitur nga kjo rrugë e gjatë,

Do trokasë në mbrëmje, shtëpi më shtëpi...

Do puthë çdo gurë të rrugicës me baltë!

Do flasë fshehurazi me hënën, sikur t’ishe ti!

Ç’do të thotë lumi, për mua, ç’do të thotë...

Kur të dalë dielli, të shoh veten në pasqyrim...

Ndoshta mbi të do të më rrjedhë, i nxehtë, një lot

Për vitet që shkuan, për atë të bukurën, fëmijërinë!

Do të puthë çdo pemë, e atë të njomën, lojëfate!

Me duart, sikur të mundja ta shkundja borën...

Të gjeja ty, si dikur, në atë kodrën e lartë

Me ato luledele tek thurje kurorën...

Do të vi në fshat, do të kthehem, përsëri

Fyellin e bariut ta dëgjoj dhe njëherë....

Të dëgjoj ato gjinkallat, në ullinjtë

A ndoshta vërshëllimën e gjetheve, tek frynë erë!

Do të këndoj edhe atë këngën, për ty

Që e këndoja me bilbilin, me një zë...

Do t’kërkoj dritares, përqark, me sy

Por, ti ke ikur, tani nuk je këtu më!

Do marrë një sy gjumë, si endacak,

Që nata e zuri me mall e pikëllim...

Do pres se si të iki ky dimër i thinjur, plak!

Do mbulohem me mjegullën, si mburojë për shpirtin tim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat