Poeti i dashurisë dhe përjetësia femërore

Kultura

Poeti i dashurisë dhe përjetësia femërore

Nga: Baki Ymeri Më: 4 korrik 2022 Në ora: 00:27
Foto ilustrim

Remzi Basha është një poet me vlera të larta morale dhe intelektuale. Duke lekturuar poemat e këtij vëllimi të ri, mbetemi të kapluar nga hijeshia e femrës që shndrit në çdo faqe. Poetin e përfshin forca e objektivitetit, sinqeriteti i papërkufizuar, guximi për afirmimin e hijeshisë së trupit dhe të dashurisë polivalente në konditat humane-femërore moderne. Kjo ekzistencë është e prekur nga pasioni i thellë dhe nga fshehtësia duke e përulur luciditetin e intelektit me të vërteta supreme, si dhe me fuqinë e mirësisë dhe të njerëzores përmes zhdërvjelltësisë së instiktit, instrument i vetëmbrojtjes dhe vetafirmimit që vjen përmes shtigjeve të senzualitetit dhe të egzaltimit erotik. Është dhurata e dashurisë së gjithëfuqishme dhe diskrete, e cila duket të jetë, krahas bukurisë edhe një fshehtësi, një enigmë dhe një fundament i paluhatshëm i përjetësisë femërore.

Identiteti seksual favorizon dhe defavorizon njohjen racionale, gruan në botën e afektivitetit. Realiteti psikologjik, i kushtëzuar nga shkaqe sociale, ka mbetur ndërkaq shumë kohë pa efekte në planin e krijimtarisë artistike. Kështusoj, ndoshta në siguri paraprin ndjeshmëria, njohja intuitive ndaj asaj racionale, por poetët e mëdhenj të Rilindjes dhe kohërave moderne kanë qenë, pothuajse pa përjashtim, burra. Deri në shekullin e XX, kur paraqitet një Marina Cvetaeva, një Ana Ahmatova, Nemes Nagy, apo në letërsinë rumune një konstelacion i terë talentesh, si Magda Isanos, Ana Blandiana, Angela Marinescu, deri te Monica Pillat, apo Viorela Codreanu. Numri i poeteshave shqiptare që e kanë për subjekt dashurinë, është i panumërt.

Nga poetët tanë, Remzi Basha zotëron në këtë konstelacion një vend të veçantë. Universi i tij lirik bazohet mbi fundamentin real të ekzistencës sonë, në një epokë të paprekur nga kërcënimi. Është po ai univers poetik që fanitet në tërë letërsinë universale, moderne, nën shenjën e tëhuajësimit dhe vetmisë, ndërsa në kontekstin e postmodernizmit, nën shenjën e refuzimit fatal të vlerave autentike: në komunikim dhe dashuri, në bukuri, vërtetësi dhe mirësi. Poeti krijon shëmbëlltyrën e konditës humane të aktualitetit shqiptar. Në brendinë e librit, poeti i dashurisë na shpie në botën ekzistenciale, duke i refuzuar disfatat, zhgënjimet, dhimbjet dhe fjalët vajtimtare.

Që në poezinë e parë ballafaqohemi me një muzë të ëndërruar, një mesazh i shprehur me forcë të kapshme artistike, me një ndjenjë të thellë të dhurimit dhe adhurimit, me një dëshirë të zjarrtë për ta ndalur kohën kaotike, ndërsa në vazhdim vjen ajo që revelohet në ëndrrën e qelqtë, ku fanitet hipostaza e parë e dritës mbrojtëse që na përshëndet. Fill pas kësaj implikohen edhe motive tjera: doganat e ajrit, dogana e gjumit dhe dogana e ëndrrave me kuptimin e parë që sugjeron Atdheu i Premtimit, pas të cilit pason bota e ëndërrave erotike, e sugjeruar, si dhe ajo e ëndrrës së shtrirë në bardhësinë e gjumit të pagjumë. E krijuar nga qendra e motiveve kontrastuese, krejt libri është një vepër e vetme, një vepër e vërtetë që e nxit lexuesin t’i kuptojë mikropoemat si pjesë në vete, të mishëruara njëra me tjetrën në mbretërinë e fjalëve. Por në çdonjërën nga to jehon dhe tingëllon po ajo simfoni polifonike e motiveve poetike. Në të njëjtën kohë, mikropoemat kanë një strukturë aforistike me rima filozofike polare, me stilin e pasur me oksimoroma dhe reflekse të dendura ndaj paradokseve të dukshme apo të fshehura.

Motivet janë të llojeve të ndryshme, edhe si mbështetës objektual, arketipal, psikologjik, edhe si domethënie. Matriça e tyre e vërtetë është polivalenca dhe origjinaliteti. Në sipërfaqe sistemi i motiveve vërehet përmes shprehjeve kushtuar jetës, dashurisë dhe atdheut. Secila domethënie dhe sugjestion, ka një statut aktiviteti, emocioni, përjetimi autentik të autorizuar nga një sinqeritet dhe nga një substancë konkrete dhe absolute. Në kontekstin e këtyre motiveve poetike origjinale, identifikojmë një gamë motivesh fundamentale dominante. Poeti e merr përsipër deri në pikën e fundit të gjakut, deri në frymën e fundit të shpirtit, ekzistencën e dyfishtë të burrit dhe të gruas. Janë të kapluara deri në shkallën më të lartë të besnikërisë, trupi dhe shpirti, ekzistenca dhe kërkimi, dashuria e dhimbshme, reciproke dhe e parefuzuar, besimi dhe mosbesimi.

Remzi Basha është poet i ndjesive të larta. Në qendrën e universit të tij artistik, real dhe imagjinar, gjendet vetëdijësimi i ekzistencës me motive ontologjike. Për atë, poeti nis nga motivet arketipale, nga elmentet si uji, dheu dhe zjarri, nga trupi dhe shpirti, nga qielli dhe yjet. Të akumuluara gjatë rrjedhës së historisë së qytetërimit, këtyre u shtohen kuptime të reja dhe përjetime personale. Fluksi i tekstit poetik shquhet përmes koncertit harmonik të motiveve, përmes lëvizjes dialektike të polariteteve nga shpirti i qenjes humane, përmes përjetimit pa rezervë të shpirtit, ngazëllimit dhe hijeshisë. Në poezinë shqipe të dashurisë, Remzi Basha shquhet përmes shprehjes së theksuar të përjetësisë femërore, përmes shpalosjes së motiveve të jashtëzakonshme, ekstraordinare dhe plenare.

Duke udhëtuar nëpër faqet e këtij vëllimi poetik, duke përshkuar trajektoren e ndërlikuar të poezive, idileve, ditirambeve dhe variacioneve nga më befasueset, lexuesi ka nderin të alternojë gjendjet e ndryshme emocionale që përcjell ky mozaik i këndshëm me spektër të gjerë emocionesh, imazhesh, ndjenjash, përsiatjesh e meditimesh që dalin nga shpirti i ndjeshëm i njeriut - poet, për të komunikuar me të gjithë tipat e lexuesve.

Për të hyrë në universin e poetit Remzi Basha, për të shijuar alkiminë e fjalës së tij poetike, ka shumë mënyra, ka shumë piketa dhe çelësa leximi, që gjenden të derdhura apo të skalitura nëpër vargje poezishë të ndryshme. Janë pikërisht këto vargje një manifest i filozofisë së jetës dhe kredoja estetike e autorit, i cili spikat që këtu si një romantik në kohët e moderniteteve poetike, si një pasagjer i mesjetës në trenin modern të artit poetik. Manifesti artistik i këtij autori na shfaq përballë një shpirt rebel, një dashurues të zjarrtë dhe ëndërrimtar të papërsëritshëm, një adhurues i përjetshëm i bukurive të jetës, të femrës, të natyrës dhe të njeriut.

Por, siç ndodh me poetë të tillë, poetët e zjarrit të pasionit, me konturet e hijshme të trilleve thuajse kalorësiake, nëpër undergraundin e lirizmit të tij nëpërduket dhe qarkullon imazhi frymëzues i një femre, më shumë se sa Beatriçe, një tip Laure si e Petrarkës, një enigmatike, mbase një fiksion artistik, i përftuar nga pasionet me të cilat ky lloj poeti e përjeton jetën. Sepse jemi në tipin e poetit që jetën e përjeton si një poemë. Në kompleksin e gjërave origjinale të Remziut dhe të krejt poezive të këtij vëllimi, bëjnë pjesë metodat tradicionale të vargëzimit dhe rishfaqen si tipar i romantizmit me lirikat kushtuar femrës dhe natyrës. Perceptimet estetike natyrsht janë moderne. Ato janë procedime artistike që mbështeten në abstraksione të rafinuara poetike. Gjithashtu duhet parapëlqyer e vlerësuar aftësia që poeti ka për të vargëzuar herë me rimë e herë pa rimë

Duke lexuar e shijuar mjaft poezi të Remzi Bashës, kuptojmë arsenalin e gjerë e të thellë metrik dhe prozodinë e pasur të një artisti të fjalës me pasion të madh dhe eksperienca të gjata leximesh e krijimtarie vetjake. Pa diskutuar vlerën e vargjeve të lira apo të parimuara, duhet çmuar rima si një nga elementët më të spikatur të muzikalitetit, të harmonisë e të kumbimit të këndshëm; si një ngjyrim i skicimeve poetike që memorizohen në kujtesën e lexuesit falë këtij elementi magjik, që vjen qysh nga lashtësia dhe mbetet dëshmi e denjë e artistëve të vërtetë të fjalës.

Megjithëse kryefjala e krejt vëllimit është dashuria dhe bipolariteti i saj në labirintet e unit kur shfaqen edhe motive filozofike, meditative, të plazmuara në mendime e vargëzime elegante, ndërsa forca e madhe përjetuese dhe magjia në trurin e poetit, shfaqet në formën e bukolikes, që plasohet në një platformë të shkëlqyer lirike. Format e strofave dhe njësive poetike janë të larmishme, spontane, të rastësishme dhe të lindura nga çaste të vërteta frymëzimi. Nganjëherë vjen me një njësi poetike me pak vargje, por kur lexohet me kujdes, e kupton se aty është thënë gjithçka. Pra jemi tek poeti që nuk ka inflacion fjalësh, sepse marrëdhënia e gjuhës poetike me mendimin e formësuar në varg është e përkryer. Përfundimisht, mendoj që ky vëllim poetik është një eveniment i rëndësishëm jo vetëm i autorit, por edhe i poezisë sonë që krijohet në trojet e diasporës. (Baki Ymeri, Bukuresht, Verë 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat