Me rastin e 95 – vjetorit të lindjes Paulinë Pepgjonaj, ndër të parat pishtare të arsimit që ndezi flakadanin e diturisë në Ulqin, Krajë e Malësi

Kultura

Me rastin e 95 – vjetorit të lindjes Paulinë Pepgjonaj, ndër të parat pishtare të arsimit që ndezi flakadanin e diturisë në Ulqin, Krajë e Malësi

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 20 qershor 2022 Në ora: 11:22

Mësuesen e njohur nga Shestani Paulinë Pepgjonaj e kam njohur që kur isha në Gjimnazin e Tuzit. Prej atëherë kisha dëgjuar fjalë të mira për këtë shestaneshë, e cila ua çeli shqiptarëve rrugën e dritës dhe diturisë nga koleget dhe koleget e saj, sikurse edhe nga prindërit në Malësi. Më vonë e kam takuar dhe e kam vizituar disa herë në shtëpinë e saj në Ulqin. Takimi im i fundit me këtë mësuese 82 vjeçare, e cila misionin e saj e kreu me dashurinë dhe përkushtimin më të madh të mundshëm ishte më 15 qershor 2009 ne shoqërim të prof.Dr. Simë Gjon Dobrecit. Mësuesja Paulinë na u gëzua shumë dhe shprehi kënaqësinë që e kemi kujtuar, sepse siç na tha prej se ka dalë në pension e kanë harruar të gjithë dhe i vjen keq që puna e saj shumëvjeçare në edukimin dhe arsimimin e shqiptarëve pak vlerësohet në Mal të Zi. E gjetëm dhe e lamë të vetmuar pa asnjë njeri në shtëpi, larg zhurmës së qytetit, në fshatin e lindjes në Braticë të Ulqinit ku ajo vazhdon të jetojë jetën e saj fisnike.

Paulinë Pepgjonaj u lindi më 1927 në fshatin Braticë. Prindërit e saj babi Pjetër dhe nëna Dilë qëndruan një kohë në Tiranë, ku, siç thotë ajo, kreu shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën italiane, ndërsa Shkollën Normale në Shkup në gjuhën shqipe në vitin 1948. Sapo u diplomua për mësuese, thotë Paulina, kthehet në vendlindje dhe fillon punën me nxënës në shkollën e sotme fillore “Boshko Strugar” në Ulqin. “Në këtë shkollë kam punuar 10 vjet. Prej mësueseve femra para meje këtu ka punuar kroatja Antonie Markoviq, e cila i mësonte shqiptarët në gjuhën e tyre amtare. Pas Ulqinit kam punuar në Ostros të Krajës 5 vjet, prej nga kaloj në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz , ku kam punuar deri në pension. Fillimet e mia si mësuese kanë qenë të kënaqshme. Nxënësit e mi kanë qenë të rritshëm dhe të mrekullueshëm. Disa nga ata kanë qenë dy vjet më të moshuar se unë.

Vitin e parë të punës sime me nxënës në Ulqin nuk kishte asnjë femër, kurse ato filluan të ndjekin shkollimin viteve tjera, por në numër të vogël. Nxënësit e klasave të ulëta mësonin lëndën e matematikës, gjuhën shqipe, historinë gjeografinë e lëndë të tjera, por jo si sot. Këto lëndë mësoheshin sipërfaqësisht, krejt pak. Tekstet shkollore ishin të vjetra. Mungonin mjetet mësimore dhe didaktike. Nuk kishin plane e programe mësimore. Orën e organizonim vetë.

Rëndësi më të madhe i kushtonim bukurshkrimit dhe punës me dorë si për shembull rrobaqepësisë. Puna jonë kontrollohej nga inspektorët e arsimit.” rrëfen Paulina.

Mësuesja Paulinë është ndër të parat shqiptare në Mal të Zi e cila për 40 vjet radhazi ua çeli nxënësve shqiptarë rrugën e dritës dhe të diturisë. Ajo ka kontribuar aq shumë në shkollimin dhe edukimin e shqiptarëve në Ulqin, Anë të Malit, Krajë e Malësi saqë meriton përkujdesje dhe respekt shumë më të madh nga shoqëria. Kjo mësuese është emër i njohur në fushën e arsimit shqip në trevat etnike shqiptare në Mal të Zi.

Edhe pse në kohën e mësimdhënies së saj gëzonte autoritet, ajo sot është e harruar, siç janë harruar shpesh edhe shumë njerëz të kulturës dhe arsimit në këto treva.

Ajo edhe kur udhëtonte këmbë katër orë në ditë në acarin e dimrit të atyre maleve të egra për të arritur në shkollën e Krajës rrezatonte të njëjtën krenari e dinjitet. Në të parë as pas tragjedisë së madhe familjare, kur i vdiq Vinkoja, djali i saj i vetëm, në moshë të re, nuk u ligështua kurrë, duke e mposhtur me dinjitet dhimbjen e hidhërimin e saj që ia ka lënduar rëndë zemrën dhe shpirtin. Prandaj të gjithë nxënësit dhe kolegët sot nuk kanë sesi të mos thonë: “Nderim dhe respekt për detyrën e shenjtë të mësueses. Nderim vuajtjeve të tua, o mësuesja jonë e dashur! Ti hape horizonte të reja në arsimin kombëtar.”

Të gjithë ata që e kane njohur mësuesen Paulinë thonë se kishte një përgatitje profesionale, se ishte e pajisur me një kulturë të shëndoshë, se ishte e palodhshme në punë, e dashur me nxënës kolegë e prindër, entuziaste dhe pedagoge e mirë. Dhe pikërisht ky mision i rëndësishëm u është ngarkuar mësuesve, pra edhe Paulinës.

“Po, unë dhe kolegët e mi bëmë ç’ishte e mundur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të edukuar rininë tonë shqiptare, sepse ishim të bindur se ajo është shpresa e të ardhmes tonë”, na tha Paulina.

Ajo në vazhdim të bisedës shpalos përshtypjet, mbresat dhe kujtimet e saj gjatë punës në Ostros dhe në Tuz. Ajo që duhet veçuar nga kujtimet e saj gjithsesi është pasioni dhe dashuria për nxënës dhe prindër. “Për me qenë mësues i mirë duhet me i dashtë jo vetëm nxënësit por edhe prindërit. Nëse nuk vendos raporte të mira me prindër nuk mundesh të kesh sukses me nxënës. Nxënësi mëson më mirë dhe është më i sjellshëm kur e di se ke raporte të mira me prindërit e tij. E prishe punën me prindër, e ke prish edhe me nxënës”, pohoi Paulina, duke shtuar se kurrë nuk ka ndier lodhje me nxënës, por me padurim priste të kalojë fundjava për t’u takuar sërish me ta.

Mësuesja Palulinë gjatë punës në Malësi, respektivisht në Tuz shprehet: “Malësorët janë aq njerëz të mirë saqë nuk mund ta besosh. Fjala e tyre ka qenë e besueshme. Ajo për ta ka qenë ligj, e shenjtë dhe kurrë s’ka mund të ndryshojë. Karakteristikë tjetër e tyre ka qenë edhe burrëria”.

Ndërkohë, edhe nxënësit e kujtojnë me dashamirësi mësuesen e tyre të dashur. “Përpara nesh fuqishëm na tërhiqte fytyra e mësueses Paulinë Pepgjonaj. Ajo përherë ishte e buzëqeshur, kurse fjala e saj gjithmonë e ngrohtë. Na mësoi me aq dashuri saqë nuk pati forcë sado e egër që ta ndalë rrugëtimin tonë drejt shtigjeve të dritës. Sepse fytyra e saj e njomë, e bukur, fjala e saj e fuqishme e plot dashuri ndaj vlerave morale të njeriut na tërhiqte me shkëlqimin e vet rrezatues, siç i tërhiqte dikur ai fanari i Aleksandrisë së lashtë anijet e shtegtarëve që përplaseshin mbi valët e detit të trazuar”, shprehen ish-nxënësit e saj.

E ndiera mësuesja veterane, Paulinë Pepgjonaj do mbahet mend ndër breza nxënësish, për aftësinë, urtësinë, intelektin, komunikimin e mirëfilltë me nxënës dhe tiparet e larta ndërnjerëzore e ndërkolegiale.

Shestani duhet të mburret me këtë bijë të vetën, sepse ajo gjithmonë, madje edhe atëherë e vetmuar pa askënd në shtëpi, me përjashtim të vizitës së herëpashershme të vajzës Vera nga Gjermania dhe mbesës Daniela nga Tuzi, nuk u përkul kurrë, por qëndroi gjithnjë e palëkundur në misionin e saj të shenjtë dhe shkëlqeu përherë si një meteor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat