Të (pa)thënat e Nënës Tereze në librin “E kam në zemër popullin tem shqiptar”

Kultura

Të (pa)thënat e Nënës Tereze në librin “E kam në zemër popullin tem shqiptar”

Nga: Emin Azemi Më: 17 qershor 2022 Në ora: 09:38
Don Lush Gjergji

Në vitin 1979, Nëna Tereze u nderua me Çmin Nobel për paqe. Në kujtim dhe nderim të kësaj ngjarje madhore, monsinjor Don Lush Gjergji e kishte botuar librin “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, të 17-tin me radhë. Atëherë kur doli ky libër (2019), autori pat përmendur tri arsyet qe e shtyen atë, qe ta shkruaj dhe botoj atë: Nata e lindjes se Gonxhe Bojaxhiut, 40 vjetori i Çmirimit Nobel për Paqe, si dhe një jubile personal i tij - 50 vjetori i takimit të parë me Nënë Terezen në Romë, më 29 mars te vitit 1969.

E veçanta e këtij libri është se në të është përfshi edhe fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, kurse vet Don Lush Gjergji, ndonëse e kishte ndjekur hap pas hapi veprimtarinë e Nënës Tereze, e pranon se nuk është as ai vetë i sigurt, nëse e njeh mirë Nënë Terezen.
“Madje edhe pas gjithë këtyre vjetësh, unë nuk jam i sigurt se e njoh mirë, se e kuptoj dhe mbi të gjitha se mund të jem në gjendje t’ua përcjell atë të tjerëve me shkrime dhe me dëshmi”. Por ama, për një gjë jemi të sigurt të gjithë: Në një intervistë në Oslo të Norvegjisë, në vitin 1979, Nënë Tereza është shprehur qartë se kush është ajo: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës.”

Ata që e kishin dëgjuar këtë intervistë të Nënës Tereze, për herë të parë kishin mbetur të mahnitur. “Shumëkush deri atëherë ka menduar se Nënë Tereza është nga India, por nga ajo ditë, u ndërrua gjithçka”, do të deklarojë më vonë Don Lush Gjergji në komunikim me gazetarët.

Nënë Tereza, për vlerat e saj shpirtërore që tejkalojnë përmasat e zakonshme të përkushtimit njerëzor, u shenjtërua më 5 shtator 2016, nga Selia e Shenjtë në Vatikan, 19 vjet pasi vdiq.

Në këtë libër, përpos shtatë intervistave që ka zhvilluar autori, janë përfshirë edhe shkrime të tjera në formë të reportazheve që bëjnë fjalë për Pesë vizitat e Nënë Terezës në Kosovë dhe një kronikë kujtimesh të Don Lush Gjergjit me një titull të përbashkët Nëna ime Tereze, ku janë prezantuar disa përvoja personale, disa detaje , të cilat siç thotë autori: “janë vulosur në zemrën dhe në mendjen time”.
Në këtë pjesë janë dhënë disa reminishenca kujtimesh autentike të Don Lush Gjergjit gjatë kontakteve dhe bashkëbisedimeve që kishte pasur me Nënë Terezën.
Është për t’u veçuar një detaj, që ndërlidhet me ditët e qëndrimit në Oslo, me ç’rast Nënë Tereza pasi që ishte ftuar në darkën solemne nga Komiteti i Nobelit, siç shkruan në librin e tij Don Lush Gjergji, e kishte refuzuar atë me arsyetimin: “Nuk mund të pranoj një darkë të tillë, përderisa njerëzit tanë vuajnë dhe vdesin nga uria... duam të jemi të varfër, siç janë ata...”

Paratë që do të ishin shpenzuar për darkë iu dhanë Nënës Tereze për të varfërit.

Don Lush Gjergji për herë të parë është takuar me Nënën Tereze në Romë, në vitin 1969 dhe që nga ky takim, siç e thotë edhe ai vet, është përpjekur ta ndjek atë besnikërisht, nëpër rrugët e botës, për t’u begatuar me përvojat e jetës së saj. Ndërkaq sa i përket përvojave, do të shohim se në intervistat e zhvilluara me Nënën Tereze do të shpërfaqet më së miri thellësia e karakterit të saj dhe ndjeshmëria për të krijuar kauza të mëdha nga gjërat e vogla. Don Lush Gjergji ka arritur që bashkëbisedimin me Nënë Tereze ta shndërrojë në një radiografi shpirtërore, me hapësira të paana të një natyre gjigante njerëzore e cila teksa e kapte dimensionet e harmonishme në mes të Hyjnores dhe Tokësoren, gjente fuqinë e duhur për t’u shprehur se “Sëmundja më e rëndë nuk është as gërbula, as kanceri, por vetmia; të jesh i injoruar dhe i harruar nga të gjithë. Ata njerëz, që nuk kanë dashuri, gëzim, kontakt njerëzor, vuajnë shumë. Mirëpo, numri i këtyre njerëzve është gjithnjë në rritje”.

Kështu përgjigjej Nënë Tereza në një pyetje të Don Lush Gjergjit se cila është sëmundja më e rëndë e botës sipas mendimit të saj.

Duke qenë një regjistrues pedant i të gjitha lëvizjeve dhe aktiviteteve që kishte zhvilluar Nënë Tereza, Don Lush Gjergji e pranon se çdo takim me të ishte diçka e re, një përvojë e thellë, një sfidë, një dëshirë për të qenë ndryshe. Dhe për të qenë sa më bindës para një publiku më të gjerë, autori e kishte zgjedhur intervistën si mjetin më të duhur për të shpalosur kompleksitetin dhe plasticitetin e figurës së Nënës Tereze, e cila përmes këtyre pesë intervistave na del disi më e afërt si perceptim dhe si përjetim.

Gjitha intervistat kanë boshtin e tyre tematik e përmbajtjesor dhe në secilën prej tyre lexuesi mund të gjejë porosi e mendime të urta të Nënës Tereze, që përbëjnë edhe sistemin unik të mendimit të saj. Për fatin tonë të mirë një pjesë e këtij sistemi vjen edhe në këtë libër, pasi që siç ka shkruar edhe Don Lush Gjergji në parathënien e këtij libri, në të gjitha takimet kishte biseda të këndshme e të dobishme, miqësore me Nënën Tereze, disa prej të cilave ai ua sugjeron lexuesve t’i lexojnë , që të mund të kuptojnë më mirë, ta ndjekin në ecjen e saj shpirtërore, të përpiqen ta imitojnë, të paktën deri diku, në jetën tonë të përditshme, nga që vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund të jetë cytëse vendimtare për besimin tonë, për dashurinë tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit tonë.

Në perceptimin e përgjithshëm, figura e Nënës del si një profil njerëzor tek i cili dominonte dimensioni kozmopolit, si një figurë që është shkëputur nga trungu i origjinës dhe peshën e rëndesës humane e kishte shkarkuar rrugëve të braktisura të Indisë dhe skutave të vetmuara të botës, ndërkohë që ekziston edhe një perceptim tjetër, sidomos i atyre që e kanë njohur nga afër dhe shumë mirë natyrën e saj njerëzore, ku bën pjesë edhe Don Lush Gjergji, ku figura e Nënë Terezë na shfaqet me një dimension tjetër, me një frymë që korrespondonte me dashurinë e saj të pashuar ndaj familjes, por edhe ndaj vendit të origjinës.

Për ta vërtetuar këtë mjafton ta lexojmë intervistën me titull “Dëshira e kahmotshme për t’u kthyer te populli im shqiptar”, realizuar në vitin 1978, gjatë një vizite të Nënës Tereze në Shkup, ku Don Lush Gjergji në një bashkëbisedim të ngrohtë zbulon anët e saja më pak të njohura për publikun e gjerë.
E pyetur se si ndihej në vendlindjen e saj, në Shkup, pas aq shumë vitesh mungesë, Nënë Tereza me nostalgji dhe dëshpërim përgjigjet:
“Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën dhe nënën time Drane, që tani jeton me motrën time Age në Tiranë si dhe vëllain tim Lazrin, i cili jeton në Palermo. Jam takuar shpesh me vëllain tim, ose në Romë, ose në Palermo, nga që atje kemi një shtëpi për të moshuarit dhe për të varfrit. Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga viti 1928, që nga nisja ime për në mision në Zagreb…”

Nga këto fjalë që burojnë nga thellësia e zemrës, Nënë Tereza dëshmon se gjatë gjithë rrugëtimit të saj jetësor, ajo e kishte bartur me vete peshën e sagës së saj familjare dhe ishte munduar që në një skutë të zemrës të ruajë kujtimin për shtëpinë, sofrën, familjen dhe mocanikët e saj, me të cilët kishte ndarë çaste gëzimi në Shkupin e dikurshëm të lavdisë dhe krenarisë, por edhe të dëshpërimit e mërzisë.

Libri “E kam në zemër popullin tem shqiptar” është edhe një burim referencash për të gjithë ata që duan t’i kompletojnë dhe sistemojnë njohuritë mbi plotninë e figurës së Nënës Tereze, por edhe një lidhje me botën e pasur të një gruaje që mbolli në mendjet dhe zemrat tona farën e dashurisë për Hyjin dhe njeriun.

Don Lush Gjergj me këtë libër ka pasuruar jo vetëm bibliotekat, por edhe horizontin tonë të kërkimit pas modelit të një personaliteti si Nënë Tereza, e cila vazhdon të na frymëzojë me fuqinë e rrezatimit të saj human e shpirtëror.

Shkup, 14 qershor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat