Kulturimi i domosdoshëm i partive tona

Kultura

Kulturimi i domosdoshëm i partive tona

Nga: Hejza Art Më: 24 qershor 2022 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Partitë janë grupim i bashkëmendimtarëve, të cilët synojnë që përmes platformave dhe programeve partiake të zgjedhin probleme shoqërore në fusha të ndryshme, duke ua bërë kornizë veprimi anëtarëve të vet që i kandidojnë në parlament, në qeveri, nëpër dikastere, drejtori e agjenci të ndryshme, si dhe në administratën shtetërore dhe në atë publike. Shikuar nga ky këndvështrim, pra, parti të qëndrueshme janë vetëm ato që ia dalin që radhët e veta t’i ngjeshin me kuadër profesionalë, të përgatitur e specializua nëpër fusha të ndryshme dhe që janë aset shumëfish më i rëndësishëm se militantët partiakë! Militantët partiakë duhet të ndërgjegjësohen deri në pikën e kulturimit të tyre dhe, të ndjehen shumë krenarë që në partinë e tyre ka personalitete të larta, të ndjehen të lumtur që angazhohen maksimalisht që ata personalitete të dalin sa më të suksesshëm, sepse, vetëm kësisoj partia e tyre mund të shtojë pikë dhe të rangohet sa më lartë në tabelat e pushtetit politik.

Fatkeqësisht, partitë tona i kemi me persona me precedent penal, i kemi kokërruar e gjokskrekosur, i kemi “komandantë” por edhe të lidhur me botën e mafias, të krimit, të shantazhit. Thjesht, partitë tona vlojnë nga personat që, në shoqëritë e civilizuar gjenden ose në burg ose nëpër spitale psikiatrike. Lidershipi ynë, i zhytur deri në gushë në kredi te ky “komunitet politik” brendapartiak, detyrohet që, ose t’i rehatojë nëpër poste e pozita, ose, komunitetin e esnafit, paraprakisht të akomoduar nëpër pozita e poste, ta detyrojë që të punojë në llogari të këtij kontingjenti që nuk ia do të mirën as partisë, as liderit, as shoqërisë, as kombit.

Ky kontingjent aktivistësh partiakë, zakonisht përzgjedh persona që i duhen “kontingjentit” për të cilët ushtrojnë presion të paparë, shantazhe e kërcënime, derisa të emërohen nëpër pozita të mira. Kësisoj, shteti bëhet bashkë me krimin dhe këta pastaj vendosin se kush duhet të jetë në pushtet, sa duhet të zgjasë pushteti, si duhet të formohet pushteti!

Ka aktivistë të zjarrtë partiakë dhe, këta madje janë aset partiak edhe më të rëndësishëm se kushdo tjetër vullnetar i partisë. Fatkeqësisht, askush nuk punon për kulturimin e tyre, askush nuk punon për ta bindur opinion se ai duhet të angazhohet që të fitojë opsioni partiak, të fitojë programi, me këtë tërë shoqëria, dhe angazhimi partiak nuk duhet të perceptohet si mundësi punësimi apo ngjitje në karrierë!

Nga ana tjetër, edhe partitë duhet të imponohen me programe të cilat parashohin realizimin e qindra projekteve kombëtare që kualitativisht do ta ndryshojnë jetën e shoqërisë, do ta shtojnë sigurinë, mirëqenien, paqen! Nëse nuk ia dalin partitë për ta përmbushur premtimin e kontraktuar me shoqërinë, natyrisht që do të ndëshkohet me votë dhe, ky ndëshkim do të jetë i shëndetshëm për vetë partinë. Premtimet nuk duhet të kontraktohen me grupe të akulturuar e imoralë, sepse këta, ndonëse mund të sigurojnë mbetje në pushtet, nuk mund të sigurojnë narrativën e suksesit të partisë.

Emërimi nëpër poste drejtuese në institucione kulturore i personaliteteve të shquar nga lëmenj të ndryshëm të artit e të kulturës, pa dyshim që ia rritë imazhin partisë, e cila gjithsesi që duhet të jetë koshient për mungesën e përvojës së tyre në punë administrative. Prandaj, duke u angazhuar që t’ua ruajë reputacionin këtyre personaliteteve, duke i ndihmuar që të dalin sa më të suksesshëm, rreth tyre do të angazhonin një “armatë” të tërë administratorësh që i njohin punët dhe sektorët përkatëse, ndërsa me këtë veprim, do të ngrihej niveli i kulturimit të partisë por edhe sukseset do të ishin shumë evidente!

Është e turpshme që rreth një funksionari analfabet drejtues i kulturës të angazhohet tërë administrata gjegjëse që ai duduk të dalë i suksesshëm! Është ofendim për njerëzit e kulturës, është ofendim për shoqërinë, është ofendim për kulturën në përgjithësi. Aktualisht, kjo po na ndodhë, prandaj esnafi i artistëve tanë, i krijuesve, i kulturologëve, vit e më shumë keqtrajtohet, nënçmohet, tallet, pikërisht nga “muskujt partiakë” që i japin bukuri trupit të tonifikuar pseudopolitik, ndërsa nga trutë janë të rrjedhur fare! Personaliteti kombëtar, figurat e arrira në fushat e kulturës, në çdo vend e pozitë, thjesht, të nderojnë. Emërtimi i këtyre personaliteteve nëpër pozita kyçe vetëm sa për t’u çliruar nga konkurrenca dhe nga kritika dhe, sakaq, përflakja e tyre në rrugë, nuk është asgjë tjetër përveçse krim gjenocidal mbi vetë vlerat kombëtare! Një parti e kulturuar këtë krim nuk do ta lejonte për asnjë lloj çmimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat